Rrënjët e emrit Adë… – Nga Arben Velo

Histori

Madhështia e një populli nuk matet nga numri i banorëve, ashtu siç nuk matet madhështia e njeriut nga gjatësia e trupit të tij”- ka thënë Viktor Hygo. Këtë thënie më solli ndër mend përpjekja e një bashkëfshatarit tim, i cili nëpërmjet disa rreshtave të pabazuar askund, donte të kthente një fshat të vogël me tri gërma, në një vend të madh, me një popull me virtyte e tipare të mëdha dashurie dhe civilizimi. Sipas atij banorët dhe fshati janë përfaqsues fuqiplotë të atyre virtyteve që ekzistojnë në fjalorët shqip. Ata mishërojnë me një vendlindje tejet e bukur, ku mbizotëron besa, mikpritja dhe dashuria.

Çfarë po ndodh?
Virusi i mburrjes ‘alla shqiptare’ ka tjetërsuar jo vetëm relacionet tona të përditshme, por edhe historinë, prejardhjen, duke transmetuar te brezat e rinj të pavërteta të kthyera në norma historike, që kanë tjetërsuar dhe tjetërsojnë identitetet e vendlindjeve tona.
Mjafton të shkojmë nëpër mend se nëse pyet fëmijët e atij fshati dhe jo vetëm të atij fshati, lidhur me historikun e vendlindjes së tyre, etimiologjinë e emrit të fshatit, apo qytetit, figurat dhe emrat që i kanë dhënë trevës në fusha të ndryshme të zhvillimit të saj qoftë kulturor, historik, bujqësor, etj etj, do të dëgjosh përafërsisht një skemë të ngjashme përgjigje që sjell në tru deri edhe thartirë historike. Ose do të mbushesh me fjalë klishe që ajo “X” zonë ka nxjerrë trima dhe trimëresha të pushkës dhe të penës, do të dëgjosh emra të dëgjuar dhe kurrë emra që i kanë harruar me kinse historia e viteve të shkuara, ose do të ndeshesh me ngritje të sinqerta supesh.
Futja e lëndës së ndërmjetme “Të njohim vendlindjen” si tekst që ka për qëllim të mbush boshllëqet e dijes së fëmijëve për vendin e lindjes së tyre, ka sjellë një lloj përmirësimi që duhet vlerësuar. Por ngelemi te fjala duhet! Pse?
Pikësëpari kjo lëndë ka shumë nevojë të thjeshtëzohet, duke e trajtuar dhe sjellë historinë të pangarkuar dhe me një gjuhë shqipe që i përshtatet fëmijëve. Shumica e pjesëve të trajtuara në këtë lëndë është e bazuar në metodën e hartografisë, duke rënduar mësimnxënien me terma koordinatash gjeografike, duke iu kërkuar nxënësve të përcaktojnë nëpërmjet koordinatave se ku ndodhet qyteti, fshati i tyre. Edhe pse nxënësit nuk i kanë marrë ende njohuritë sidomos në klasën e pestë se cilat janë koordinatat gjeografike.


Po kështu ata nuk marrin asnjë njohuri lidhur me etimiologjinë e emrit që mban fshati, apo qyteti i tyre. Madje në tekst sipas asaj që unë kam lexuar, mungon deri dhe fare prejardhja e emrit që mban fshati apo qyteti i lindjes. Edhe hartat e ofruara, janë të padëshifrueshme. Në tekstin mësimor jepen shifra dhe statistika duke mos përmendur ose përmendur shumë pak vendbanimet e hershme, shumë pak Iliri. Kjo e ka kthyer dashurinë për të mësuar për vendlindjen, në një urrjetje fëmijësh për lëndën. Shkurt të njohim vendlindjen si tekst pa dashje, po e kthen dëshirën e fëmijëve për të mësuar për vendin ku ata kanë lindur dhe banojnë, në një mosdëshirë. Kjo sipas meje i lë shteg të hapur rrjedhjeve të legjendave rurale dhe thashethemeve , rrjedhje të cilat të panxënët e rritur, infektuar nga virusi i mburrjes, po i kthejnë përditë në histori.
Rreziku që historia të dështojë në misionin e vet qëndron pikërisht tek të pavërtetat që ajo mbështetet. Ndodh shpesh që na rrëmben pasioni dhe harrojmë të jemi të ftohtë në gjykim ndaj historisë. Një nga problemet që duhet të na shqetësojë është të mbrojmë duke thënë të vërtetën.

Do të doja shumë që fshati im të kishte histori të madhe dhe të pasur, emra lavdimtar që i kanë dhënë kombit nëpërmjet mendjes veprën e tyre; të ishte i mbushur me lapidarë, apo ku di unë. Thjesht të ishte fshati që duhej ta dinin si emër të gjithë, të rrezatonte dhe të ishte i shkruar madje në vepra studiusish historikë. Shkurt të ishte fshat i dëgjuar.
Edhe pse nuk ka ndodhur kështu, ai sërish jeton brenda meje, me një lloj historie të pashkruar ku gëlon jetë njërëzish të zakonshëm, që nëpërmjet të zakonshmes kanë krijuar po histori të zakonshme. Në atë fshat secili ka ndërtuar një strehëz , një jetë, një trashëgimi. Brenda çdo strehëze janë rritur breza, nga brezat kanë dalë inxhinierë, mësues, mjekë , veterinerë, teknikë ndërtimi e nafte, fermerë e agronomë. Nëse i pyet për vendlindjen sot këta breza të përgjigjen që janë lindur në një fshat i shpërngulur nga bunaca atje buzë një lumi me emër Vjosë, për shkak të vërshimit të lumit, dhe janë vendosur në një kodër përmbi një kanal uji Vjosë-Levan-Fier. Lum që ka një histori të dhimbshme, e kanë ndërtuar të burgosurit në kohën e diktaturës. Por nëse këmbngul se cila është prejardhja e emrit të fshatit të tyre, çfarë simbolizon ky emër, cili ka qënë shkaku pse është emërtuar kështu, sa është reflektuar te fëmijët e sotëm prejardhja e këtij emri dhe sa dijnë fëmijët e tyre për historinë e fshatit të tyre? Këtu gjërat ngecin. Ne jemi edukuar të mësojmë të ashtuquajturat histori të mëdha, dhe kemi harruar të mësojmë historinë e vendlindjeve tona, qofshin këto fshatra apo treva me popullsi të vogël.

Ada

Fshati im i lindjes quhet Adë! Fshati ka qënë i ndërtuar në deltën e lumit Vjosë, atje ku bashkohet derdhja e një përroi të quajtur Kalinorë, që mbledh ujrat e kodrave të Peshtanit dhe Frakullës, me një pjesë të ujrave të një dege të Vjosës, deltë e cila kishte marrë emrin Bunacë. Pas vërshimeve të Vjosës dhe përmbytjeve që pësonte fshati, banorët migruan në një tjetër tokë, këtë radhë në kodër. Dhe emrit të fshatit Adë i bashkangjitën për kujtim dhe respekt emrin që e morën nga delta e lumit Vjosë dhe e përjetësuan në atë kodër, vendbanimi i tyre i ri. E quajtën fshatin Adë Bunacë, duke ndërtuar qëndrën e re urbane, rreth 1 km larg deltës së lumit, përballë qëndrës së banimit të dikurshëm. “Dhe ata u ofruan u zgjuan dhe i thanë: “mësues, mësues, po mbytemi”!.. Dhe Ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit , dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë… Kështu thuhet te Bibla, ku Jezusi qetëson stuhinë, “Luka 8.24”.
Më pëlqen që pavarsisht besimit fetar që kanë banorët e këtij fshati, të përmend këtë thënie nga Bibla. Parafytyroj përmbytjen e banesave, njerëzit mes ujit, thirrmat për ndihmë, bërtitmat e bagëtive dhe lehjet e qëneve, të gjithë së bashku, mes frikës dhe pasigurisë notonin dhe largoheshin mes rrjedhave të ujit, larg shtëpive dhe pasurisë së tyre. Më duket se ka diçka pambarimisht të ngjashme midis të parëve të mi dhe bësimtarëve që i luteshin Krishtit për të shpëtuar nga mbytja. Dhe ata shpëtuan. Ndonjëherë kur shqiptoj emrin Bunacë ndër mend më vjen Buna e Shkodrës. Nuk e di pse e krijoj këtë lidhje ndoshta për shkakun se edhe në këtë zonë është një fshat me emrin Adë, por mbi të gjitha Bunaca më kujton vërshimin e Bunës, që duket sikur merr pjesëzën cë, pikërisht nga bëlbezimet “ncë cë cë” të njerzëve që bëjnë me gjuhën e trishtimit të tyre nëpër gojë, kur shikojnë vërshimet prej përbindshi të saj. Qofsha i gabuar..!
Një studius i pellazgjishtes, autori i disa librave për teorinë e tij, Lirim Muho, ma përforcoi këtë që shpreha më sipër.
Në faqen 518 të veprës “Ilirët dhe Iliria”, janë rreth 28 raste të përdorimit të emrave më rrënjë të fjalës Adë. Kjo shpjegohet edhe në fjalorin e emrave shqip me prejardhje Ilire. Sipas këtij fjalori ka një bashkësi emrash me rrënjën Adë që kanë prejardhje ilire

  • Adamat,-i nga një emër njeriu, ilir
  • Adan,-i nga një emër njeriu, ilir
  • Admet,-i nga një emër njeriu, ilir
  • Adomat,-i nga një emër njeriu, ilir
  • Agron,-i nga një emër njeriu, ilir
  • Aidan,-i nga një emër njeriu, ilir Ada mantis, Ada mnon Ad ianam, Adaquas, Adfushioma, Adherkules,Adlibras, Adriatiku,
  • Adserfules kjo e fundit do të thotë fortesë. Edhe vetë ndërtimi i fshatit në një kodër pas shpërnguljes, i ngjan një fortesë për tu mbrojtur nga përmbytjet.

Nga ana tjetër në fjalorin shqip të botuar në vitin 1964 janë rreth 27 raste fjalësh të paraqitura që kanë ndërtimin e tyre duke u bazuar dhe patur në themel, rrënjë, emrin Adë. Admiroj, Administrativ, Adjutant, Adaptoj, Admiral, Adverb, (në këtë rast ndajfolje) Adha(labçe) tani,etj
Ndërsa në fjalorin italisht-shqip të vitit 1986 janë rreth 100 raste kur fjala fillon me parafjalën ku fjala fillon mezanoren mes Ad që shkrihet në Al italisht

Ah sa do të doja që të lidhjaetimiologjinë e emrit të fshatit tim me prejardhje edhe nga emri Ad-am, Ad-onis, Ad-mirim,dë-borë (dhe i bardhë) e mbi të gjitha me fjalën dhe= vend= stacion ku qëndrojnë udhëtarë apo me mirë njerëz.
Ajo që këmbngul është se duke marrë parasysh gjithë këto raste për të cilat më ndihmoi profesor Lirim Muho, përqindjen më të madhe të prejardhjes së emrit Adë.-(ea) e merr rrjedhja nga një emër ilir.
Atdheu është toka e juaj, ku flitet gjuha që flet edhe ti, ku je i rrethuar me njerëzit që ndajnë historinë tënde… Atdhe është ajo tokë, të cilën shumë të tjerë në këtë botë nuk e kanë dhe do të jepnin çdo gjë për ta pasur atë.
Por natyrshëm lind pyetja se çfarë do të thotë emri Adë? Sipas të dhënave Adë merr kuptimet më të mira të emrit, kreativitetin, seriozitetin, gëzimin, dhe miqësinë.
Ky është efekti i nënndërgjegjeshëm që emri Adë ka tek njerëzit. Me fjalë të tjera, kjo është ajo që njerëzit e perceptojnë pa vetëdije kur dëgjojnë këtë fjalë. Pak a shumë kjo është edhe prejardhja e emrit të fshatit tim Emër i cili mund të studiohet edhe për burime të tjera prejardhjeje, duke pasur parasysh rrënjën e fjalës dhe ndikimin e huazimeve gjuhësore dhe shtresëzimeve të tyre në gjuhën shqipe.
Nuk e braktis atdheu njerinë, por njeriu atdheun ka thënë Bloku. Braktisja e atdheut vendlindjes, nuk është vetëm largimi fizik prej tij. Por është edhe largimi përditë nga pak, prej historisë së tij. Është të mësuarit e mangët nga fëmijët dhe brezi i ri. Nuk do të doja kurrë që të isha i pakënaqur dhe i palumtur me prejardhjen time! Në të vërtetë unë me këtë shkrim nuk doja të nxirja sa më përket ai fshat mua dhe gjithë atyre që kanë në çertifikatë lindje këtë emër me tre gërma. Unë u ndala në një vështrim mbi prejardhjen e emrit të këtij fshati. Gjithësekush prej nesh përkasim si banorë vendlindjes tonë me atë histori dhe vlerë që mbart, sepse kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit ka thënë Bjelinski i madh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *