Kuvendi miraton mbylljen e basteve dhe kazinove në 31 dhjetor

Aktualitet

Me 75 vota pro, Parlamenti votoi nen për nen dhe në tërësi ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në datën 31 dhjetor 2018, në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Këtë projektligj e votuan 75 deputetë të Partisë Socialiste. Ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

Ndërkohë u rrëzua propozimi i kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Erion Braçe, i cili kërkoi që për lojërat e fatit (kazinotë që do të stacionohen vetëm në hotele me 5 yje) të kenë një normë më të lartë taksimi, nga 15 % që është aktualisht në 30%.

Deputeti Braçe iu referua disa vendeve të BE, të cilat i taksojnë këto aktivitete në masë më të lartë se Shqipëria.

Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj kërkoi që ky propozim të përfshihej në paketën fiskale dhe jo në këtë ligj.

I të njëjtit mendim me ministrin Ahmetaj, ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se propozimi i Erion Braçes të përfshihet në paketën fiskale dhe jo në këtë ligj.

Ligji për mbylljen e basteve dhe kazinove pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. /o.l/./a.g/

Burimi: http://ata.gov.al/2018/10/25/kuvendi-miraton-mbylljen-e-basteve-dhe-kazinove-ne-31-dhjetor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *