Dy fabula nga Thoma Goga

Humor

Mustaqet e Çelos

Ështe ndezur nën ullinj

Debati me ca të rinj.

Nën ullinj nuk ka paqe:

– Si i kish Çelua mustaqet?

Ja për kaq u shtynë më tej,

Shkuan e pyetën disa pleq:

– Si i kish Çelua mustaqet,

Se do zihemi më keq?


Ca thanë “qimeverdhë”,

Ca thanë “të zeza sterrë”,

Shumë të gjata si antenë

Dhe të dendura si ferrë.


Me këto fjalë nuk pati paqe

Dhe kaluan rreth një are,

Kur takuan aty një nënë,

Te kulloste disa dhënë.


– Lereni Çelo mavrinë,

Ai ishte nipi im.

Hajd t’u puth halla në faqe.

Edhe juve bëni paqe,

Se Çelua nuk kish mustaqe…

Mburraveci

Dilte dielli në mëngjes,

Dilte dhe një mburravec.

– Pa shikoni sa i gjatë, –

Dhe maste hijen me hap.


Ai ik e hija ik,

Numërimi s’kishte fund:

– Pa shikoni sa i gjatë

Dhe me hije un’ u mund.


Po kur vjen mesi ditës

Dhe dielli na rri mbi kokë,

Mburraveci kërkon hijen,

Asnjë hije s’ka mbi tokë.


– E shikon, i thanë shokët,

Mos u mat që në mëngjes,

Rritu, piqu edhe ca

Se do mbetesh mburravec.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *