INTERVISTA/ Armando Subashi flet për rikandidimin: Ja projektet e mandatit të dytë

April 14, 2019

Kryebashkiaku i Fierit tregon për Tema problemet dhe pikat e forta të tij në katër vjet drejtim si dhe objektivat e reja

Nga Feranda Cenko

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi është rikonfirmuar nga kryeministri Edi Rama për të kandidtuar sërish për një ndër bashkitë më të madhe të vendit. Në një intervistë për TamA Javore, Subashi ka treguar gjithë projektet që do të ketë si sfidë në katër vitet e ardhshme, nëse bashkia do të merret sërish nga ai.

Përveç infrastrukturës, Subashi premton një stadium të madh në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndërsa i takon “krizës politike”, Subashi mendon se është një situatë e krijuar artificialisht.

  • Zoti Subashi, Bashkia e Fierit është një ndër bashkitë e mëdha ne vend, po ashtu edhe problematikat janë më të shumta! Cilat janë problemet kryesore që duan zgjidhje të shpejtë?

Problemet kryesore që kërkojnë zgjidhje të shpejtë janë të gjitha problemet që lidhen me ofrimin e të gjitha shërbimeve qytetarëve siç janë. Edhe pse tingellojnë pak çuditshëm është ende një sfidë furnizimi me ujë të pijshëm. Sa i takon infrastrukturës në këto katër vite është bërë shumë, por ende punë ka për të bërë. Punë të madhe do të ketë edhe sa i takon sistemit kullues e vaditës i tokave bujqësore. Në katër vitet që do të vinë urgjente është çështja e shërbimit të pastrimit, gjelbërimit. Shërbimi urban mbetet një sfidë në këto vite.

  • Ju keni 4 vjet që drejtoni këtë Bashki, cilat janë sfidat në drejtimin e saj?

Sigurisht ka pasur sfida. Jam munduar të kthej në realitet të prekshëm shërbimet që meritojnë qytetarët e Fierit. Jam munduar të zgjidh problematikat e akumuluara dhe të evidentuara pas zbatimit të reformes territorial. Pothuaj kemi ofruar të njëjtën sasi e cilësi shërbimi në të gjithe territorin e Bashkisë Fier. Pra në një farë mënyrë kemi zbutur kontrastet që ekzistonin midis zonave rurale dhe atyre urbane.

  • Ju jeni komfirmuar sërish nga Partia juaj si kandidat për këtë bashki besoj gjithçka është bërë me konfirmimin tuaj?

Rikonfirmimi nga Partia Socialiste si kandidat për Bashkinë e Fierit është frut i një pune të madhe dhe bashkëpunimi i pandërprerë midis pushtetit qëndror dhe atij vendor. Patjetër që ky rikonfirmim sjell në vëmendjen time atë çka kemi ende për tu ofruar qytetarëve. Puna jonë nuk ndal këtu. Pa smbylljes së projekteve që kemi në zbatim, ajo çka duhet të presin qytetarët nga ne është shumë më shumë se kaq.

  • Çfarë është bërë për punësimin dhe shtresat në nevojë?

Bashkia pavarësisht se nuk e ka në kopetencat e saj punësimin, është përpjekur që në bashkëpunim me Zyrën rajonale të Punësimit, Dhomën e Tregëtisë, të nxisë punësimin e kësaj shtrese. Në përputhje me kopetencat e saj, Bashkia është përpjekur që të realizojë programe sociale për përmirësimin e jetesës së këtyre shtresave që kanë të bëjnë si me rehabilitimin e banesave, ndihmave ushqimore, shtesës së fondit të ndihmës ekonomike, etje.

  • Cilat janë projektet e reja për 4 vjeçarin tjetër?

Do ta vazhdojmë projektet e Rilindjes Urbane me qëllimin final zbutjen e kontrasteve midis zonave rurale dhe atyre urbane, dhe rritjen e ekonomisë e cilësisë e jetës së çdo qytetari. Shumë shpejt nis puna për ndërtimin e tregut të gjësë së gjallë dhe një thertoreje moderne me standard bashkëkohor. Do të vazhdojmë punën deri në rehabilitimin e plotë të gjithë sistemit ujitës e vaditës deri ne metrin e fundit të infrastrukturës kulluese e vaditëse. Në këtë katërvjeçarë objekt i punës është asfaltimi dhe sistemimi e të gjithë rrugëve rurale deri në zonat më të thella. Për mometin jemi duke punuar dhe shumë shpejt përfundon projekti i rrugës Hasturkas – bregdet që do i shtojë Fierit një tjetër destinacion të rëndësishëm turistik.

Brenda pak javësh do të nisë puna për ndërtimin e parkut të madh të qytetit në pyllin e Levanit ku bashkë me Spitalin e ri rajonal që synojmë të ndërtohet do t’i japin një tjetër hov zhillimit të qytetit. Me përfundimin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, e gjithë fusha aktuale e mbetjeve në Sheq do të pastrohet nga mbetjet e akumuluara prej vitesh dhe do të kthehet në një minipark. Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe FSHF do të mundësojmë ndërtimin e një stadium të ri me standard bashkëkohor. Janë edhe dy rrugë me prioritet është ajo Fier – Seman dhe Ardenicë – Shën Kozma. Do të investojmë në ujësjellësa derisa familja e fundit të furnizohet me ujë.

  • Ju jeni për zgjedhje lokale, por dikur keni kandiduar për zgjedhje të përgjithshme. Si e shihni situatën politike në vend?

Është situatë e krijuar artificialisht në të cilën të dëmtuarit e vetëm janë shqipëtarët dhe rruga e tyre e sigurt për në BE.

  • Si e shihni shtrirjen e fitores në keto zgjedhje?

Si një përgjigje e qartë e vullnetit të qytetarëve të Shqipërisë për transformimet rrënjësore të ndodhura në këto vite në të gjithë vendin. (TemA Javore)