Fejton Nga Thoma GOGA -Lëviz, o rrotë…

Humor

Rrota ishte shpikja e parë, këtu e 3500 vjet të shkuara. Që kur doli rrota filloi dhe u zhvillua bota. Por me rrotën, lëvizjen dhe botën janë thurur shumë legjenda. Ca dhe kanë abuzuar. Madje ka akoma ca “rrota” që kur i hipin rrotës, bëhen më “rrotë” se rrota dhe i merr rrota e historisë. Po kjo është rrotë e fortë. Dhe atyre “rrotave” u var në qafë si dekoratë, titullin e lartë “rrotllak…”. Ju lutem, mos më mirëkuptoni keq, se unë nuk e kam mendjen atje ku e kanë ca si ju.
Edhe në sistemin monist qarkullonte një si anekdotë. Dy të moshuara pensioniste, tërë jetën ishin rritur në një fshat. Kishin punuar bashkë në një kooperativë, në një brigadë. Madje njëra ishte fare e paditur, saqë edhe lekët nuk i njihte. Kur e pyesnin për rrogën, thosh; “Marr 3 të kuqe e 2 jeshile”. Një ditë, kur vuri re se shoqja e ngushtë mori “4 të kuqe e 2 jeshile”, e grisi “krimbi” nga brenda dhe e pyeti:
– Moj xhane, pse merr “një të kuqe” më shumë se unë?.
Tjetra iu përgjigj krenare:
– Ua, po unë marr atë të “lëvizjes”…
– U, më marrç të keqen! Po pse moj, më e lëvizur se unë ke qënë ti?!…
Me këtë dialog naiv nuk dua të bëj humor, vetëm shikoni se një devijim i kuptimit të fjalës “lëvizje”, e çoi mendjen në tjetër vend. Në atë kohë lëvizja të hapte punë, po të hapej fjala se do kishte “lëvizje”. Naaa, nga shtatë u shkonte cave që u ishte ngjitur karrigia pas torroviles. Fillonte tjetër lëvizje. Ajo e miqësisë, krushqisë, deri sa shkonte atje lart për të përdorur “frenat e dorës” që të mos kishte lëvizje. Mirëpo kështu u dobësuan shumë edhe “frenat” e pushteti nuk mbahej me forcë, se nuk e linte lëvizja. Kuptohet, lëvizja nga poshtë ulërintë më shumë “Lëviz, o rrotë!”. Dhe u shpik termi më i zbutur; “qarkullim”. Po kishte ca kuadro që edhe kur qarkullonin, ia kalonin rrotës dhe ishin bërë më “rrotë”. Kudo që t’i çoje, ata prapë mbeteshin në formatin e rrotës. Ishin mësuar mbi rrotën e pushtetit dhe u pëlqente. Ja, këta ishin prototipat e “rrotës”. Jo nga forma, por nga truri, nga kapaciteti. Kështu ndodhi edhe me njërin këtej nga kasabaja jonë. Kishte drejtuar ekonominë në një rreth verior. Punët nuk po ecnin hiç mirë, se “i bënte keq klima”. Dhe pushteti, merr vesh ti, që kujdesej aq shumë për kuadrot “e aftë” si ai, i bëri nder. E qarkulloi në Berat, aty ku ishte “klimë më e mirë”. Po edhe këtu prapë ekonomia po menderosej. “Ta kishte prapë fajin klima?!”. U mendua e u mendua dhe kërkoi vetë të qarkullonte. Të qarkullonte apo të shpëtonte, kjo ha ca pyka…Po ku? Në një klimë “më të butë” si ajo e Korçës. Po populli, që edhe kalemin dhe hostenin i mbante gati për “hazërxhevap”, i ngriti këngën:
“…Korçën kërkove, Korçën të dhanë.
Menderose mirë, siç bëre Beran’…”.
Nejse. Këngët e popullit tonë janë të bukura edhe kur kanë spec brenda. Llafin e kisha te lëvizja. Domosdo edhe këtë tipin e lëvizi hosteni i popullit, që si një qerrexhi i regjur, u thotë bijve apo “buajve” të tij: “Lëviz, o rrotë!”. Mirëpo tashti na janë shtuar “buajt” e politikës. Apo janë pak! Prapë në kurriz populli i ka. Pas erës së demokracisë, u fol se drejtuesit e partive nuk do rrinë më shumë se 2 vjet në drejtim. O zot, sa mirë, tha populli. Se na mbinë ca figura për 40 e kusur vjet e nuk shkuleshin. I kishin hipur “rrotës” sprapthi si Nastradini gomarit. Prandaj i mori rrota e historisë. Mirëpo kjo puna e “rrotës” qenkërka si sëmundje. Vërja emrin si të duash, po “rrotomani ose pushtetomani” shkon më mirë.
Kjo fjala “Lëvizje” duket edhe si punë ilaçi. Keni parë ju kur thotë doktori “ilaçe nuk po të jap këtë herë. Po lëviz pak nga pak…”. Dhe lëvizja lufton sëmundjen. Shkurt hesapi, largon të keqen. Kështu ndodh edhe me politikën. Krerët e dinë mirë këtë. Sidomos drejtuesit e rinj janë “më largpamës”. Ata e marrin si ofezë që të “shikojnë” më afër se 2 vjet. Madje dhe 4 janë pak. Pastaj e drodhën, se në kohët moderne kështu bëhet politika. Projektet janë “afatgjatë”. Duhet të jesh edhe më “i dashur” me popullin që t’i kuptojë këto “projekte” se, në fund të fundit, ai të mban në kurriz. Ndryshe populli ulërin: “Lëviz, o rrotë!”. E nga 4 vjet, tashti janë bërë 27 dhe askush nuk e lëshon karrigen nga torrovilja. Edhe atyre të parëve u rrinte “në masë” torrovilja pas karriges. Ç’bëri 45, ç’bëri 27 vjet! Keni parë ju se edhe popullit sikur po i vjen rehat. Duket u mësua. Nuk bërtet më: “Lëviz, o rrotë!”. Dhe këtë ulërimë e ka zbutur, e ka modifikuar. E dini si thotë? “Oho, e fute që e fute, mbaje, po lëvize ndonjë herë nga pak. Oho!…”.
Kur ia këndova këtë rrëfenjë Çeços tim atje në stan, kruajti një herë torrovilen e tha:
– Ore byrazer, di gjë ti, do rrinë dhe shumë “këta”…?
Që të merrja një opinion “më të kualifikuar”, ia lexova edhe një “akademiku”. Ky, pasi kruajti kokën, si me diplomaci, më tha:
– Ore, paska qënë më e mirë bota pa “rrota”. Tashti sheh rrota –rrotën e bëhet “rrotë”.
…Dhe çdo koment për këtë rrëfenjë është i kotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *