Bexheti bën buxhetin – Fejton nga Thoma Goga

Humor

Rruga për të dalë në qendër të fshatit kalon patjetër afër shtëpisë së Bexhetit, bashkëmoshatarit tim. Kur jam i ngeshëm, kthej. Punët dhe hallet sidomos në fundvit nuk më lënë të lirë, ndaj kisha kohë pa e parë. Para disa kohësh e ndava trurin; ktheva. I gjeta të tre afër oxhakut; plakën, macen dhe Bexhetin. Kishte marrë një copë letër e kalem. Sa u gëzua kur më pa!
– Hë, paske ardhur si me porosi, – më tha,- ti merr vesh dhe nga “buxheti”, se kështu i thoni ju zyrtarët. Shkurt alla fshatarçe; po bëj hesapet e shtëpisë.
– Aman, o Çome, – u hodh plaka, – shyqyr që erdhe, se me këto llogari, ky plaku im po na i than zorrët. Ja, kur shkuam për të marrë “vensionin” muajin e “varë”, u ulëm te një lokal afër “vostës”. Ç’të bënim, ishte ftohtë. Kush “vriste jashtë, vriste gozhdë”…
Plaka rrëfente e fjalët i nxirrte “me zhurmues”, ndërsa unë nuk po e merrja vesh ku do dilte.
– Hë moj lumëmadhe, llapa-llapa mezi e nxjerr fjalën. Kush priste jashtë, “priste” goxhdë, – sqaroi Bexheti.
– Ma bëni hallall, se pa dhëmbë jam, – u përgjigj plaka.
– E që thua ti o Çome, – vazhdoi Bexheti atje ku e la plaka, – do merrnim pensionin e u ulëm te lokali afër postës. Erdhi kamerieri e bëmë porosinë. “Çfarë do merrni?” pyeti ai. – Mua, i thashë kamerierit trashaluq, do më sjellësh një biftek e një kos. Kurse plakës një kos e një biftek. “Po ti thuaj; dy biftek e dy kos”, ma ktheu trashaluqi.
– Aa, jo të keqe xhaxhai, – ia prita. – Sa të ha unë biftekun, plaka të hajë kosin. Pastaj unë i jap dhëmbët, që ajo të “bluajë” biftekun. Se një palë dhëmbë kemi, ore. More vesh? Mora, thuaj.
Dëgjoja e më vinte për të qeshur, se nuk qaja dot.
– Ja kështu o xhani Bexhetit, – po e bëjmë atë “mender buxhet” të familjes. Morëm të dy pensionin. Hoqëm veçmas lekë për dritat, se nuk e ha dot burgun në këtë moshë. Pa hoqëm dhe për ujin. Aa, kafenë e sabahut e dua. Mezi pres sa të gdhihet e të ngroh gurmazin. Se me kafenë shtyjmë dhe mëngjesin.
– Aman hiq dhe për ilaçet e tensionit, – shtoi plaka, – se kur të ngrihet ty, nuk të bëj dot derman. Nuk ma mban…Hiq dhe ca lekë se do më vij krushka për drekë.
– Krushka të hajë atë të krushkut…, – ia priti Bexheti.- Unë nuk po i hedh asnjë thërrime maces time që më ngroh dhe dyshekun. Gjë e gjallë është, do të hajë.
– Edhe macja jote të hajë atë të maçokut. – ia ktheu plaka, flakë për flakë, ashtu llapa-llapa.- Çiitt, gjytyryme, shko ha minj që të na “ngrohësh” Bexhetin dhe buxhetin!…- Dhe i ra maces me mashën e zjarrit.
Këtu nuk e mbajta dot të qeshurën. Lot nga sytë po më dilnin. Po mendoja të thoshja ndonjë fjalë, po ç’të thosha! Bexheti e kishte në dorë buxhetin dhe e di mirë ku “i pikon çatia”.
– Ngrehu, – i bërtiti plakës, – bëj një kafe mikut se ka që hane pa ardhur. Dhe shiko, bëje “me pak” se i bën dëm sheqeri… E që thua ti, o Çome vëllai, – vazhdoi i zoti shtëpisë, – sikur po e terezis pak buxhetin. Nuk iket pa plan, ore. I nxjerr “të ardhurat X” dhe “shpenzimet X”. Me një llaf; t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin… Se pastaj s’ka jorgan që të mban. Kështu fle dhe rehat.
– Po ushqime të tjera?
– Marrim oriz, sheqer, perime nga ato që kanë skaduar. Janë me ulje… – u përgjigj Bexheti.- I kam thënë plakës që kur gatuan fasule, t’i bëjë të holla fare. Të iki kokrra në pjatë me 100 km në orë e të mos e zërë luga… Kuptove? Kuptova, thuaj.
– Po mish sa herë gatuani?- pyeta unë.
– Kafsho gjuhën, Çome! Kemi 6 muaj që nuk e njohim fare. Doli dhe doktori tek televizori e na mbushi mendjen se “mishi na bën keq nga kolesteroli”. O po, ç’t’i bëj portofolit unë, pa s’pjerdh fare nga kolesteroli, – ngriti zërin Bexheti. – Prandaj dhe rripit të pantallonave i kam bërë dhe dy vrima rezervë. Të jenë gati…Një natë e rrotullova mendjen sa andej – këndej. Pasi bëra “buxhetin” e muajit, mpreha kalemin në anën tjetër. Po sikur të vdesim, mbase na bie më lirë?! Hë, si thua?
Për të “prishur” pak këtë atmosferë fukarepsje, i premtova se ca miell dhe ca vaj do i merrja unë në një fabrikë. Ca bulmet do i sillte Çeçua im nga stani me gjysmë çmimi. Kurse hirrën për macen, Çeçua e ka falas si “ofertë”…
– Më rruaç e të paça! Dhe Çeços t’i rrojnë fëmija, bagëtia dhe zagarët…
– Shteti dhe shoqëria jonë nuk të lënë të vdesësh, – thashë sa për t’u dhënë edhe pak kurajë.
– A, lëre se na shkrive fare. Ky shteti ynë u këput në tajare…
E ndërkohë plaka solli kafenë që ishte fare farmak. Mbase nga kalemi i hollë i Bexhetit… Nejse.
– Gjithmonë X me X e nxjerr, apo ka raste që tepron ndonjë lekë? – pyeta pa të keq.
– Po, ka raste, – tundi kokën Bexheti. – Ja, muajin e kaluar e mpreha mirë kalemin; i bëmë hesapet aq “hollë” sa tepruan ca qindarka. I ndamë në mes me plakën. Unë bleva një kallam sheqeri, kurse plaka një lëpirëse. E po, pleqëri, na vete mendja edhe për ndonjë të ëmbël. Dy javët e para plaka lëpinte “kallamin” tim, dy javët e tjera unë lëpiva atë të plakës…
Kanë kaluar kohë nga kjo mesele e mua mendja më shkon tek kalemi i Bexhetit. Sa “hollë” e tereziste buxhetin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *