Shënime dhe konsiderata rreth kishës së Kurjanit – Nga Ilirjan Gjika

July 11, 2018


Në territorin e bashkisë së Roskovecit gjendet dy kisha ortodokse të cilat gëzojnë statusin e monumenteve të kulturës. Të tilla janë kisha bizantine e Shën Nillollës në Kurjan dhe kisha postbizantine e Shën Gjergjit në Strum. Të dyja këto objekte kulti i përkasin dy epokave të ndryshme historike dhe bartin karakteristika dhe vlera të veçanta. Por ndërkohë ato kanë edhe një tipar të përbashkët, sepse janë pikturuar me afreske nga mjeshtra, të cilët përnëjnë disa nga përfaqësues më në zë të artit ikonografik në Shqipëri. Të tilla janë ‘’shkolla’’ e Onufrit pasi kisha e Shën Nikollës është dekoruar me afreske nga Nikolla, i biri i tij i tij dhe ‘’shkolla’’ e familjes Çetiri, që kanë punuar pikturat murale në Strum. ‘’I biri i Onufrit, Nikolla, ishte vazhdues i stilit origjinal të të atit’’, shkruan në librin ‘’Ikona’’, studjuesi Kliti Kallamata (Kliti Kallamata, Ikona, K.e.P. SBILIAS S.A, Athinë 1998, f. 28).
Ai ka ushtruar mjeshtërinë e tij në kishën e Shën Nikollës në Kurjan në Shën Vllaherna të Beratit dhe në Arbanas të Bullgarisë (po aty, f. 28-29).

Ndërsa kisha e Shën Gjergjit është pikturuar nga mjeshtrat e familjes Çetiri, ku njëri prej tyre, Joan Çetiri, është konsideruar si një ndër ikonografët më të shquar të Ballkanit në shekullin e XIX-të (Theofan Popa, Piktorët Grabovarë Çetiri nga Familja Katro, BUSHT, Tiranë 1960 ).
Por objekti i shënimeve të sotme është kisha e Shën Nikollës në fshatin Kurjan një kishë trekonkëshe që mendohet se është ndërtuar në shekullin e XIV. Së bashku me liqenin aty pranë, gjurmët e degës jugore të rrugës Egnatia dhe një sërë ”benefitesh” të tjera që ofron rajoni i Roskovecit, ajo, përbën një atraksion të prekshëm turistik. Infrastruktura e përfunduar dhe restaurimi i pritshëm do të sjellë një ”ridimensionim” të këtij monumenti kulturor.


Por duke kostatuar se jo të gjitha burimet rreth saj i kemi trajtuar në shkrimet tona vendosëm që në këtë shkrim të sotëm të trajtojmë disa prej tyre. Burimi më i vjetër që dëshmon rreth saj është një mbishkrim i vitit 1782, i gdhëndur mbi një gur mbi portën perëndimore të kësaj kishe (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 108).
‘’Prill 1782’’, lexohet në të dhe duhet të jetë data e një restaurimi të mundshëm të kishës. Në këtë vit që përkon me drejtimin e mitropolisë së Beratit nga Joasafi u rindërtua kisha e shën Mërisë në Kolkondas dhe u meremetua edhe kisha e Shën Mërisë në Apoloni (Theofan Popa, f. 108) .Ndërkohë që burimi i dytë na vjen nga Anthim Aleksudhi. Metropolit i Beratit në vitet (1855-1887), ai, bëri nga inspektimet në terren të gjithë inventarin e kishave, manastireve, pasurive të tyre dhe komuniteteve që kishte në varësi kjo metropoli. Këtu në këtë zone, sipas tij, e ushtronte juridiksionin fetar, Enoria e Çervenit, në të cilën bënin pjesë fshatrat Çerven, Luar, Kurjan, Xhuxhan, Poçest, Allambrez dhe Ngjeqar. Ato kishin 66 familje ortodokse te cilat, ritet fetare, i kryenin ne kishën e Shën Nikollës në Kurjan në të cilën shërbente edhe një prift (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 63).
Burimi i tretë na vjen nga viti 1956, ku një ekpeditë studimore e Universitetit të Tiranës, zbuloi se afreskat e kësaj kishe ishin pikturuar nga i biri i Onufrit, Nikolla së bashku me një piktor tjetër të quajtur Joan (Theofan Popa, Piktorët mesjetarë shqiptarë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Tiranë 1961, f. 40-41).
Ky piktor ka punuar edhe interierin e kishës së Shën Mëri Vlahernës në Berat në vitin 1578 (po aty). Duke qenë se rreth këtyre viteve ai ka punuar së bashku me ateljenë e tij edhe në Kurjan, Shën Nikolla, e së cilës ishte nën juridiksionin fetar të Metropolisë së Beratit, autorë të ndryshëm aludojnë se në këtë vit ose afërsisht në këtë kohë ai ka punuar edhe këtu.
Ndërkohë burimet e fundit të shkruara për kishën e Shën Nikollës i kemi në vitet fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Ato mbajnë autorësinë e Aleksandër Meksit, studjuesit dhe restaurusit të këtij objekti kishtar. Prof. Meksit i takon merita e veçantë jo vetëm e restaurimit por edhe shdërrimit të këtij objekti në formën e sotme. Po kështu, studimet dhe botimet e tij rreth kishës së shën Nikollës, e bënë të njohur këtë monument kulture jo vetëm në aspektin historik dhe shkencor por edhe nga opinioni publik. “Në verën e vitit 1970 duke konsideruar gjendjen e strukturave të çatisë jo të mirë, ashtu dhe rrënimin e pjesshëm të hajatit të vonë në anën jugore u ndërmorën punime restaurimi’’, shkruan Aleksandër Meksi në artikullin studimor: ‘’Dy ndërtime të tipit trekonkësh’’ (Aleksandër Meksi, Dy ndërtime të tipit trekonkësh, Monumentet 7-8, Tiranë 1974, f. 233).
Kështu ‘’Punimet restauruese u kryen nga Ateljeja e Tiranës nën drejtimin e autorit dhe F. Topullit’’, thekson pak më poshtë ai (Po aty, f. 233).

Në këtë shkrim gjejmë një informacion të bollshëm të gjendjes së kishës, arkitekturës, planimetrisë, teknikës së ndërtimit dhe punimeve restauruese. Gjatë kësaj kohe u ndërtua çatia e re, u nxorën në pah frontoni si dhe një pjesë e sipërme e afreskeve, u bënë punime konservuese të mureve, u lidhën ato me betonarme, u bë pastrimi i tyre nga llaçrat, u bë sistemimi i jashtëm ku u hoq edhe portiku jugor dhe një kambanore e ulët si shtesa të vona të kishës, etj (Po aty, f. 233-234).
Më pas, Aleksandër Meksi, e përshkruan këtë restaurim edhe në artikullin ‘’Probleme dhe aspekte të restaurimit të kishave bizantine në Shqipëri, botuar në munrin 12, të revistës ‘’Monumentet’’ në vitin 1976. Ndërkohë që ky autor e përfshin studimin arkitektonik të kishës së Shën Nikollës edhe në dy botime të tjera. Të tilla janë librat: ‘’Arkitektura Mesjetare në Shqipëri’’ në vitin 1983 dhe ‘’Arkitektura e kishave të Shqipërisë’’, botuar në vitin 2004 (Aleksandër Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1983, f. 176-178 dhe Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, f. 229-230).


Përveçse vlerave të shumta që mbart kisha e Shën Nikollës të cilat i kemi trajtuar edhe në shkrime të tjera, ajo ka edhe disa veçori të tjera. Njëra prej tyre është edhe ajo e ikonostasit për të cilin, Aleksandër Meksi, mendon se përbëhej dikur prej guri (Aleksandër Meksi, Dy ndërtime të tipit trekonkësh, Monumentet 7-8, Tiranë 1974, f. 230). Është pikërisht kanali në të dy anët e pilastrave, kllapat dhe boshllëqet e rregullta midis gurëve të dyshemesë të çojnë tek kjo ide.
‘’Në qëndër të dyshemesë, thekson Meksi, gjendet një pllakë guri, përmasat e së cilës na shpien në mendimin se ajo shërbente si pllakë e ikonostasit (Po aty, f. 230). Kjo pllakë gjendet edhe sot në qendër të kishës dhe mund të jetë modeli për pllakat e krijuara rishtazi që mund ti shërbejnë restaurimit të ardhshëm.
Po kështu te libri i botuar së fundmi ‘’Arkitektura e kishave të Shqipërisë’’, prof. Aleksandër Meksi, paraqet një fotografi interesante, ku jepet një pllakë guri shoqëruar me shënimin: ‘’Kurjan, fragment pllake ikonostasi, shek X’’ (Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë’’ shekujt VII-XV, Uegen, Tiranë 2004, f. 139).

Përveçse mund të shërbejë edhe si një model i mundshëm restaurimi për ikonostasin, datimi saj si një objekt i shekullit të X, na çon tek ideja se kisha e sotme që i përket shekullit të XIV, mund të jetë akoma më e vjetër. Një tjetër veçori e kësaj kishe është edhe ekzistenca e gurëve antike apo elementëve paleokristianë që ndodhen të vendosur në mënyrë të parregullt në muret e saj. Të tilla janë koka kapitelesh dorike e korintike që i ndeshim te pilastrat, pjesë dekorative, relieve të zbukuruar me rozeta të antikitetit dhe motive paleokristiane me gjethe palmash dhe kafshë të ndryshme, etj.
Por ndër më interesantët është edhe një reliev i cili ruhet në murin verior të kësaj kishe aty ku ai lidhet me absidën. Në shkrimin e tij të titulluar ‘’ Aleksandri i Madh ‘’Biri i Dragoit’’ dhe Skëndërbeu ‘’Kulshedrae Arbënit-Draco i Epirit’’, studjuesi Agron Luka, thekson se ai paraqet Aleksandrin e Madh. Ndër të tjera ai mendon se ky reliev mund të jetë një kopje e artit antik në shek XIII, apo janë pjesë të objekteve antike me ndikim nga Apollonia apo Antipatrea, të cilat kanë qënë në një periudhë të atikitetit territore të shtetit maqedonas (Agron Luka, Aleksandri i Madh ‘’Biri i Dragoit’’ dhe Skëndërbeu ‘’Kulshedrae Arbënit-Draco i Epirit’’ dt 10 maj 2018).
Vlera mbartin edhe mbishkrimet e absidës së kishës të cilat i përkasin shek të XVI, kohës kur kisha është dekoruar me afreske nga Nikolla i Onufrit dhe Joani.
Po kështu në qëndër të dyshemesë së naosit ruhet ende sot një pllakë guri me bordurë ku dallohen zbukurimet përfshirë edhe dy figura shpendësh. Duke u nisur prej përmasave të saj, Aleksandër Meksi, mendon se dikur ajo ka shërbyer si pllakë e ikonostasit (Aleksandër Meksi, Dy ndërtime të tipit trekonkësh, Monumentet 7-8, Tiranë 1974, f. 230).

Kisha e Shën Nikollës pret të restaurohet së afërmi. Gjithçka është gati dhe puna do të nisë së shpejti. Kështu do të kemi një pamje tjetër të saj. Për këtë do të duhej një gjysëm shekulli nga restaurimi i saj i fundit i cili përmbante në vetvete jo vetëm një punë voluminoze në terren, por edhe një veprimtari të pasur studimore të zhvilluar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe studjuesi Aleksandër Meksi.
Por për të arritur rezultatet e duhura dhe për ta sjellë këtë objekt në identitet natyrisht që duhet të të merren në konsideratë e gjithë kjo përvojë e çmuar. Pikërisht rreth këtij restaurimi të pritshëm, Prof. Meksi, thekson se: ”Këto duhet të jenë aspektet e një ndërhyrje në Kurjan: Studimi i mëtejshëm duhet të jetë gërmimi në terrenin pranë sepse mund të ketë fragmente skulpture si dhe a ka qenë manastir?! Më pas duhet filluar konservimi i ndërtesës, përforcimi eventual i mureve dhe çka do dalë nga gërmimet e në çdo rast ndërhyrjet e nevojshme në çati e mbulesën me tjegulla. Pas këtyre mbetet sistemimi estetik i mjedisit, por pa dëmtuar mjedisin e tij historik’’.