“Turp t’ju vijë”, motra e vëllezër përplasen live për pasurinë

February 27, 2019

Konflikti në familjen Ruko nga Fieri u trajtua sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur”. Motër e vëlla kanë mbërritur në studio për të denoncuar mashtrimin dhe falsifikimet që motra tjetër ka bërë për të përfituar pa të drejtë banesën e prindërve të ndjerë. Pranuan ta ndihmonin që ajo të strehohej pas vdekjes së të shoqit tek prindërit, por ata thonë se ajo përfitoi dhe zaptoi pasurinë e përbashkët. Aktualisht janë duke u përballur në gjykatë, por mesa duket shpresa që e drejta të fitojë është e pakët.

Arta Ruko: Ma punoi pabesisht motra, unë rrija tek koka e prindërve. Ajo i mohoi të gjitha në gjyq, tha që është kujdesur vetëm ajo për prindërit

Mbesa në lidhje telefonike: Nuk keni turp motra e vëllezër keni përfunduar në tv

Ndërhyn Gëzimi daja: Flet ashtu ti, se ke marrë katër milion lekë

Mbesa: Atë shtëpi e kemi ndërtuar unë me nënë time dhe motrën dhe kemi marrë edhe gjyshin aty se ju nuk e donit

Tezja Arta: Po si ishin pa shtëpi këta prindërit e mi?

Fatmira Ruko përballet me motrën e vëllai: Mua më vdiq burri aksidentalisht dhe prej 42 vitesh jetova tek shtëpia e prindërve me dy vajzat e mia, kam punuar natë e ditë. Ato shtepi i ngrita në vitin ’95.

Arta Ruko: Mashtrime ke bërë ti, ke vajtur në Aluizën e ke hedhur shtëpinë në emrin tënd

Fatmira Ruko: Vëllai im e ka shitur tokën e tij dhe tani vjen duan të marrin pjesën time. T’ju vijë turp nga vetja. Unë kam larë nënë e babë, i kam mbajtur. Ju të dy nuk jeni kujtuar. Do vi vetë në studio nëse jam mirë me gjendje shëndetësore dhe t’i mësoni ju të vërtetat.

Gëzim Ruko: Motra jonë është e papërmbajtshme, flet çdo gjë që i vjen në mend. Të vërtetën e tregojnë dokumentet

HISTORIA E RRËFYER NGA ARTA RUKO
“Problemin e kam me korrupsionin e madh që bëhet në Shqipëri. Problemin e kam me Aluiznin e Fierit dhe hipoteken të dyja së bashku. Problemi im nis me tokën e përfituar nga ligji 7501, në komunën Strum, bashkia Rroskovec. Në vitin 1991, familja jonë përbëhej nga 4 anëtarë, unë, të ndjerit dy prindërit e mi dhe vëllai, kemi përfituar nga 4 dylym tokë për frymë dhe nuk e kemi ndarë akoma në individë. Po në këtë tokë ne kemi shtëpinë tonë të cilën i ndjeri babai im e ka vetëdeklaruar tek Aluizni që është banesa e tij dhe priste të merrte legalizimin e banesës.

Në vitin 2012 babai ndërron jetë dhe para një viti ndërron jetë dhe nëna. Brenda me babain tonë ne kishim lënë një motër që i ka vdekur burri po me trung familjar më vete dhe tokën e ka larg nesh. Meqënëse toka e saj ndodhet larg qendrës ne vendosëm që motra të ndërtonte një shtëpi në tokën tonë. Motra me mashtrimet dhe korrupsionin që është këtu në Shqipëri vete dhe banesën e vetë që ka në tokën tonë e kalon në emër të vajzës së saj dhe banesën e babait tonë e kalon në emër të vetë. Kur interesohem unë me vëllain që jemi në trung familjar për legalizimin e banesës marrim vesh që legalizimi kishte dalë në emër të motrës.

Kam debatuar me zyrën e Aluizmit dhe i them si i keni falsifikuar këto dokumenta, nuk më përgjigjej asnjëri. Kërkova takim me drejtorin e Aluiznit dhe sa pa dokumentacionin e bllokoi lejen e legalizimit. Por kam hapur dhe proces gjyqësor në gjykatën Administrative në Vlorë ku në seanca nuk paraqitet asnjë përfaqësues nga Aluizni. Jam shumë e stresuar si mund të kemi më besim kur drejtuesit me korrupsionin po na vrasin me pronat tona me njëri- tjetrin.
Edhe vajza e motrës ka ndërtuar në tokën e tyre të përbashket pasi ata i kane dhene leje nje banese. Motra ka abuzuar dhe tani pretendon se shtepinë e babait e ka ndërtuar vetë ajo me kontributin e vetë ndërkohë që kur janë paraqitur në gjyq ajo nuk ka paraqitur asnjë dokument për ta vërtetuar këtë gjë ndërsa Arta thotë se ajo shtëpi është ndërtuar nga i ati”.

(m.a/BalkanWeb)