Eh, kjo fara jonë! – Poezi nga Thoma Goga

March 26, 2020

EH, KJO FARA JONË !…
– Thoma Goga –

Rri e hedh ca vargje,
Si në karantinë.
Mezi po pres ditën,
Të fitoj lirinë…

Po lexoj libra
Edhe për kuzhinën,
Se kështu e shtyj
Më mirë karantinën.

Me një goxha libër
Mësoj të gatuaj.
Po një dreq “recetë”
Del “silazh për kuaj”…

Ndaj vura fasule,
Këto i bëj mirë.
Ta helmojnë virusin
pordhët me shëllirë…

Në më kaptë mua,
Më hidhni në det.
Atje i laj duart,
E kam merak vetë…

Më mirë të më hajë
Dhe kockën “merluci”,
Se sa ky katrani,
Ky “kodoshvirusi”…

Ky “katranvirusi”
Me ne e ka kot.
S’e njeh sojin tonë,
Jemi racë e fortë.

Dhe vdekja ja mbathi,
Sapo ndjeu rakinë.
Ësht’ antivirus,
Tamam si vaksinë.

Do mbledh dhe një herë
Gjith’ shokët e mi.
Pa t’ja marrim valles,
Këngë me dolli.

Të vijë dhe virusi
Me motrën e tij.
Kur t’i hyjë “trapani” ,
O sa urt’ do rrijë!…

Pastaj ç’do të ndodh?!
Ta them un’, o shokë.
Do mbijë fara jonë
Si virus në botë.

Bota do të thotë:
– “Sa “virus” i bukur,
Që na sjell behar
Me lule, me flutur!”.

Ndaj, more shokë
Me fund dhe një gotë,
Për farën shqiptare,
Farë qelibare…

(TH.GOGA)