Fondacioni Kulturor “Harpa” shpall fituesit e vitit 2019

Kulturë

Ka përfunduar edicioni i shtatë i cmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si cdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e mbështetur nga Bashkia Fier, është kthyer tanimë në një traditë dhe ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.
Aktivitetin e çeli drejtuesja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit, shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.


Këtë vit, fokus ishte tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa u dha një cmim për qytetarët, për humanzimin e lartë të treguar në mbështetje të të prekurve. Nënkryetarja e Bashkisë Enkelejda Peshkëpia, u shpreh se ka qenë emocionuese kur kësaj kauze iu bashkuan edhe fëmijët fierakë.
Ndërkohë, prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit “Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Evisa Sema, ka thënë se Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo vetëm.
Ndërkohë, “Çmimin e Madh Harpa” e mori aktori dhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj me motivacion “Personalitet i shquar i kinemasë, me kontribut në kulturën kombëtare shqiptare. Aktor i veçantë dhe regjisor i suksesshëm i filmit artistik dhe atij dokumentar”.

Në këtë mbrëmje u dhanë këto cmime:
Çmim Special për Qytetarët Fierakë, me motivacion:”Për të gjithë qytetarët fierakë, që me solidaritet dhe ndjenjë të lartë humanizmi, kontribuuan shpirtërisht, moralisht dhe materialisht për të dëmtuarit e tërmetit të 26 nëntorit, duke përçuar mesazhin universal të dashurisë njerëzore”.
Çmim “Aktori i vitit” për Koço Qëndron, me motivacion “Për dinamizmin, emocionet, interpretimin e jashtëzakonshëm dhe plot energji në rolin e Harpagonit, të komedisë ‘Kopraci”.
Çmim “Regjisori i vitit” për Dhimitër Orgockën, me motivacion “Aktor dhe regjisor me përvojë të gjatë krijuese. Risolli në skenë, plot finesë dhe emocion artistik, komedinë ‘Kopraci’ të Molierit”.
U dhanë disa cmime Karriere:
Aktorit të madh Timo Flloko, me motivacion: “Personalitet i shquar. Emër i madh i plejadës së artit shqiptar dhe mjeshtër i aktrimit. Artist i dashur për publikun”.


Shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Sadik Bejko, me motivacion:”Shkrimtar dhe studiues i apasionuar, i cili, me punën e palodhur dhe plot përkushtim, ka krijuar kolanën e tij të veçantë në korpusin e letrave shqip, gjatë disa dekadave të procesit krijues”.
Këngëtarit të njohur, Bashkim Alibali, me motivacion: “Një nga ikonat e këngës shqiptare. Ndër zërat unikalë të një brezi ‘të artë’, që rrallë i vijnë muzikës sonë. Këngëtar që do të ketë adhuruesit e tij në çdo kohë”.
Studiuesen Klara Kodra, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare, studiuese me individualitet të spikatur, që ka ditur të ndërtojë kode unike ligjërimi”.
Poetin Petrit Ruka, me motivacion: “Për nivel të lartë artistik dhe estetik në vëllimin ‘Shami të zeza qiellore’. Krijues i një vargu të veçantë dhe mbresëlënës”.
Çmimin “Editori i vitit” e mori Mark Simoni, me motivacion: “Për kontribut të veçantë në letërsi, si autor dhe botues. Për mbështetjen ndaj krijuesve të rinj si dhe botimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.


U dhanë dy çmime në gazetari, ku u shpallën gazetarët më të mirë, Kristaq Thano, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë. Për korrektesën dhe përcjelljen në kohë reale të aktualitetit”.
Dhe Besnik Sulejmani, me motivacion: “Për punën e palodhur dhe këmbëngulëse në pasqyrimin e realitetit, si dhe për urën e komunikimit që ka krijuar me publikun përmes emisioneve të tij”.
U dha një Çmim Special për mjekun e njohur, Kilo Stoja, me motivacion: “Mjek me karrierë të gjatë. Një kontribut të veçantë ka dhënë përmes librit ‘Sëmundjet profesionale te naftëtarët’, si një vlerë e shtuar humane”.
Në kategorinë “Çmimi i Publikut”, u dhanë tre të tilla:
Irena Pricit, me motivacion: “Promovuese dhe kontribuese në fuqizimin e jetës letrare. Karakterizohet nga pasioni, puna e palodhur dhe dashuria për librin”.
Odise Plakut, me motivacion: “Krijues në disa zhanre të letërsisë, ku spikat në fushën e dramaturgjisë dhe letërsisë për fëmijë”.
Eliverta Kaninës me motivacion: “Për aktivitet të larmishëm në jetën artistike”.


Po ashtu në nderim të personaliteteve që nuk jetojnë më, u dhanë In Memoriam, për shkrimtarin Maku Pone, me motivacion: ”Për kontribut të veçantë në letrat shqip. Ka lënë pas një trashëgimi të konsiderueshme në letërsinë për fëmijë, dramaturgji, poezi, prozë dhe publicistikë”.
Për studiuesin Arben Xoxa, me motivacion: “Një prej personaliteteve të spikatura të mendimit kritik. I përkushtuar në studimin dhe botimin e veprave mbi historinë dhe çështjen shqiptare”.
Për aktorin e humorit, Muhamet Lika, me motivacion: “Një nga ikonat e estradës dhe humorit shqiptar. Me plastikë të veçantë dhe interpretim virtuoz, ai ka gdhendur një mori personazhesh, që mbeten ende të gjalla për publikun”.
Për këngëtarin Jani Tase, me motivacion: “Për kontributin shumëvjeçar në ruajtjen e vlerave të këngës qytetare fierake”.
Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter festiv.
Ky është i shtati vit vit që nga “Harpa” jepen cmime, duke u vlerësuar një sërë emrash dhe personalitete që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *