Fierakja që fitoi Medaljen e Artë në Kinë si koleksioniste

Personazh

Nga Entela Resuli

Na është krijuar ideja që me koleksione merren burrat, ata kanë më shumë kohë, t’i kushtojnë këtij pasioni i cili po t’u ngjitë, vështirë të të shkëputet.

Por Djana Isufaj bën përjashtim. Ajo i përkushtuar filatelisë shqiptare për të cilën ka botuar një studim të rëndësishëm në këtë drejtim.

E lindur dhe rritur në Fier, Isufaj prej 26 vitesh jeton në Itali, por gjithmonë ka gërmuar në filatelinë dhe historinë e Shqipërisë duke krijuar kështu një bibliotekë të rëndësishme në shtëpinë e saj. Ky pasion i ka dhënë mundësi të udhëtoi në shumë vende të botës, duke përfaqësuar Shqipërinë dhe duke sjell prej andej dhe çmime të rëndësishme.

Më i fundit për Djanën ka qenë dy ditë më parë në Wuhan të Kinës ku ajo është nderuar me Medalje të Artë në Ekspozitën Botërore të Literaturës Filatelike që u zhvillua nga 11-17 Qershor.

Katalogu me të cilën ajo është përfaqësuar mban Pullat e Shqipërisë 1913-1944. Ky katalog deri në tani ka marr katër Medalje të Arta. Tre medaljet e tjera Katalogu i ka marrë në 2016 në Ekspozitën Ndërkombëtare Balkanfila që u zhvillua në Tiranë, në 2017, në Ekspozitën Botërore në Brazil dhe në Ekspozitën Ndërkombëtare në 2018 në Verona-Itali.

Në aktivitetin e fundit morën pjesë 80 vende të botës ku 49 shtete mbi të cilat edhe Shqipëria u prezantuan në klasën e literaturës. Nga 139 vepra që morën pjesë Shqipëria është në grupin e 13 shteteve që mori Medaljen e Artë. Djana Isufaj është ndier shumë e vlerësuar mas marrjes së kësaj medalje në Kinë dhe ka ndarë me ne kënaqësinë e këtij rezultati duke na treguar punën e këtyre viteve që i solli deri këtu.

“Rezultati që arrita në Tiranë tre vite më parë, kur mora Medaljen e Artë për koleksionin mbi Historinë Postare të Republikës Romane të 1849, më shtyu të thelloj edhe pasionin për literaturën filatelike dhe të historisë postare.

Në vitin 2016 botova një vëllim mbi gjurmët e Viteve të Shenjta (Sulle orme degli Anni Santi – pellegrinaggi di fede attraverso i francobolli) të përshkruar nëpërmjet pullave. Ky vëllim, me 160 faqe, pati një sukses të madh saqë botimi në pak kohë u mbarua. Në 2017 një botim tjetër me argumentin e një prej ekselencave më të mëdha të Italisë: Made in Italy – I Vini D.O.C.G. me 260 faqe me përshkrim të kuruar dhe të detajuar për të gjitha tipologjitë e verave duke i venë në pah nëpërmjet përdorimit të pullave të emetuara nga Italia.

Në 2018 deri nga fillimi i 2019 desha të thelloj dhe të zgjeroj së bashku me bashkëshortin tim, Katalogun e Specializuar të Pullave të Shqipërisë 1913-1944.

Falë bashkëpunimit të të gjithë miqve koleksionistë të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë e zgjeruam katalogun e mëparshëm me një kapitull të ri mbi katalogimin e kartave letër, zarfeve dhe kartave postare. Katalogu është prezantuar në Ekspozitat Botërore të zhvilluara në Shqipëri, në Brazil, në Itali dhe në Kinë.

Medalja e Kinës është një certifikim i rëndësishëm për mua pasi, Shqipëria për herë të parë merr një vlerësim maksimal botëror në një ekspozitë të organizuar nga Federata Internacionale e Filatelisë (Fédération Internationale de Philatélie)”- tregon Isufaj.

-Zonja Djana, një grua koleksioniste! Na ndodh rrallë, përgjithësisht shohim burra që koleksionojnë, si jeni gjendur në këtë terren?

Edhe pse imazhi ose figura më frekuente e koleksionistëve të pullave në vendin tonë është e prezantuar vetëm nga burrat, në Itali ky mentalitet nuk ekziston prandaj nuk jam ndodhur ndonjëherë ngushtë në këtë rol. Aktiviteti im në koleksion lind nga studimi i thelluar e Historisë së Shtetit Papnor që u gërshetua me atë të Luftës së Parë për Autonomi të Italisë.

-Kur keni filluar të koleksiononi dhe cilat kanë qenë grumbullimet e para?

Si koleksioniste në përgjithësi nisa të grumbulloj Pulla me imazhe të veprave të artit dhe në veçanti edhe të sektorit arkeologjik të emetuara nga Postat Shqiptare dhe Italiane. Më vonë nisa të koleksionoj dokumenta të periudhës nga shekulli i XVI deri në XIX. Në periudhën e fundit, nga 15 vjet e deri më sot i jam dedikuar koleksionimit të dokumenteve të Historisë Postare relativisht të Republikës Romane 1849.

-Zonja Djana, a është kthyer në ‘ves’ koleksionimi tek ju?

Vesi nuk është koleksionimi, por është vazhdimi për të thelluar studimet e tua gjithmonë në kërkim të informacioneve dhe të dokumenteve të reja.

-Nga ana tjetër, kërkon të jesh mirë nga ana ekonomike, pasi duhet të blesh. Shpesh koleksionistët janë njerëzit e pasur, është ky rasti juaj?

Unë nuk jam e pasur. Lashë qytetin tim të lindjes Fierin dhe erdha në Itali në gusht të vitit 1993, ndoqa studimet në Pontificia Università Lateranense (Vatikan) dhe mora Doktoratën në Shkencat Fetare me Specializim në Pedagogji dhe Didaktikë. Megjithatë puna që bëj prej 15 vitesh, si Profesoreshë në Shkollat Publike (Ministria e Arsimit) dhe në Universitet për Kurset pasuniversitare për formimin e Profesorëve të rinj, për sa i përket Legjislacionit të Shkollës dhe sidomos anës Pedagogjike dhe didktike pranë Vikariatit të Romës (Vatikan), më japin më lehtë mundësinë për të blerë edhe materialet që koleksionoj.

-Jetoni prej vitesh në Itali, jeni rritur intelektualisht atje, jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar?

Diskriminimi ekziston në çdo vend të botës. Personalisht nuk më ka prekur ndonjëherë. Italia është një vend ku unë jam ndjerë gjithmonë shumë mirë.

-E ndani pasionin tuaj të koleksionit me miqtë e huaj?

Jam anëtare e shumë shoqatave që më japin mundësinë të ndaj këtë pasion me shumë koleksionistë të tjerë jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri.

-Ju jeni edhe autore e një libri mbi historinë postare të Shqipërisë nga viti 1913 deri në 1944. Si erdhi realizimi i këtij libri dhe sa kohë keni punuar për të?

Jam bashkautore me Francesco Maria Amato dhe të dy jemi anëtarë të Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë (Tiranë). Libri është fryt i një pune prej katër vitesh dhe është realizuar për t’i dhënë koleksionimit shqiptar një vëllim të specializuar mbi pullat e tij të emetuara në periudhën klasike. Mungonte një punë e tillë dhe për këtë jemi të nderuar që Juria Ndërkombëtare e vlerësuar me medaljen e Artë. Për librin, që është shkruar në gjuhën shqipe kanë bashkëpunuar koleksionistë të ndryshëm shqiptarë duke vënë në dispozicion koleksionet e tyre.

-Çfarë keni zbuluar gjatë punës suaj dhe çfarë gjejmë të veçantë në të?

Libri trajton të gjitha Pullat e emetuara nga viti 1913 deri në 1944, duke analizuar në mënyrë të veçantë të gjitha falset dhe varietet. Çdo pullë është e shoqëruar nga imazhi dhe vlera komerciale, fryt i një analize e vëmendshme e merkatit të sotëm. Libri kompletohet me shënime të thella jo vetëm historike por edhe historike Postare që lidhin emetimin e pullave me evenimentin e jetuar. Libri është i disponueshëm edhe në versionin e-book jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në italisht.

-Zonja Djana, si e shikoni filatelinë në të ardhmen?

Në kohën moderne filatelia po jeton momente pak të vështira. Megjithatë, në sajë të mundësisë që kam me mësimdhënien, kam disa vite që jam Referente e Projektit “Filatelia dhe Shkolla”, në të cilin pulla është bërë një element didaktik për të gjitha lëndët. Çdo vit marrin pjesë në projekt 300 nxënës dhe 25 docent dhe shumë shoqata që furnizojnë më materiale filatelike. Jam më se e qartë që të mbjellësh tek të rinjtë kulturën filatelike do të rriten në të ardhmen breza të rinj koleksionistësh.

-Cila është lidhja juaj me qytetin e Fierit?

Lidhja që kam me qytetin tim ka qenë gjithmonë e fortë dhe me respekt reciprok, deri në atë pikë sa që në maj të vitit 2014 më është dhënë titulli Albanian Excellence – “Fieri Histori Suksesi”.

-A vini shpesh në Shqipëri?

Minimumi një herë në vit.

 

Burimi: http://www.gazetadita.al/fierakja-qe-fitoi-medaljen-e-arte-ne-kine-si-koleksioniste/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *