Galaksia poetike e një mjeshtri të fjalës – Nga Mimoza Çobo

August 26, 2019

Duke bërë një analogji mes krijuesit poetik dhe kozmosit, ku nga gazrat dhe pluhuri kozmik, krijohen asteroidët, të cilët më pas, graviteti i bashkon për të formuar yjet dhe galaktikat, mund të thuhet, se galaksia e poetit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Vullnet Mato, është një nga formacionet yjore poetike më të ndritshme që kam njohur në rrugën time si krijuese.

Asteroidët e fjalëve, me të cilat, ky poet krijon poezitë e veta yjore, nuk bashkohen ashtu siç janë në gjendjen e tyre inerte,por si në punishten e një mjeshtri gurgdhendës, i cili me çekiçin dhe daltën e mendimit të tij, gdhend e laton, ide dhe krijon kolonada vargjesh metaforike, që shpesh të habisin e të lënë pa fjalë. Bukuria dhe forca tërheqëse e kësaj galaktike poetike, më ka bërë mua, ta ndjek krijimtarinë e Vullnet Matos, poezi pas poezie, me një kërshëri e dëshirë të madhe, për të përfituar sa më shumë nga përvoja e këtij mjeshtri të fjalës.

Është nder dhe privilegj për mua, të jem pjesë e këtij vëllimi poetik: “250 poezi pikante”, një vepër e rrallë dhe e veçantë në llojin e vet. Mund të shprehem, pa rezerva se kjo përmbledhje poetike ka në bërthamën e saj, problemet imediate të kohës dhe të shoqërisë shqiptare. Ndaj meriton vëmendjen e lexuesve e të shoqërisë, te krijuesve të vërtetë dhe të instancave shtetërore. Sepse ky autor nuk është vetëm një personalitet i rëndësishëm në fushën e artit të letërsisë shqipe, por edhe intelektual me shqetësime të ndjeshme, për prosperitetin e kombit, një njeri me vlera të veçanta që limfën e shpirtit ia ka falur njerëzimit dhe brezave.

Në poezitë e këtij poeti, çdo varg mbart një domethënie të fuqishme për të gjitha kohërat , mbart një histori njerëzore e shpirtërore, që kuptimin dhe solemnitetin e saj, e merr nëpërmjet himnizimit të figurës se heroit lirik, ku ai, si mjeshtër, na servir me profesionalizëm poezitë e tij magjepsëse. Kjo vihet re edhe në poezinë për nënën, ku nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë, por tepër emocionues e të realizuar mjeshtërisht në planin ideor, stilistik, neutral dhe transparent, ai hedh në poezi rrënjët e një mesazhi shumë të rëndësishëm për të gjitha kohërat:

Njeriu ka vetëm një nënë të pazëvendësueshme dhe dashuria universale e nënës, qëndron mbi të gjitha dashuritë. Në perlën poetike “Sot në festën e dashurisë” ka një ndërtim paksa të veçantë, ku shkrimtari Mato, duke u nisur nga ndjesia personale e kremtimit të festës së dashurisë, ka kaluar valë-valë, nga mendimin poetik metaforik, tek përgjithësimi i dashurisë, në figurën botërore të gruas, tek e cila përmblidhen elementet e shpirtit, trupit dhe pjellshmërisë. Duke e shkrirë atë dashuri të përberë, me të gjithë elementet e sistemit tonë diellor, për t’ia kushtuar ato, gruas që është simbolika e jetës në Tokë.

E gjithë poezia “Rrëshqitje e magjishme” është një rrëfim që turbullon dhe ndez ndjenjat e çdo shpirti njerëzor. Mato, si mjeshtër i penës, në këtë poezi hyjnizon dashurinë dhe mitizon bukurinë femërore, e cila qëndron në lartësitë superiore, me tërheqjen fizike e shpirtërore të saj. Ajo ngërthen shpirtin mashkullor, duke e bërë të rrëshqasë ëmbëlsisht drejt të fshehtave misterioze të universit të saj. Pikërisht kjo rrëshqitje i jep fuqinë njerëzore e hyjnore gruas, të bën t’i gjunjëzohesh asaj me ndjenjën më të lartë të respektit.

Vargjet e poezisë perlë “Velloja e nusërisë” përshkohen nga një notë e thellë trishtimi, duke përcjellë idenë, se nuset janë drama tipike e familjes shqiptare, ku personazhi kryesor, femra, gjendet mes situatash të mprehta, që dëshmojnë, se trupi i saj, nën vellon e nusërisë, është modeli i skllaves, që në sytë e botës, duket e lumtur, por në thellësi të shpirtit, qan fatin e saj tragjik. Këtu poeti lë të nënkuptohet, se martesa dhe gruaja në familjen shqiptare përpëliten ende në vorbullën e patriarkalizmit, pa gjetur qetësi shpirtërore.

Fabula e poezisë ”Po të isha kryeministër” është mishërim i revoltës së brendshme, e cila nuk mbetet brenda kuadrit individual, por merr përmasa të mëdha shoqërore. Tehu i mprehtë i penës së shkrimtarit Vullnet Mato, ashtu si përherë edhe në këtë poezi ka goditur me filozofi fenomene të ndryshme të politikes shqiptare. Duke theksuar se misioni i poetit, shkrihet me idealin e shpirtit të etshëm njerëzor, për të jetuar dhe gëzuar mirësitë e kësaj botë, jo si një turmë njerëzish që mbajnë mbi supe peshën e hidhur të varfërisë e të përbuzjes, por si qytetarë të lirë të një shoqërie demokratike.

Poezia “Pres të fillojë kënga e gjetheve” shquhet për indin artistik, mbi të cilin ky autor krijon poezi, që hedhin rrënjë në kujtesën e lexuesve. Jo pa qëllim e kam cilësuar atë, poet të magjishëm me shprehësi hyjnore, të cilat i shpërfaq mrekullisht nëpërmjet metaforave të fuqishme, të cilat në thelb mbartin një kumtim të rrallë filozofik.

Fabula e poezisë “Lindjet e njeriut të bukur” përqendrohet në raportin mes bukurisë së jashtme dhe bukurisë së brendshme, që karakterizon secilin prej nesh, gjatë ekzistencës në Tokë. Trajtimi i idesë se: Bukuria e brendshme është po aq e rëndësishme, sa bukuria e jashtme, që as mund të injorohet e as mund rrëshqasë para nesh pa u ndier. Kjo poezi përcjell mesazhe të rëndësishme për njerëzimin, me thëniet interesante në aspektin estetik dhe me brendinë e thelbit filozofik.

Në poezinë “Gjuha e zemrave”, del se është simbolika e dritës së zemrës, që ndriçon filizat e paqes, dashurisë dhe mirësisë, për të larguar errësirën nga thellësitë e shpirtit njerëzor. Në vargjet e saj theksohet, se ndijimi dhe praktikimi i gjuhës së zemrave, janë tipare përcjellëse te mesazhit hyjnor, për më shumë dashuri, qetësi dhe urtësi, të cilat i mungojnë njerëzimit dhe kohës sonë. Në poezi precipiton qartë ideja, se gjuha e zemrave është forcë dhe pushtet ndjenjash, për të ndryshuar të sotmen dhe për të ndërtuar të ardhmen e njerëzimit. Gjithçka në rrëfimin artistik, është shprehur me një potencial mendimesh e ndjenjash, ku zbulohet natyra poetike e njerëzore.

Motivi i dashurisë që trajtohet në poezinë ‘’Sorkadhja e vreshtave’’, ashtu si në shumicën e poezive lirike, nuk është vetëm një proces krijimi e frymëzimi, por dhe proces magjepsës i përtëritjes së shpirtit njerëzor, i ringjalljes së dridhmës mashkullore, që tronditet gjer në thellësi të qenies, duke filluar nga dehja e trurit e deri tek çdo fije ndijore, nga përndezja e trupit e deri tek pjekja e tij me shpuzën e dashurisë, që shkrin dy qenie njerëzore në një të vetme. Shkrirja me hyjnoren, magjinë dhe misterin që fle nën hirin e prushtë të ndjesisë së ëmbël e të vullnetshme për të vdekur nga drithërimat e Sorkadhes së vreshtave, nga vera e gjinjve të saj, që vdes e ngjall shpirtin,është një proces magjepsës, që mbart një dominante themelore, burimin e jetës njerëzore.

Në poezi disa metafora fitojnë konkretësi vizuale e kumtuese, ku nocioni, emocioni , abstragimi dhe konkretësia shkrihen në vetvete, që është mënyra më e mirë për të kuptuar artin poetik dhe për t’i dhënë poezisë përmasa filozofike, shije pikante, që tundon dhe mbërthen lexuesin me pushtetin e vet emocional. Dinamika dhe forca vepruese e shprehive figurative është e aq e drejtpërdrejtë, sa tek çdo strofe krijojnë një imazh piktorial. Kjo vihet re në vargjet ku Sorkadhja e vreshtave e verbon heroin lirik me vetëtima syri dhe ia rrëmben zemrën nga kraharori, për ta mbajtur përjetësisht në folenë e ngrohtë, me pupla, ku bulëzon sythi i dashurisë. Heroi i dashuruar Matoian, vërtitet rreth boshtit të dashurisë, siç vërtiten rreth saj shekujt dhe njerëzimi.

Natyrshmëria e të shprehurit metaforik, si tërësi universale, kapërcen kufijtë e së zakonshmes, drejt të pakufishmes, hyjnores, ku vetë fuqia për të dashuruar prodhon dashurinë. Përfundimisht, siç shkruhet edhe në historinë e letërsisë shqipe, “Shkrimtari Vullnet Mato ka në fokus të rrëfimeve të tij, raportet e njeriut me të kaluarën. Ai është një shkrimtar, poet dhe kulturolog, me një pasuri të madhe prurjesh estetike, tituj shkrimesh e librash, ese, reportazhe, polemika, poezi që vazhdojnë ta pasurojnë titujt dhe spektrat e këndvështrimit poetik, shkurt një autor i mirënjohur i letrave shqipe.”

Sikur krijime të tilla, si të librit “250 poezi pikante”, të këtij autori, të zinin faqet e librave shkollor, do të ishin një vlerë e madhe dhe e çmuar për brezat. Penën e artë, të një gjenialiteti krijues të tillë, padyshim që e ardhmja do ta monumentalizojë në memorien e kohërave dhe të brezave.