“Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”- një film midis fiksionit dhe historisë! – Nga Arben VELO

Histori

 

“Sipas kujtimeve të professor Aleks Buda e Viktor Stratobërdha”

65 vite më parë, më 28 Nëntor 1953, ditën e 41-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë, do të shfaqej paralelisht në kinematë e Tiranës dhe Moskës një film midis fiksionit dhe historisë; një bashkëpunim i frutshëm i “MOSFILMIT” dhe Kinostudios “SHQIPËRIA E RE”. Bëhet fjalë për filmin epope “Skëndërbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, ose siç njihet nga të gjithë “Skënderbeu”.
Sot ndërsa ndjekim skenat madhështore të krijuara nga regjia e Sergei Josifoviç Jutkeviç, nuk mund të mos magjepsemi nga këto skena e sidomos nga bashkëshoqërimi muzikor, muzikë që është kthyer në një emblemë kombëtare sipas thënies së profesor Pëllumb Xhufi.
Por si u realizua kjo kryevepër kinematografike sovjeto-shqiptare? Veç mjaft dokumenteve të nxjerra në dritë lidhur me kujtimet e faktet, tashmë historike të realizimit të këtij filmi, na vijnë në ndihmë edhe kujtime të dy prej protagonistëve kryesorë të aventurës filmike, që u kthye në një nga filmat më të shikueshëm dhe më të pëlqyer në historinë e filmit shqiptar. Ata janë Viktor Stratobërdha, i lindur në vitin 1925 në Korçë dhe vdekur, pas kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimeve në Kanadanë e largët në vitin 2000 si dhe kujtimet e profesor Aleks Budës, që së bashku me Anatoli Miler do të ishin dhe konsulentët për çështjet historike në filmin për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Këto kujtime zbardhen për herë të parë nga profesor i Universitetit të Tiranës Marin Haxhimihali, nipi i profesor Aleks Taqi Buda: “Në arkivin e familjes Buda ekziston një material i daktilografuar, hartuar nga Viktor Stratobërdha, të cilit unë i jam referuar”, pohon profesor Haxhimihali.
Por si zhvillohet historia e filmit?
Në kujtimet e shkruara nga profesor Aleks Buda thuhet se “skenari iu ngarkua njërit prej skenaristëve sovjetikë më në zë të kohës të quajturit Mihail Papava, i cili ka lindur në vitin 1906 dhe ka vdekur më 1975. Papava ishte një intelektual i shquar, skenarist, gazetar dhe kritik arti që kishte kryer dy fakultete; Histori Filologji në Universitetin ‘Lomonosov’ dhe’ në vitin 1938, ai mbaronte edhe Fakultetin e kineastëve, ndërsa është laureuar me çmimin “Stalin” të shkallës së parë në vitin 1950. Buda u ngarkua nga pala shqiptare që të bashkëpunonte me skenaristin rus si konsulent mbi historinë.


Vizitën e parë në Shqipëri, skenaristi rus, Papava, do ta kryente në muajin prill të vitit 1949. Për më shumë se dy muaj, ai do të shëtiste nëpër Shqipëri i shoqëruar nga Aleks Buda. Së bashku ata vizituan Tiranën, Krujën, Lezhën, Beratin dhe kudo ku kishte gjurmë të Skënderbeut. “Ka shkrime dhe kujtime në fondin arkivor Buda ku ky i fundit kujton se skenaristi rus interesohej sidomos për legjendat që lidheshin me heroin shqiptar, forcën e tij të madhe, kalin që kapërcente malet, shpatën që thyente shkëmbinjtë e nuk mund ta ngrinin dot dy burra etj”, thotë profesor Marini.
Por sipas shkrimeve dhe kujtimeve që ka mbajtur gjyshi, -shton ai,-Papavën më tepër e tërhiqnin gjërat e vërteta.
Thuajse në gjithë takimet shqiptarët e gjithë rangjeve i kërkonin skenaristit rus që ta përshkruante në mënyrën më legjendare Skënderbeun, gati-gati si një figurë mitologjike. Por nëse shikohet në film, skenaristi i ka përdorur këto mitologji vetëm në këngë që ai i vendosi në skenar si bashkëshoqëruese të filmit”!
Por si po pritej ky film në radhët e historiografisë shqiptare?
Kjo e fundit sapo kishte nisur një kthesë që përkonte me periudhën e pas kongresit të parë të PKSH, të vitit 1948, ku mbizotëronte fryma e egër ndaj klasave të përmbysura, me ç’rast përpiqeshin të denigronin figurën e Skënderbeut. Haxhimihali i referohet në këtë pikë profesor Kristo Frashërit: “Duke u kapur nga prapashtesa “Bej” që mbante emri Skënder i Heroit, pra Skënderbej, titull i cili në shekullin e XV, në të vërtet kishte kuptimin e gjeneralit-shkruan profesor Kristo Frashëri në: “Aleks Buda-Një jetë për Albanologjinë”, ata e trajtonin atë si një bej në kuptimin e pronarit çifligar, të cilët në ato vite goditeshin me egërsinë e xhunglës”!


-Përballë kësaj situate- kujton Haxhimihali- për të ndriçuar portretin e vërtetë historik të Skënderbeut, Aleks Buda mbajti një konferencë të posaçme në sallën e Teatrit Popullor me 17 janar 1949. Ndërsa lidhur me këtë konferencë profesor Kristo Frashëri do të shkruante “kjo nuk ishte një konferencë partiake, as shtetërore, por ishte e para konferencë në Shqipëri, me temë historike që mbahej vetëm nga një konferencier”!
Pikërisht në mes të kësaj situate në muajt e pranverës mbërriti në Shqipëri skenaristi rus. Ai përshkoi gati gjithë Shqipërinë ku bazoi më pas edhe pjesët e skenarit në natyrë ku dhe më pas u luajtën skenat e filmit. Kur ne ishim në Berat dhe po bisedonim për ngjarjet që u zhvilluan aty-kujton profesor Buda,-unë i tregova Papavës për Laonikun, historianin filozof me prejardhje greke në oborrin e Sulltanit. Ai u interesua shumë për këtë figurë dhe jo vetëm e futi në film, por krijoi edhe një skenë të veçantë ku përplaseshin mendimet e Skënderbeut me ato të Halkokondilit dhe ku nënvizohej qëndrimi i drejtë dhe largpamës i Skënderbeut për kohën e tij”!


Emri Laonik është emri i Nikolaos i ndryshuar me anë të metatezës duke ruajtur numrin e shkronjave dhe kuptimin etimologjik . Mbiemri njihet në 13 versione dhe i përket njërës prej familjeve më të shquara të Athinës. Ai është një nga njohësit më të mirë të literaturës greke dhe latine”- plotëson Marin Haxhimihali. Sipas këtij tëfundit kjo dëshmohet edhe nga humanisti Qirjaku i Ankonës, ai që jep edhe të dhëna të para për Apoloninë dhe Butrintin.
Ndonëse Papava i kishte kushtuar vëmendje prologut të skenarit, ai nuk mund ta bënte atë për sa kohë që unë nuk i kisha treguar atij me hollësi historinë e 9-vjeçarit Gjergj Kastriotit të marr peng nga turqit si shumë fëmijë të tjerë të fisnikëve shqiptarë”, shkruan Buda. Ne shkëmbyem mendime me Papavën ,vijon ai, ndërsa ishte mendimi i tij që filmi të niste në mënyrë të tillë. Skena është e njohur tashmë: Turqit marshojnë fitimtarë, kurse një grup fëmijësh ndër të cilët edhe Gjergji, u hedhin gurë nga sipër. E kapin Gjergjin dhe duan t`i presin kokën, por një grua e shpëton duke bërtitur: lëreni! Është djali i Gjonit, zotit të Krujës!

Skenaristi ka qënë në dilemë se si do të fuste në film figurën e teologut, ai ishte në dilemë se si do të reagonte publiku ndaj kësaj figure. Nëfund figura e teologut, Pal Ëngjëlli, edhe pse ishte figurë e fesë u fut në film si figurë pozitive. Edhe figura e mbretit Alfons të Napolit ngjalli diskutime. Papava propozoi që të mos zhvillohej linja e tij në dramaturgji, por ai të përmendej thjesht në tekst si replika midis heroit dhe bashkëpunëtorëve të vet.


Në muajin Janar të vitit 1950 Papava u largua nga Shqipëria me një material të bollshëm dhe me shumë opinione. Puna për filmin rifilloi sërish në muajin Mars të vitit 1951. Aleks Buda dhe Mihail Papava u takuan të dy në Moskë, ndërsa pas konsultimeve mes tyre skenari letrar u përfundua dhe shkoi për shqyrtim në komitetin për marrëdhënie artistike dhe kulturore me jashtë. Ky i fundit bëri një sërë vërejtjesh ndaj skenarit. Sipas këtij komiteti, në skenar mungonte koloriti shqiptar në përshkrimin e jetës në dialogje, Dafina e cila vendos të pajtohet me fisin e vrasësit të djalit, të mos ishte e pikëlluar, por krenare; Sulltani nga ana e vet, s`duhet t`i jap fermanin Skënderbeut, por ta provokonte atë me premtime se do t`i jepte tokat e të atit të vdekur. Kjo do të sqaronte raportet e Skënderbeut me Shqipërinë. Ndërkohë që kthimi i Skënderbeut në atdhe duhej të tregohej në film si një festë e madhe.
Dasma e Mamicës si skenë duhej të zëvendësohej me dasmën e Skënderbeut me ritet kombëtare, Laoniku duhej të hiqej nga skenari. Në rolin e Venedikut mungonte kryesorja, pengesa që ai sillte për bashkimin e Shqipërisë.
Lista e vërejtjeve vazhdonte me të tjera pika.
Skenaristit iu sugjerua gjithashtu që të shfrytëzohej letra e Skëndërbeut ku thotë se jemi pasardhës të atyre epirotëve që luftuan kundër romakëve dhe fituan. Në fund të skenarit kalimi nga mesjeta, në ditët e sotme, nuk ka vërtetësi.
Tafil Beu mëkëmbësi i Turqisë në Krujë të bëhet Hasan beu, emri Abaz në film të zëvendësohet me Todi. Në fakt në film ai u zëvendësua me Pali. Të merrej parasysh se në atë kohë nuk pihej duhan, nuk ekzistonte. Dhe së fundmi, Ballaban Pasha mbante feste dhe jo përkrenare, ndërsa emri Selina të jetë Dafina. Shumë nga këto vërejtje u morën parasysh. Prej vitit 1951 deri në vitin 1952 asgjë nuk u mësua mbi fatin e mëtejshëm të skenarit.


Të tjera dilema ka pësuar Viktor Stratobërdha. Atij iu komunikua se do të bashkëpunonte në të parin film shqiptar. Sipas shënimeve të Stratobërdhës, të cituara nga Marin Haxhimihali, Stratobërdha ka të fiksuar në shkrime edhe emocionet e regjisorit rus për peizazhet e Shqipërisë, sidomos edhe arkitektura e Krujës me rrugica të ngushta me kalldrëm guri dhe kalaja e Gjirokastrës. Njëkohësisht regjisori ishte mahnitur nga pasuria e kostumeve shqiptare. Jukeviç kishte këmbngulur që ato të shfrytëzoheshin maksimalisht, madje edhe në skenat masive të luftrave” shkruan Stratobërdha në faqen 4 të materialeve të daktilografuara në arkivin ‘Buda’.
Nuk kanë munguar sipas tij edhe notat komike! Në Berat rusëve iu është propozuar që si protagonist në rolin e Skënderbeut, të merrej një mësues vendas, sepse ai kishte hundë të madhe sitë shqiponjës, ç`ka në përfytyrimin e propozuesit i ofrohej shumë Skënderbeut. I vetmi emër aktori që ngjalli diskutime dhe mëdyshje te pala shqiptare ishte ai i balerinës Alibali. Ajo vinte nga filarmonia dhe kurrë nuk kishte luajtur në skenë, ndërsa i ishte besuar nga regjisori roli i Mamicës, kjo për shkak të tipareve të fytyrës. Periudha përgatitore zgjati nga muaji prill deri në qershor. Gjatë kësaj periudhe përfunduan skenari regjisorial, armët, kostumet ,etj. Pastaj nisën dhe provat me aktorët. Në muajin shtator nisën xhirimet në Krimenë e largët në BRSS, ndërsa pranverën e vitit tjetër, xhirimet u kryen nëShqipëri, ku u filmuan natyra e bukur dhe skenat me diell!


Si rezultat i kësaj pune intensive disavjeçare dhe bashkëpunimit të frytshëm professional, u arrit që të krijohet një vepër, e cila sikurse thotë profesor Aleks Buda në kujtimet e tij “e kënaqi ëndrrën e popullit për ta parë heroin e vet, ashtu sikurse e kanë kënduar në këngë e legjenda”! Ka ngelur si një histori e bukur nominimi i filmit për “Palmën e artë “ në Festivalin e Kanës, arena më prestigjioze e kinematografisë europiane. Filmi “Skënderbeu” u shfaq në sallat kryesore të Francës dhe në shumë vënde europiane. Regjisori Sergej Jutkeviç fitoi çmimin e parë për regjinë më të mirë, “Skënderbeu”, si film, fitoi çmimin e parë nga Komisioni Teknik i Kinemasë, aktori protagonist, Akaki Horava, skenaristi Mihail Papava, janë dekoruar me “Urdhërin e Klasit të Parë”, ndërsa me “Urdhërin e Punës të Klasit të Parë” u nderuan edhe pjestarët vendas të grupit realizues, Aleks Buda, Llazar Siliqi, Cesk Zadeja, Naim Frashëri, Besa Imami, Mihal Popi, Shemsi Tototzani dhe Viktor Stratobërdha. Edhe pas 65 viteve nga shfaqja për herë të parë filmi “Skëndërbeu” ruan ende suksesin befasues dhe të jashtëzakonshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *