Fier, një i vdekur dhe dy të plagosur nga aksidenti te “Kthesa e Verbasit”

Një aksident ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Fier, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:30, në rrugën Fier-Roskovec, në vendin e quajtur “Kthesa e Verbasit”, ku shtetasi E.Ç, 26 vjeç, banues në Patos, duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.

Si pasojë e aksidentit ka vdekur pasagjeri, shtetasi A.Sh, 52 vjeç, banues në Patos. Gjithashtu kanë marrë lëndime dhe ndodhen në spital drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi M.Sh, 25 vjeç, banues në Patos. Sipas policisë, nga testi i alkoolit, drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në masën 1.08 mg/l.