Fermerët e Fierit punojnë për të furnizuar tregun me fruta–perime të freskëta

March 25, 2020

Qendrat e grumbullimit bujqësor në Fier, po vazhdojnë normalisht furnizimin e tregjeve të vendit me produkte të freskëta bujqësore, në  kushtet e situatës së karantinës në vend, si masë parandaluese për mospërhapjen e virusit COVID-19.

Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, Vlorë që merret me eksportet bujqësore të rajonit jugor të vendit, bëri të ditur për ATSH-në, se pavarësisht situatës së vështirë, zinxhiri i prodhimit, grumbullimit dhe eksporteve bujqësore ka vijuar  normalisht me të njëjtin ritëm dhe volum pune.

“Qendrat e grumbullimit të produkteve bujqësore, në Lushnjë dhe Fier, krahas tregjeve të tyre për eksport të jashtëm, vijojnë furnizimin e tregjeve kryesisht të Tiranës, Durrësit, Lezhës etj, me prodhime të frekëta bujqësore”- thekson agjencia.

Vetëm në dy javët e fundit, eksportet e brendshme nga Lushnja dhe Fieri, kapin shifrën e mbi 30 tonë fruta- perime.

Sipas agjencisë rajonale, “3 kamionë përafërsisht me nga 10-12 tonë secili, kanë furnizuar tregjet e brendshme me perime, në këto dy javët e fundit nga data (9-20 mars) duke siguruar furnizim të bollshëm me produkte bujqësore në të gjithë vendin” thuhet në lajmin e publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Edhe Fabrikat e Miellit Vijojnë Punën

Bizneset e blojës në vend, që furnizojnë me miell, nuk kanë mbetur të izoluara nga efekti negativ i COVID-19 ashtu si shumë industri të tjera. Të detyruara që të punojnë me çdo kusht sepse janë pjesë e zinxhirit ekonomik, që nuk mund të shkëputet puna ka vazhduar 24 orë pa ndërprerje por fillimisht sfidë ka qenë të bindje punonjësit që të paraqiten në punë.

“Është problem të sjellësh punëtorët në fabrikë pasi kanë frikë. Nuk është se kemi pasur pengesa nga shteti, pasi kemi siguruar në kohë lejet dhe autorizimet, por duhet kuptuar frika që krijohet në një situatë të tillë.

Gjithsesi ne po vazhdojmë punën normalisht. Ajo që vumë re ishte një rritje e menjhershme e kërkesës në tregun vendas për miellin, por që u normalizua në pak ditë sepse duhet thënë që në finale produkti që ne shesim është diçka që konsumohet rregullisht pa ndikim të faktorëve të jashtëm. Kryesorja është që u përballua faza e parë shumë e sikletshme, duke punuar ditë e natë dhe tani ka një lloj qetësie” shprehet ai.