Si kurrë më parë, dy këngëtarë fierakë do të konkurrojnë në Eurovision 2018

Aktualitet

Fierakët kanë më tepër arsye për ta përcjellë edicionin e sivjetmë të Festivalit evropian të këngës, Eurovision, që zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë. Kjo për faktin se atje do të interpretojnë dy këngëtarë nga Fieri, por që përfaqësojnë Italinë dhe Qipron.

Pas triumfit në Festivalin e Sanremos, Ermal Meta dhe bashkëpunëtori tij, Fabrizio Moro, janë caktuar automatikisht përfaqësues të Italisë në ‘Eurovision 2018′. Kënga “Non mi avete fatto niente” u shpall kënga më e mirë në festivalin më të madh italian në kategorinë e artistëve të mëdhenj, duke lënë prapa Lo Stato Sociale dhe Annalisa.

 

Në festivalin e sivjetmë evropian do të jetë edhe këngëtarja  Eleni Foureira, e cila do ta përfaqësojë shtetin e Qipros. Ajo ka lindur në Fier të Shqipërisë, ndërsa emri i vërtetë i këngëtares është Entela Fureraj. Kur Eleni ishte e vogël, familja e saj u largua drejt Greqisë dhe ajo u rrit në Kallithea. Me muzikë nisi të merrej që e vogël duke mësuar kitarën, ndërsa më vonë ka punuar edhe në teatër për tre vite.
Krahas të qenit këngëtare, 30-vjeçarja është edhe aktore, valltare dhe dizajnere mode. Karrierën muzikore e nisi në vitin 2007 si anëtare e grupit të vajzave, “Mystique”, ndërsa dy vite më pas e vazhdoi karrierën solo. Pas marrëveshjes së arritur me ‘Universal Music Greece’, e lansoi albumin debutues (2010) që ishte shumë i suksesshëm në Greqi.

Më vonë nënshkroi me Minos EMI dhe lansoi dy albume, “Ti poniro mou zitas” (2012) dhe “Anemos agapis (2014). Në vitin 2015 nënshkroi me kompaninë Panik Records, ndërsa në vitin e kaluar e publikoi albumin e katërt “Vasilissa”. Në festivalin e sivjetmë evropian do ta përfaqësojë Qipron me këngën “Fuego”.

‘Eurovision 2018’ do të jetë edicioni i 63-të i Festivalit evropian të këngës, i cili për herë të parë do të mbahet në Portugali, pas triumfit të Salvador Sobral me këngën “Amar pelos dois” në garën e vitit të kaluar që u zhvillua në Kiev të Ukrainës.

Festivali do të zhvillohet në Altice Arena të Lisbonës dhe do të përbëhet nga dy gjysmëfinale, më 8 dhe 10 maj, dhe një finale më 12 maj 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *