Rastësisht… – Fejton nga Thoma GOGA

Humor

Fejton Nga Thoma GOGA

Rastësisht…

Viti i ri sapo hyri rastësisht më datë 1 janar. Edhe vitet e tjerë, kështu kanë bërë. Njeri pas tjetrit radhë-radhë. Dhe ne, siç na kanë thënë, rastësisht kemi ardhur në këtë jetë. Pastaj “tjerim dhe shtjerim lëmshin” e jetës jo lehtësisht…

Sebep për këtë fejton u bë një bisedë në autobusin ku udhëtoj rastësisht unë. Një udhëtar i thoshte bashkudhëtarit që kishte në krah.

– Kam një shok që ka mbaruar dy universitete.

– Kurse unë, – ia preu tjetri, – kam një gjiton që s’ka bërë asnjë universistet, po rastësisht ka mësuar tri gjuhë të huaja.

– Lëre se na shkritë fare, – u hodh një i tretë.- Krushku im pa gjuhë të huaja dhe pa universitet, është deputet…

Domosdo, mor mik. Bëhesh më lehtë deputet se që të mbarosh universitetet, apo të mësosh gjuhë të huja, nuk është rastësi. Rastësi mund të jetë kur një idiot ka blerë një diplomë dhe e tund si paçavure. Pastaj hedh hapin tjetër; mëson “vallen e ngjalës”. Pastaj siguron një tesër partie. Pastaj marrin tjetër “hije”. Pastaj “barazohet” me ata që kanë mbaruar me djersën e ballit universitete apo janë me gjuhë të huaja. Pastaj, më keq akoma, vihen në “komandë” të njerëzve me tru. Paçka se ia bëjnë mëk, mëk…Tamam si ai krushku yt. Mbase rastësisht ndodh kështu, vetëm këtu. Jo më kot edhe pas 27 vjetë demokraci, jemi akoma këtu…

Rastësish ndodhin disa fenomene që të vënë në mendime. Po ta marrim në planin e përgjithshëm rastësish jemi të barabartë. Biologjikisht dhe anatomisht jemi, por jo gjenetikisht. Ndërsa në planin e veçantë, kjo nuk është rastësisht. Shenjat e gishtave për të gjithë popullatën e botës janë krejt ndryshe. Në këtë drejtim dy njerëz kurrë nuk janë të barabartë. A thua rastësisht?! Po janë ca interpretime që fjalën “rastësisht” e përdorin gabimisht. Dhe fare lehtësisht. Le të shohim dy dialogë që kanë më shumë gallatë dhe fare pak doza humori.

– Një djalë pyet një gocë: Sa e keni orën?

– Dhjetë, – përgjigjet bukuroshja.

– Interesant, rastësisht edhe unë aq e kam…

Diku dikush në bisedë telefonike pyet mikun e vet që jetonte në një shtet europian.

– Ore, çfarë dite është sot?

– E diel.

– Ua, rastësisht edhe këtu është e diel. Vetëm se këtu tek ne s’ka diell…

Po pas pak ai foli me kushëririn e tij në Amerikë. Atje rastësisht nuk ishte e diel, po e shtunë. Le të qendrojmë pak këtu te Amerika. Është shteti më i zhvilluar, më i konsoliduar në të gjitha drejtimet. A thua rastësisht? Eh, sa e koklavitur qenka kjo punë!

Nejse. Ta “tjerim” dhe ca fjalën “rastësisht”. Kohët e fundit rastësish kam dëgjuar të flitët shumë; jo “peshku i vogël”, jo “peshku i madh”. Peshku i vogël mbetet i vogël në raport me peshkun e madh. Këtë e dinë dhe ata që kanë “tru peshku”. Po kur hidhet rrjeta, këta “të vegjlit” dalin nga të çarat, se janë të vegjël. Po qe rrjeta e grisur, del dhe “i madhi”. Le që ia fus kot; rastësisht “i madhi” është më i zgjuar e s’futet fare në rrjetë. Ai ua dredh edhe peshkatarëve “ustallarë”…Në këtë rast s’ka vlerë fjala, kur u themi idiotëve; “qenka tru peshk”.

Nesje. Biologjikisht “i vogli” do bëhet “i madh”. Kurse ky nuk mund të bëhet “i vogël”. Rastësisht “i madhi” e ha “të voglin”. Jo për gjë, po se e ka “mullirin” më të madh…Prandaj, kur rritet ky “i vogli”, bëhet më i egër se paraardhësit e tij. Por gojët e liga thonë se një “të madh”, (po jo të madh fare…), shumë “të vegjël” e hanë. A thua rastësisht? Sigurisht, po të bëhen bashkë. Mbase rastësisht kanë nxjerrë mësime nga “historia jopeshkore” e tyre. Ose ndryshe nga historia njerëzore…

Dhe unë kam nxjerr mësim. Që atëherë as peshkun e vogël, as peshkun e madh nuk dua ta shoh edhe në tigan.

Eh, sa e koklavitur qenka kjo punë! Ore, se mos ma merrni rastësisht për të keq. Unë e kam llafin për ata peshq që hyjnë në tigan. Po edhe në se më mirëkuptoni keq, ma bëni hallall se rastësisht nuk jemi njësoj. Në fund të fundit dhe unë jorastësisht këtë punë kam…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *