Censi, INSTAT nis në vitin 2020 regjistrimin e popullsisë dhe banesave

Aktualitet

Në vitin 2020 nis procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave.

Instituti i Statistikave zhvilloi sot në Tiranë, konferencën e parë informative mbi Censin e Popullsisë dhe Banesave 2020.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, tha se, “në themel të Censit do të jetë grumbullimi i informacionit mbi Numrin Personal të identifikimit (ID), Krijimin e një databaze me të dhënat historike të Censeve, i aksesueshëm për përdoruesit, Ri-inxhinierimin e Sistemit të informacionit Gjeografik (GIS), Mbledhjen e të dhënave përmes tablateve për ndërtimin e regjistrave statistikorë të Popullsisë, Ndërtesave dhe Banesave bazuar në të dhënat e Censit”.

Sipas saj, në tetor do të pilotohet në 12 mijë familje dhe më pas në fillim të 2020 do të shtrihet në të gjithë vendin.

Censi i Popullsisë dhe Banesave është aktiviteti bazë për të hartuar politika të bazuara në shifra. Roli kryesor i tij është të prodhojë një numërim të saktë të popullsisë banuese të një vendi. Si i tillë, ai është procesi më i rëndësishëm demografik, me përdorim të lartë burimesh financiare dhe njerëzore, tha Dhuli.

Shpenzimet për Censin 2021 janë planifikuar në 16 milionë euro dhe burimet e financimit janë siguruar nga donatorët.

Nëpërmjet Censit, do të grumbullohen të dhëna të rëndësishme nga të gjitha familjet në vend. Do të sigurohen informacione kryesore mbi popullsinë dhe banesat, do të shikohen ndryshimet e popullsisë në dekadën e fundit, madhësia dhe struktura e familjeve, migracioni, arsimi, punësimi, kushtet e banimit, etj.

Seti i madh i të dhënave që do të sigurohen nga ky Cens, do të jenë një burim i mirë informacioni për zhvillimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave të ndryshme socio ekonomike, strategjive dhe planeve të zhvillimit në nivel kombëtar, lokal dhe sektorial.

Gjithashtu, ato do të jenë dhe një burim i rëndësishëm për monitorimin e arritjeve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, 2030, tha ajo.

Dhuli u shpreh se, Cens është në përputhje të plotë me të gjitha standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, por që të jetë i suksesshëm dhe të arrijë objektivat e tij, duhet angazhimi i të gjithë aktorëve dhe partnerëve në vend.

INSTAT, ka angazhuar të gjitha resurset e tij dhe po i kushton vëmendjen maksimale këtij procesi statistikor, i cili kudo në botë, konsiderohet më i rëndësishmi në një shtet nga pikëpamja e llojit të informacionit statistikor që ai mbledh, pasi Censi është bazë për ndërtimin e një sistemi të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm statistikor dhe politikbërës.

Burimi: http://ata.gov.al/2019/09/20/censi-instat-nis-ne-vitin-2020-regjistrimin-e-popullsise-dhe-banesave/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *