Roskovec/ Organizohet aktiviteti “Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore dhe Produkteve Lokale”

Tradita

Bima e ullirit, simbol i jetës si dhe restaurimi i Kishës 700-vjeçare “Shën Kolli” në Kurjan, kanë bërë bashkë diplomatë, politikanë dhe banorë të bashkisë Roskovec.

Me iniciativën e kryetares së bashkisë, Majlinda Bufi, bashkia Roskovec dhe Këndi i BE-së realizoi aktivitetin me tematikë “Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore dhe Produkteve Lokale” në kuadër të “Festës së Ullirit” në ambientet e kishës “Shën Kolli”, Kurjan.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, Tiranë Stefano Cominelli; ambasadorja e Sllovenisë në Shqipëri Lea Stančič, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Vicente Canelles, Deputetja e Fier-it Antoneta Dhima, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore Bekim Murati, përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, përfaqësues të projekteve të ndryshme të cilat zbatohen në bashkinë e Roskovecit.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i restaurimit të Kishës 700-vjeçare “Shën Kolli”, Kurjan, e cila është një objekt fetar i i rëndësishëm i zonës dhe gjithashtu i historisë së Shqipërisë.

 

Së bashku me promovimin e këtij vendi të rëndësishëm fetar, kultivimi i ullirit, si një simbol i jetës dhe i paqes ishte një tjetër objektiv i këtij aktiviteti.

Zona e Kurjanit është e njohur për rritje të bimës së ullirit dhe prandaj bashkia Roskovec me qëllim promovimin e ullinjve, si një nga vlerat më të rralla të kësaj zone, organizon për herën e tretë “Festën e Ullirit”, si një ngjarje e rëndësishme lokale dhe është e angazhuar plotësisht për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e vlerave natyrore dhe trashëgimisë kulturore dhe për t’i kthyer këto burime në një burim të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit.

Festa ishte e mbushur me aktivitete të ndryshme si: Komedia teatrale “Vëllazëri me Interes” nga aktorët e teatrit “Bylis”, Fier; panairi me produktet vendase; ekspozita me aktivitete për Bashkimin Europian të realizuara nga Këndi i BE- Roskovec; promovimi i produkteve të realizuara nga projekti “Sapuni Organik Roskovec” i realizuar me mbështetjen e projektit ReLoAD të financuar nga Bashkimi Europian dhe ekspozita fotografike e realizuar nga projektit “Rini- Art- Aktivizëm”; prezantimi i projektit “Zhvillimi i Fshatit Luar” në kuadër të Programit “100 fshatrat”.

Aktiviteti u mbyll nën tingujt e zërit melodioz të këngëtares Rovena Dilo.

/e.caushi/

 

Burimi: http://ata.gov.al/2018/10/26/roskovec-organizohet-aktiviteti-ruajtja-e-trashegimise-kulturore-dhe-produkteve-lokale/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *