Instalacioni që “nderon naftëtarët“ dhe “jep alarmin“ për Ajër, Tokë dhe Ujra të pastër

June 11, 2019

Ai është një artist që “fushë beteje“ ka skenën, është regjisori Milto Kutali, të cilin publiku fierak e ka ndjekur qindra herë në shfaqjet e tij në teatrin antik të Bylisit… së bashku me kolegun e tij, një tjetër artist, skulptori Arben Bajo, sapo kanë përfunduar në Fier projektin e tyre më të ri artistik…
Një regjisor, i cili ndërtoi konceptin mesazhor dhe një skulptor që e sendërtoi MESAZHIN: NDAL NDOTJES NE FIER! Vepra është një Instalacion i artit modern ku mbetje të industrisë së djeshme të naftës, një nga shkaktaret më problematike të ndotjes mjedisore në qarkun e Fierit, shndërrohen në gjetje artistike, në metafora të klithmës për Ajër, Tokë dhe Ujë të pastër – jetike për qytetarët e sotëm dhe brezat e ardhshëm.

„Të flasësh me gjuhën e artit dhe të japësh mesazhe për qytetarët edhe për ata që kanë marrë votën për të qeverisur qytetarët në nivel vendor“ – kjo ishte sfida jonë si artistë dhe si qytetarë, shprehet profesor Milto Kutali. Me sfidën si artistë ne ndeshemi përditë në punën tonë. Kur sfidën e artistit e vumë në dobi të një kauze qytetare, këtu nuk ishim vetëm. Së pari, gjetëm mbështetjen e madhe të Lëviz Albanias e cila na dha mundësinë të veprojmë përmes hapësirave inteligjente që krijon për përfshirjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë në iniciativa që synojnë demokratizimin e jetës së qytetarëve dhe pushtetit vendor… ne vepruam përmes Artit!

Së dyti, patëm mbështetjen e pushtetit vendor këtu në Fier. Nuk na pritën si artistë „të ardhur“. Na dhanë lejen e vendit ku do të vendoset instalacioni. Dhe, së fundi, jo për nga rëndësia, patëm mbështetjen e madhe të Albpetrolit, i cili na „dhuroi“ duke i shpëtuar nga asgjësimi një pjesë të mirë të elementeve që përbëjnë veprën… mbetje të industrisë së naftës… monumentale në vetvete për historinë e tyre, e cila është e lidhur para së gjithash me rininë dhe përpjekjet heroike të naftëtarëve… monumentale edhe për dramën në përmasa gjigante që ajo industri ka shkaktuar në mjedis… dhe në cilësinë e dëmtuar të jetës së qytetarëve të qarkut Fier, një nga më të ndoturit në vend.

Edhe pak ditë dhe Instalacioni do t’i shtohet veprave publike në hapësirë që gjenden kudo në Qytetin e Fierit.