Sfidat e Apolonisë, nga trajneri te rikthimi i tifozëve në stadium – Nga Bujar Rama

June 18, 2019

Drejtuesit e klubit fierak po përpiqen të bëjnë maksimumin për sezonin e ri dhe puna e tyre është e fokusuar në disa plane. Për sezonin 2019-2020 ka sfida interesante për klubin fierak, që vetë i ka deklaruar.

Trajneri i ri është ndër çështjet parësore për t’u zgjidhur, sepse prej saj varen disa çështje të tjera. Më pas janë organizimi i ri tek akademia e klubit dhe rikthimi i tifozëve në stadium.

TRAJNERI I RI – “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, por “ujërat” rrahin drejt asaj që “Panorama Sport” paralajmëroi përpara dy ditësh: Mërgjyshi në “pole position” për stolin. Është trajneri i fundit që e ka drejtuar Apoloninë në Superiore dhe një evidentues i mirë i talenteve të reja (kujtojmë veç të tjerëve Blerim Krasniqin dhe Myrto Uzunin). Duhet pritur data 20 e këtij muaji për të zbardhur gjithçka në lidhje me trajnerin e ri të Apolonisë, por gazeta mëson se pista e Artan Mërgjyshit është më e mundshmja.

AKADEMIA – Për të qenë korrekt me lexuesin tonë, kujtojmë se në kuadër të vitlindjes së 95- të të Apolonisë, nga klubi është premtuar se do të ketë një shtysë në të gjitha nivelet e futbollit fierak, duke nisur nga “baza”, moshat e akademisë. Sipas drejtorit të kësaj akademie, Bledar Borova, synohet të dyfishohen ekipet gati në të gjitha grup-moshat.

I njëjti deklarim vjen edhe nga kryetrajnerja e futbollit të femrave të akademisë, Alma Dizdari. Aktualisht, grup-moshat e djemve të akademisë kanë 8 ekipe në progresionin nga 7 deri në 19 vjeç, ndërsa futbolli i femrave (falas për çdo moshë), ka 4 ekipe të moshave 7-13 vjeç. Por ekipi i parë i Apolonisë mbetet sfida “kruciale” e klubit dhe këtu tifozët fierakë nuk pranojnë kompromis.

STADIUMI BOSH – Tjetër sfidë e Apolonisë në të gjitha nivelet: Rikthimi i tifozëve. Në ndeshjen Shkumbini-Luzi qenë rreth 500 tifozë në “Loni Papuçiu”, që duhen kërkuar “me lupë” që kur ka qenë për herë të fundit një numër i tillë në një ndeshje të Apolonisë.

Arsyeja? Tifozët fierakë e kanë humbur besimin me premtime të dështuara në kaq vite dhe vështirë se u rikthehet. Kjo është mbisfida e Apolonisë, më saktë, e krerëve të Apolonisë, në raportin premtimrealizim. Sepse tifozët janë të ndjeshëm dhe “lexojnë” me vëmendje çdo lëvizje në skuadër, çdo premtim – nëse është fakt, apo fasadë…

Bujar Rama