Pesticide të ndaluara në treg/ Ikën methomyl, por po shitet helmi sunfire (Video)

August 13, 2019

Top Channel një vit më parë tregoi se si pesticidi i rrezikshëm methomyl tregtohej lirshëm në çdo farmaci bujqësore edhe pse insekticidi methomyl ishte i ndaluar për t’u përdorur nga fermerët.

Pavarësisht kësaj kontrandistët e helmit të rrezikshëm kalonin çdo kontroll të Ministrisë së Bujqësisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, dhe atij doganor. Lufta me methomyl-in u fitua; ai nuk përdoret më nga fermërët tanë.

Por e keqja nuk përfundon këtu. Sot një tjetër pesticid i rrezikshëm ka zëvendësuar methomyl-in, ai është sunfire.

Kjo shishe kushton 2 mijë lek të reja, ajo vret insektet e fruta-perimeve. Këtë insekticid të quajtur sunfire vendet e BE-së e kanë të ndaluar ta përdorin. Gjithashtu ai nuk është pjesë e listës së pmb-ve që ka Shqipëria. Kontrabandistët dhe farmacitë bujqësore të vendit tonë ndryshojnë emrat e helmeve vdekjeprurëse, por jo sjellje.

Gazetarja: Dua një ilaç për tudën absolute të domates.

Agronomi: Kemi një, por duhet përdorur me një ilaç tjetër.

Gazetarja: Shiko se unë dua një me emrin sunfire.

Agronomi: Po pra atë do të jap është në shishe ai dhe kushton pak

Gazetarja: Sa bën?

Agronomi: 20 mijë lek ( të vjetra)

Këtë ilaç e gjetëm pranë një farmacie bujqësore të qytetit të Lushnjës. Agronomi pasi e kuptoi që ne e xhiruam tregtimin e ilaçit të ndaluar, na përndoqi me makinë. Për këtë arsye grupi i xhirimit të Top-Channel u detyrua të thërriste policinë.

Tregtimi i paligjshëm dhe përdorimi i sunfire-it nga fermerët për të luftuar sëmundjet e frutave dhe perimeve, shkakton dëme serioze në shëndetin e konsumatorit.

Top Channel