Apolonia, kapiteni Hysenshahaj analizon situatën: Ja çfarë na duhet për Superioren

July 27, 2019

Kapiteni i Apolonisë, Taulant Hysenshahaj, është një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, lojtar në kulmin e pjekurisë sportive.

Sezoni i kaluar ka qenë “maja” e karrierës së tij, jo pse “u gradua” kapiten, por qe edhe shënuesi më i mirë për Apoloninë. Është i vetmi futbollist nga aktualët, i cili do të luajë sezonin e shtatë radhazi me Apoloninë, me të cilën, që nga viti 2013, regjistron 9207 minuta në 117 ndeshje kampionat dhe 14 gola të shënuar (7 gjatë kampionatit të fundit).

“Kemi folur shpesh për të kaluarën, – e nis kapiteni i Apolonisë, – kemi bërë analizë të vazhdueshme, kohë e pas kohe. Me një fjali do të thosha që të gjithë kemi gabuar në të shkuarën dhe të gjithë kemi pjesën tonë të fajit, kush më shumë e kush më pak. Por e shkuara vlen veç për mësime, që besoj se i kemi nxjerrë”.

Hysenshahaj thotë gjithashtu se një nga pikat që e ka dëmtuar më shumë ekipin ka qenë euforia e pabazë në momente të caktuara, duke sjellë dhe oshilacione në rezultate dhe vijimësi. “Ndodhin këto në futboll, – vijon mesfushori i Apolonisë, – por nuk donim dhe nuk duhet të ndodhnin te ne. Kemi rënë pre e një adrenaline false momentale, që na ka dëmtuar shumë. Por, e ritheksoj, besoj se kemi nxënë prej gabimeve dhe nuk do të biem më në vetëkënaqësi të panevojshme”.

Për sezonin e ardhshëm, kapiteni fierak frenon deklaratat entuziaste, edhe pse është optimist për ndërtimin e një skuadre kompetitive. “Është ende herët të flasim për këtë gjë. Ekipi nuk ka as dy javë që ka nisur fazën përgatitore; janë larguar shumë futbollistë nga sezoni i kaluar dhe duhen përforcime. Jo thjesht plotësim organike, por emra më cilësorë, nëse duhet të pretendojmë për objektiva madhore. Hapi i parë pozitiv është bërë me ardhjen e trajnerit Mërgjyshi, por skuadrës i duhen edhe lojtarë. Gjithsesi, shoh që në çdo drejtim të gjithë faktorët e klubit po punojnë seriozisht për një ekip me objektiva të qarta për Superligën. Kur të plotësohet ekipi mund të flasim më tepër për atë që mund të arrijmë. Përbërja e një skuadre është vendimtare për objektivat. Jam optimist se do të kemi ekipin që duam, por të shohim, pasi jo gjithçka është në dorën tonë”, përfundon kapiteni i Apolonisë, Taulant Hysenshahaj

BUJAR RAMA

BURIMI: http://www.panorama.com.al/sport/apolonia-kapiteni-hysenshahaj-analizon-situaten-ja-cfare-na-duhet-per-superioren/