Renato Mekolli zbulon planin sekret: Këtë sezon bëhet nami, surprizat dhe bashkëpunimi me Gaz Pajën

Personazh

KLOTILDA HARKA/ Një shef kuzhine që erdhi me medalje e kupa nga Greqia, për t’u shndërruar në një showman që thyen gjithçka i del para në ekran, sepse tashmë drejton “Kuzhinën e djallit” dhe gjithçka mund të ndodhë. Për surprizat e sezonit të dytë, situatat reale me VIPat si shef kuzhine në restorantin e tij, Renato Mekolli flet pa doreza në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Po përgatitesh serish per “Hell’s kitchen”, “Kuzhinën e ferrit apo të djallit”. Ç’janë këto ndryshime që ke njoftuar, faktin që këtë edicion do të kesh një bionde e një brune në krah?

Në mendjen time kam nisur të përgatitem për “Hell’s Kitchen”, që kur mbaroi edicioni i parë. E dua shumë këtë format dhe pas zhurmës dhe suksesit që shënoi herën e parë, tani e dua edhe më shumë. Dhe a e dini pse? Sepse do ta sjellim krejt ndryshe këtë herë, me të gjithë elementet që kërkon ky reality show e kjo garë e fortë. Investimet që “Top Channel” po bën këtë vit janë shumë të mëdha, çka do të thotë se do të kemi një kuzhinë krejtësisht të re, një shtëpi të madhe e të bukur për konkurrentët, do të kemi një autore të re, e njohur tashmë për projektet e mëdha televizive që ka drejtuar, Zefina Hasanin, me të cilën po takohemi pothuajse çdo ditë për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur e diskutuar mbi gjithçka.

Do të kemi, siç e përmendet dhe ju, edhe një bionde dhe një brune, shumë po shumë fare interesante, që do të jenë krah meje, pra, krah “djallit”, për të më zbutur dot ose jo. Mos më pyesni se kush janë ato, sepse tani nuk jua zbuloj dot.

Ende pa filluar show, kanë nisur lajmet me tituj të tipit që këtë sezon do bëhet nami. Për çfarë bëhet fjalë?

Epo me gjithë këto ndryshime që ju thashë, nami do të bëhet që ç’ke me të! Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, me çfarë ka ndodhur në edicionin e parë… ju nuk keni parë gjë akomaaaa.

Meqenëse ky show ka një emër të tillë, sa është e mundur që konkurrentët t’i bëjnë magji njeri-tjetrit në gatimet e tyre?

Magji?! Duke pasur “djallin” mbi kokë, askush s’guxon të bëjë asgjë aty. Magjia e vetme që funksionon aty është që të gjithë bashkë të marrosim publikun që ta shohë deri në fund, në çdo episod “Hell’s Kitchen Albania 2”. Por ju siguroj që s’do kemi nevojë të bëjmë hiç magji, sepse tashmë të gjithë e duan dhe mezi po e presin edicionin e dytë.

Je njohur me konkurrentët në audicione dhe çfarë të bën përshtypje këtë herë?

Jam shumë i lumtur që numri i aplikimeve është shumë i madh e që kanë aplikuar jo vetëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por dhe nga vende të largëta si Amerika, Finlanda, Franca, Gjermania e sigurisht edhe nga Italia e Greqia. I falënderoj të gjithë dhe u uroj të arrijnë të kalojnë fazën e audicioneve, që do të fillojnë nga data 20-21-22 gusht te “Piramida”, për të vijuar edhe në ditë të tjera derisa të zgjedhim më të mirët. Dua t’u them të gjithëve se pavarësisht audicioneve, aplikimet do të vazhdojnë të jenë të hapura në faqen zyrtare.

Ndodh që ndonjë prej tyre ta shohësh me sy tjetër dhe të dashurohesh, pse jo?

Nëse dikush arrin të ma tërheqë vëmendjen me aftësitë, talentin e dëshirën që ka për të punuar në kuzhinë ashtu si duhet, sigurisht që unë do ta shoh me sy tjetër. Por në “Hell’s kitchen” fiton më shumë ai që arrin të bëjë publikun ta shohë paksa ndryshe e të dashurohet pas tij. E që të bësh masën për vetë në “Hell’s Kitchen”, duhet jo vetëm të gatuash shumë mirë, por dhe të jesh një karakter simpatik, luftarak, elegant, pra, një lojtar i fortë edhe për pjesën e reality show-t.

Ti ke dublantin tënd në ekran, Gaz Pajën në “Portokalli”. Si e komenton imitimin e tij, a ka raste që thua: Këtu e teproi!

E teproi? Aspak. Gazi bën punën si aktor dhe është perfekt në atë që bën. Përkundrazi, unë i them faleminderit dhe kam qeshur pa fund. Dhe këtë sezon do të këtë akoma më shumë surpriza nga Gazi, pasi do të bashkëpunojmë të dy.

Shumë diskutime bëhen nëse ti je po aq nevrik realisht apo luan rolin. Në të vërtetë, ka ndonjë dëshmitar VIP që ka parë me sytë e tij përplasjet e enëve të kuzhinës prej teje?

Në punën time jam shumë kërkues dhe nuk jam aspak tolerant, pasi disiplina për mua në punë është çdo gjë. Patjetër që në jetën time personale jam komplet ndryshe. Por në çdo gjë që unë marr përsipër, do ta mbështes me mish e me shpirt dhe do t’i jap suksesin që i meriton. Nuk marr diçka përsipër nëse nuk bëhem njësh me formatin dhe me atë që kërkon formati. Për sa u përket personave VIP që mund të kenë qenë prezent në shpërthimet e mia ne restorant (që çdo herë janë më të drejtë, me arsye dhe me vend) , kanë disa që kanë qenë, patjetër. Zonja Vjollca Hoxha ndërkohë që drekonte, nga kuzhina dëgjohet zëri i tmerrshëm i shefit. Por, edhe Alketa Vejsiu, Ervin Kurti etj. Në kuzhinë ka tension, ka presion, duhet çdo gjë të dalë në orën e duhur, e testuar dhe me detaje. Këto të çojnë që të reagosh në moment për atë çfarë po ndodh.

Për cilin personazh do të çoheshe në mes të natës për t’i gatuar një pjatë?

Për Vera Grabocken. E dua fort, kam shumë respekt.

Një darkë afrodiziake, kujt çifti VIP do t’ia sugjeroje?

Besit dhe Xhensilës. Edhe pse kur vijnë në restorant, janë te mishi. (Qesh)

Në dasmën tënde, si mund të ishte menyja që të ftuarit ta mbanin mend gjatë?

Patjetër që do të kishte produktet më të veçanta, detajet më të bukura, shije delikate.

Për ty, cila mund të ishte darka dhe gatimet që i ngjasojnë ferrit dhe parajsës?

Darka e ferrit do kishte patjetër një sallate më frut dragoi, mish të egër të pjekur, si dhe një ëmbëlsirë me çokollatë pikante dhe me konjak flambé. Ndërsa darka e parajsës do të ishte supë me articok Jeruzalem dhe karkaleca tartarë. Për pjatë kryesore, një peshk kovac ose siç quhet ndryshe Sanpiedro ose Zeus Faber. Dhe për ëmbëlsirë, çokollatën më të veçante për momentin “creme ruby”.

Me aq sa je ne dijeni, cili prej politikanëve mendon se jeton si mbret sa i përket gatimit e kuzhinës?

As që nuk më intereson aspak për politikanët e Shqipërisë se si hanë dhe nëse hanë si mbretër apo jo, më intereson dhe më dhemb politika e së ardhmes për vendin tim. Më intereson e ardhmja e këtij vendi, rinia që nuk është e lumtur, rinia që po largohet dita-ditës nga ky vend. Më intereson mosha e tretë që merr 20,000 lekë pension në muaj dhe ndërkohë duhet të paguajnë ilaçe, drita, ujë, gëzime dhe hidhërime. Lind pyetja, këta njerëz me çfarë do t’i paguajne? Me çfarë do hanë e do pijnë? Dhe ndërkohë, gjyshja ime dhe çdo gjyshe gëzohet se i bëhet ngritje pensioni 200 lekë. Seriozisht?! Kjo gjë mua personalisht nuk më bën të lumtur!

Një shef kuzhine që shndërrohet në showmanin më të përfolur në Tiranë. Si ka qenë jeta jote mes famës këto vite në kryeqytet dhe kur ka ndodhur që ke menduar largimin dhe pse?

Jeta ime këto vite në Tiranë ka qenë shumë krijuese. Përsa i përket largimit tim nga Shqipëria, nuk ndihem gati të flas për këtë pjesë.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS: http://www.panorama.com.al/renato-mekolli-zbulon-planin-sekret-kete-sezon-behet-nami-ne-kuzhinen-e-djallit-surprizat-dhe-bashkepunimi-me-gaz-pajen/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *