Merkato në Francë e Kroaci, fierakët me përforcime në mbrojtje dhe mesfushë – Nga Bujar Rama

August 11, 2019

Miqësorja e tretë e fierakëve është zhvilluar në Gjirokastër, me Luftëtarin e Superligës. Ka qenë një ndeshje me shumë interes për trajnerin Artan Mërgjyshi, për të parë dhe vlerësuar gjendjen e lojtarëve të tij, sidomos prezencën e parë të 3 afrikanëve dhe të Branicës, të cilët vetëm një ditë më parë kishin ardhur në Fier.

Rezultati nuk përputhet me lojën e zhvilluar në fushë, ku Apolonia ka dominuar, ka luajtur më mirë dhe ka krijuar më shumë raste, por nuk ka finalizuar dot. Goli i pësuar që vendosi fatin e këtij takimi ka qenë veç një episod shpërqendrimi i mbrojtjes fierake. Trajneri Mërgjyshi ka aktivizuar thuajse të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion, duke u fokusuar sidomos te tre afrikanët, por edhe te të rinjtë e tjerë që janë në provë prej disa ditësh, si: Kasmollari, Borakaj, Lalaj, Gropa apo edhe Ymeraj.

Relativisht i kënaqur me lojën e ekipit të tij dhe i shqetësuar për prapavijën dhe pjesën finalizuese të sulmit, kryepankina e Apolonisë ka marrë edhe vendimin e parë pas këtij testimi: mbrojtësi i majtë, Abraham Xhon Ekeleme, nuk ka bindur dhe do të kthehet pas, edhe pse 19-vjeçari nigerian të enjten erdhi në Fier dhe të premten luajti… Dy të tjerët, kamerunasi Elat dhe nigeriani Etudaije do të vijojnë testimet edhe për disa ditë.

MERKATO

Merkatoja vazhdon te fierakët. Në pritje të ekuadorianit 23-vjeçar, të cilit i është paguar edhe bileta për në Shqipëri, kësaj jave pritet të vijë në Fier edhe një qendërmbrojtës francez, 24 vjeç, si edhe dy kroatë për mbrojtjen dhe mesfushën. Gjithë këto prurje, pa llogaritur shumë të rinj që vijnë e ikin përditë pas testimeve nga Apolonia, janë tregues i qartë i asaj që po bëhet për sezonin e ri dhe objektivin qendror.

MIQËSORET

Sa u përket miqësoreve, është menduar se ajo e radhës të luhet në Shijak me Erzenin, të shtunën e ardhshme, ndërsa më pas do të ketë edhe një tjetër me Orikumin në Fier. Pas këtyre miqësoreve pritet që skuadra bardhejeshile të ketë marrë formë.