FEJTON: Xha Koli – Nga Thoma Goga

Uncategorized

Në verën e nxehtë të këtij viti përjetuam vapë të madhe. Sikur të mos mjaftonte “temperatura” e lartë politike. U bënë të dyja bashkë kur kishim nevojë, veç të tjerave, edhe për më shumë oksigjen. Ndaj kudo ku shkonim hidhnim një grusht ujë në fytyrë, gjenim hijen për të kaluar nga njëri trotuar, tek tjetri. Rrinim nën ndonjë pemë, atje ku kishte. Domosdo edhe kur ishim në shtëpi, linim dyer e dritare hapur.

Në një nga këto ditë te pallati im u bëra dëshmitar i një skene tragji-komike. Një fëmijë rreth 4-5 vjeç kishte dalë gati lakuriq, vetëm me breçka. Zbriste shkallët dhe qante. Ndoshta nga vapa, ndoshta s’kishte njeri në shtëpi, ndodhta kushedi… Sapo dëgjoi të qarët e vogëlushit, doli xha Koli. Domosdo, edhe ai me derën hapur rri. Monologu i xha Kolit ishte për t’u patur zili.

– Mirë o kolopuç, po nashti e gjete të qash?! Na le dhe pa punë. Se mos kemi ndonjë punë të madhe, po… Nejse. Ne gëzojmë që vjen vapa e të marrim nga një sy gjumë, kurse ti… Më vjen dhe në derë të shtëpisë time. Nuk e kuptoj pse qan këtu? Pak dyer të tjera ka në pallat. Ti mbase ke të drejtë, se kot nuk qan. Ke dhe ti hallet e tua. Po shko qaj atje ku zgjidhen problemet. Unë nuk po zgjidh dot hallet e mia e jo të zgjidh të tuat. Vogëlushi e ndërpriste hera-herës të qarët dhe shikonte xha Kolin, nga fjalët e të cilit nuk kuptonte asgjë. Pastaj fillonte prapë.

– Jo, jo kështu nuk merremi vesh. Po të qajmë të gjithë, ç’bëhet në këtë dynja? Një mish-mash që s’ka metër për ta matur. I ndjek lajmet, i ndjek? I ndjek lesh. Ti qan nashti që punët po na shkojnë si s’ka më mirë. Mirëqënia është rritur. Të gjithë për brezin tuaj po punojmë, se ne e hëngrëm çairin. Ta lëmë qeverinë të realizojë ato projektet që ka me PPP. E di çdo të thotë kjo? Ja ta thom unë; Presin pensionistët paratë…

Ja, ai gjyshi dhe gjyshja jote janë të kënaqur me pensionet? Janë. Harram ta kenë rritjen që na bëri qeveria. Prandaj na dalin e teprojnë pensionet, ore kolopuç. Ku ke parë ti qeveri që t’i ngopë të gjithë. Mirëqënia ekonomike është rritur 50 për qind më shumë se vitin e kaluar.

”Sa ishte vitin e kaluar?”, do pyesësh zotrote. Ishte 2 përqind, do bëhet 1 më shumë. Pse pak janë? Europa na ka zili për këto ritme të rritjes ekonomike. Ti je i vogël, po kur të rritesh do ta kuptosh ç’do të thotë të bësh zgjedhje demokratike si këto të këtij viti. Kemi bërë shumë hapa para. Le që ti do ta ndjesh më shumë kur të bëhesh deputet… I kemi dhënë një mësim të madh Europës plakë. Lum si ju që do e gëzoni Europën, o babuç.

Kurse ti vjen e qan. Dhe ku, mu te dera ime. Rri për kokën tënde, se nuk na le të marrim një sy gjumë. Kemi gjithë ditën që u dërrmuan atje te shatërvani, duke përplasur dominotë. Ik i thuaj gjyshit tënd ta bëjë më mirë informacionin politik me ty, se ti qenke nul fare.

S’ke faj se ai gjyshi yt e ka mendjen te protestat. Harram ta ketë rritjen e pensionit që na bëri qeveria. Në këtë çast vogëlushit i shpëtoi një e vogël… Domosdo, të hash fasule dhe të flesh lakuriq, nga “ato” ke me shumicë. Këtu xha Koli rrudhi turinjtë. – Po ça ke ngrënë, o i uruar, vezë të prishur?! Po më çojnë sytë lot. Apo të ka dërguar gjyshi të ma hedhësh mua “molotovin”? Dhe dëgjo këtu: Po e morën vesh ata ndërkombëtarët që ti qan pa rrahur, nuk do na pranojnë në Europë. Do na thonë se “jemi popull qaraman”. Është njollë e keqe kjo.

E imagjinon dot se ç’do të thotë kjo? Gjithë Europa do na nxjerrin gjuhën. Ja, një takëm si ju na pengojnë. Edhe ti ke të drejtat e tua, po nuk i zgjidh dot unë. Mbase ti vjen te dera ime se e ke gjyshin opozitar e nuk i jep dot drejtim. Po se mos unë kam gjë në dorë. PPP jam dhe unë…Ç’do të thotë kjo? Po ta thashë një herë; P-ensionistët P-resin P-aratë?!…Ja prita sot se kisha ditën, po nuk më erdhi radha. Nesër jam i pari. I thonë P-P-P, o babuç…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *