Fier, nisin punimet për investimin e kompanisë së mirënjohur koerano-jugore (Video)

July 12, 2019

Në Fier kanë nisur punimet për stabilimentin e kompanisë koreano-jugore “Yura Corporation” që do të prodhojë pjesë këmbimi për automjetet. Investimi i kompanisë pritet t’i japë një hov ekonomisë dhe zhvillimit në Fier por edhe në rang vendi.

I pranishëm në aktivitet, Kryeministri Edi Rama tha se në fazën e parë do të hapen 600 vende të reja pune, në fazën e dytë 1100 vende dhe në përfundim ky numër pritet të shkojë në 4 mijë të punësuar.

“600 vende të reja pune dhe në një fazë të dytë afro 1100. Suksesi i këtyre dy fazave të para të na çojë tek një fazë e tretë për të arritur në 4 mijë punonjës në rang vendi këtu në Shqipëri”.

Shqipëria është vendi i dytë në Europë pas Polonisë, ku kompania prestigjioze nga Koreja e Jugut zgjodhi të investojë.

“Ajo që më bën të ndihem i inkurajuar për faktin se e kemi hapur këtë sipar me një kompani vërtetë prestigjioze, është se Yura ka pasur një sërë zgjedhjesh për të investuar në Europë dhe mes këtyre ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni dhe një në Shqipëri. E dimë shumë mirë se kur flasim për Poloninë flasim për një ligë tjetër shtetesh të dala nga komunizmi por me një nivel zhvillimi dhe pranueshmërie të investimeve të huaja të pakrahasueshme në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri.

Nisjen e punimeve për stabilimentin e kompanisë, Rama e krahasoi me një shprehje koreano-jugore, për të treguar ishte një rrugë e vështirë për të arritur në destinacion.

“Mësova një shprehje koreane që mund të vlejë si ilustrim i gjithë kësaj përpjekje jo të lehtë për të arritur deri në momentin e nisjes së këtij investimi. Shprehja thotë “të kapësh me dorë një yll në qiell”. Ishte një rrugë jo e lehtë për të kaluar nga ëndrra tek realiteti”, theksoi kreu i qeverisë. /tvklan.al