Një histori e ”munguar” e Fierit. Kisha e vjetër e Shën Gjergjit – Nga Ilirjan Gjika

Histori

E ndërtuar dy shekuj më parë, kisha katedrale e Shën Gjergjit ishte pas urës me harqe të Gjanicës, objekti më i vjetër historik i Fierit. Por kjo ndërtesë kulti pati fatin e keq që ti nënshtrohej furisë së shkatërrimeve ateiste. Vetëm në vitin 1997, kisha e Shën Gjergjit u rindërtua përsëri në të njëjtin vend. Natyrisht jo si më parë. Ky ishte ‘’fati’’ i trishtë i saj njëlloj si Ura e Gurtë, Sarajet apo Tregu i Vrionasve. Ato do të shkatërroheshin për ta lënë qytetin më të madh të Myzeqesë pa një ‘’kujtesë’’ historike.
Gjithsesi kisha e Shën Gjergjit ‘’qëndroi në këmbë’’ për mëse 185 vjet. Ajo u rrafshua nga shteti komunist në mesditën e 23 prill të vitit 1969. Ndërkohë që sot kanë mbetur vetëm kujtimet e bashkëkohësve dhe disa foto të dikurshme të saj.

2
Kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha të rajonit të Myzeqesë e cila përbëhej prej tre nefesh, pagëzimores dhe dy portikëve. Me përmasa prej 26 m gjatësi dhe 20 m gjerësi ajo u ndërtua në vitin 1782 nga mjeshtër Gega (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108).
Mendohet se kjo faltore u ngrit mbi rrënojat e një kishe më të vjetër asaj të Shën Marisë emri i së cilës u ruajt deri në mesin e shekullit të XX. Kjo kishë që ndodhej dikur në pjesën verilindore të Shën Gjergjit ishte e përmasave më të vogla dhe kishte ekzistuar këtu më parë. Kisha ishte ndërtuar me gurë shtufi të nxjerrë nga kodrat përreth dhe gurë të sjellë nga Apolonia antike.
‘’Zona është shumë e varfër me gurë, ndaj gërmadhat e Apolonisë ka kohë që janë kthyer në furnizues me gurë të zonës, madje deri në Berat dhe, në të gjitha vendet e afërta dhe rrethinat e largëta, gjen, me siguri, antika sidomos në kisha’’. Kështu shkruante gjatë vizitës së tij në Fier, në 24 qershor të vitit 1916, arkeologu austriak Prashniker, i cili së bashku me kolegun e tij Bushbek vizitoi edhe Shën Gjergjin (Kamilo Prashniker-Arnold Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, PEGI, Tiranë 2003, f. 65). Duke gjurmuar ‘’antikat’’ e murosura në godinat e qytetit, këtu, ata gjetën një reliev të cilin, Prashniker, e quajti relieve i ‘’hoplomachusit me thrakasin’’ dhe një stelë varri të ripërdorur në varrezat kishës (Po aty, f. 65-67).
Ndërkohë përsa i përket muraturës një pjesë e gurëve të kishës ishin skalitur prej mjeshtërve ndërtues. Ata ishin lidhur me llaç gëlqereje, ku për të shtuar fortësinë e tyre ishin përdorur edhe të verdhat e vezëve, përzier me lesh dhie. Ndërsa për ndërtimin e kupolës ishin përdorrur tulla të kuqe të lidhura me llaç. Si në të gjitha kishat edhe Shën Gjergji ishte i paisur me mbishkrime datimi dhe dedikimi. I pari prej tyre gjendej në pjesën e jashtme të absidës dhe në të shkruhej se: ‘’Në vitin 1782 e ka bërë nga fillimi kryemjeshtri Gega. I përjetshëm kujtimi’’. Ndërsa në mbishkrimin e dytë të vendosur në një pllakë të mbi portën jugore ishte i skalitur emri i mjeshtrit të dytë, që kishte punuar për ndërtimin e kishës, i cili quhej Elamen (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108).

3
Kisha e Shën Gjergjit ishte zbukuruar brenda me afreske të pikturuara nga piktori Joan Çetiri. Pikturat murale të saj janë realizuar në vitin 1782, kohë, kur ky piktor dekoroi me afreske edhe kishën e Shën Gjergjit në Strum. Ka shumë gjasa që afresket e të dy kishave të kenë qenë të ngjashme. Edhe sot në kishën e Strumit ruhen një pjesë e tyre nga të cilat mund të krijojmë përfytyrimin se si ka qënë i ‘’dekoruar’’ Shën Gjergji i Fierit. Në këtë vit që përkon me drejtimin e mitropolisë së Beratit nga Joasafi u rindërtua kisha e shën Mërisë në Kolkondas dhe u meremetuan kishat e Shën Kollit në Kurjan dhe ajo e Shën Mërisë në Apoloni (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108).
Ndërkohë që, Çetirët prej Grabove ishin edhe një familje piktorësh që e ushtroi veprimtarinë e saj për disa breza gjatë një periudhë 142 vjeçare. Ata e nisën aktivitetin e tyre duke filluar me piktorin e parë, Gjergj Prend Çetirin, në vitin 1775, për të përfunduar me nipin e tij, Gjergj Nikoll Çetirin, në vitin 1866. Ndërkohë që piktori më i shquar i kësaj familje ishte padyshim, Joan Çetiri, i cili sipas studiuesit Theofan Popa, ka qenë piktori më i mirë gjatë shekullit të XIX-të, në këtë gjini në krejt Ballkanin. Veprimtaria artistike e mjeshtrit Joan Çetiri zgjati gjithsej 21 vjet, që nga 25 Mars i vitit 1792 deri në vitin 1813. Ky piktor e kreu mjeshtërinë e tij në pikturimin e 65 kishave (Theofan Popa, Piktorët Grabovarë Çetiri nga Familja Katro, BUSHT, Tiranë 1960 ).

4
Për kishën e vjetër të Shën Gjergjit ekzistojnë disa studime të pjesshme. I pari është bërë nga Dr. Jakov Milaj në vitet 1930. Dorëshkrimi autentik ndodhet pranë familjes së tij dhe prêt ditën e botimit. Në këtë shkrim ai hedh mendimin se për të mbajtur të gjallë figurën e Skënderbeut dhe ëndrrën e lirisë, shumë kisha të Shqipërisë u quajtën me emrin e Heroit, Shën Gjergj (Jakov Milaj, Dorëshkrime). Një fakt ku Milaj u mbështet është gjetja në vitin 1922, gjatë prishjes së varrezave të vjetra të kishës, e një guri varri ku ishte gdhendur një shqiponjë e periudhës së Skënderbeut.
Interesante dhe të pashfrytëzuara më parë janë edhe dëshmitë e Tafil Boletinit, nënprefekt i Fierit në vitet 1922-1924, shkrimet e të cilit japin të dhëna të çmuara për zhvillimet urbane dhe toponime të vjetra të Fierit, një pjesë e të cilave tashmë kanë humbur nga kujtesa e brezave të sotëm (Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë 2003, f. 345).
Në shënimet e tij që i gjejmë të botuara, ai shkruan se: ‘’Muhamedanët varroseshin një sahat larg në Radostinë, e të krishterët pranë kishës në lagjen Shkozë’’( po aty, f. 345). Për këtë qëllim u ndërtuan për të dy palët varrezat në rrugën e Vlorës në tokat shtetërore në Zhupan, fakt që na e pohon edhe historiku i kishës së Shën Gjergjit në Fier.
Ndërsa të tjera studime i gjejmë të veçuara në librat e studjuesit të mirënjohur Theofan Popa. Kështu te “Piktorët mesjetarë shqiptarë” të botuar në vitin 1961 në Tiranë, autori, përmend se ikonostasi është pikturuar nga Joan Çetiri. Ketu paraqitet edhe një fotografi bardhë e zi, ku jepet ikona e Krishtit që ishte e vendosur në këtë ikonostas (f. 101-111). Ndërkohë në librin e dytë të titulluar : “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”, Theofan Popa boton dy mbishkrimet e mësipërme, që ndodheshin në muret e Shën Gjergjit të vjetër (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108).
Ndërsa të dhënat e fundit për kishën e Fierit na i jep shkrimtari Leonidha Prifti, në shkrimin e tij me titull ‘’Polizoi Ikonomi-Kontributi dhe përkushtimi i tij fetar në qytetin e Fierit’’, kushtuar njërit prej klerikëve të shquar të kësaj kishe (http://www.zemrashqiptare.net/…/…/act_print/rf_1/Printo.html)
Midis të tjerave, ky autor, thekson se Shën Gjergji u mbyll gjatë fushatës së ndalimit të fesë në 6 shkurt të vitit 1967 për tu shkatërruar më pas, në 23 prill 1969.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *