Tuesday, August 11, 2020
Home Tradita 3 fshatrat e ardhshëm tursitikë të Bashkisë Fier - Nga Adriana Mile

3 fshatrat e ardhshëm tursitikë të Bashkisë Fier – Nga Adriana Mile

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR) – “Programi Rural i 100 fshatrave”, (Rilindja Rurale – 100 FSHATRAT nëpërmjet MBZHR) është një model i ri i zhvillimit rural përmes një programi që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere. Ai synon të adresojë sfidat me të cilat përballet sot fshati dhe hapësira rurale për t’i shndërruar ato në qendra të zhvilluara ekonomike nëpërmjet agroturizmit të qëndrueshëm
rural. Në kuadër të Programit Kombëtar “100 FSHATRAT”, Bashkia e Fierit aplikoi me katër fshatra: Libofshën, Pojanin, Cakranin dhe Peshtanin, duke fituar tri prej tyre. Falë këtij programi, brenda një
periudhe të shkurtër 4 vjeçare, Libosha, Pojani dhe Cakrani do të jenë tri fshatra që do të ofrojnë gjithë infrastrukturën e nevojshme për një turizëm të qëndrueshëm ruralme rezultate të matshme si:

  • Përmirësim të infrastrukturës publike
  • Zhvillim ekonomik nëpërmjet diversifikimit
    të aktiviteteve ekonomike
  • Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor

PO CILAT JANË PASURITË E TRI FSHATRAVE TË ARDHSHËM TURISTIKË?

Nuk janë si fshatrat e tjera, pasi natyra, njeriu dhe Zoti u ka dhënë bukuri me ok, i bën të dallohen dukshëm nga të tjerët. Kanë monumente kulture të kategorisë së parë, plot histori dhe kulturë, trashëgimi dhe sqimë. Tek ato gjen heronjtë që kanë bërë historinë e shtetit, arsimit, kulturës, artit, trashëgimisë. Kanë edhe monumente natyre dhe peizazhe të mbrojtura, kanë edhe shumë të tjera të pazbuluara, fantastike dhe të bukura pa fund. Kanë kulturë të spikatur dhe elitë intelektuale të trashëguar, kanë bujari dhe mikëpritje shembullore. Kanë njerëz që të shtrojnë sofrën po u shkele në derë e të presin me këngë e valle, që i kanë duart e arta dhe zemrën të bardhë, shpirtin të japin po iu
fute në derë, kanë gatime që të lëpish duart! Këto fshatra janë Libofsha, Pojani dhe Cakrani, tri fshatra që së shpejti do hapin dyert pritëse për gjithë vizitorët, duke u bërë së shpejti sofra myzeqare turistike për gjithëturistët, e huaj dhe vendas.

POJANI

Është fshati, i cili ka lidhje organike me Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, i cili mban mbi vete 2606 vite histori qytetërimi dhe kulture. Apolonia është qyteti antik, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit dhe si qytet u themelua në fillim të shekullit të 7-të para Krishtit, nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.

Fshati duket sikur e ka vënë në zemër të vet qytetin antik, i cili ngrihet rreth 104 m mbi nivelin e detit, duke e rrethuar me fusha dhe kurora kodrash të cilat janë të veshura 12 muaj të vitit me gjelbërim, duke dhuruar peizazhe fantastike natyrore. Për të
shkuar në Apoloni, shumë mirë mund të shkosh përgjatë kodrave me këmbë, për të shijuar spektaklin e bukur të natyrës dhe dorës së njeriut. Këto vende tërheqëse janë ideale për turizmin e natyrës, aventurës dhe sportit duke filluar me hiking, exploring, mountain biking për të përfunduar në paragliding në hapësirat e bollshme të qytetit antik të Apolonisë.


Fshati ka rreth 2000 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 11 km2, nga të cilat 458 ha sipërfaqe toke në fushë dhe 56 ha në kodër. Banorët e tij merren me bujqësi, blegtori dhe kohët e fundit me vreshtari dhe bletë. Shquhet për tradita të kultivuara myzeqare: të mikpritjes, bujarisë, të kulturës, folklorit, të gatimeve plot shije. Banorët i përkasin besimit ortodoks, çka duket edhe në kishat shumëvjëçare pranë tij si ajo e Shën Mërisë në Apoloni.

LIBOFSHA

Është një prej 11 fshatrave të Njësisë Administrative me të njëjtin emër, i cili ndodhet në pjesën veriore të Bashkisë së Fierit. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 20 km2 , 8 km vijë ajrore larg nga deti Adriatik dhe ka rreth 2500 banorë. Rreth tij gjejmë 4 monumente kulture dhe 1 monument natyre. Kufizohet nga të gjitha anët me kisha të vjetra dhe plot histori: në Veri me kishat: Shën Kolli dhe Shën e Diela, në Lindje me Kishën e Shën Gjergjit dhe Manastirin e Ardenicës; në Jug me Manastirin e Shën Kozmait; kurse në
Perëndim me kishën Shën Sotiri të fshatit Agim. Ajo shquhet për kulturë të lartë besimi fetar dhe quhet “fshati i kishave”, pasi këtu, si në asnjë vend tjetër të Bashkisë së Fierit ndodhen 15 kisha, nga të cilat 3 janë monumente kulture të kategorisë së parë. Ato datojnë hershëm, qysh në vitin 1776 – 1777 (Kisha e Shën Gjergjit & e Shën Kollit) dhe në interierin e tyre kanë lënë gjurmë artistët e shquar të ikonografisë shqiptare Kostandin dhe Tërpo Zografi; Gjergji dhe Joan Çetiri.


E përmendur në histori qysh në fund të mesjetës, Libofsha vijon të mbetet e njohur edhe sot për historinë dhe njerëzit e shquar që ka nxjerrë, për kulturën e pasur dhe traditat e shkëlqyera.
Në këtë fshat, në 24 gusht 1908 u hap shkolla e parë shqipe në Myzeqe, ndërsa në 26 nëntor 1912 këtu ka qëndruar Ismail Qemali gjatë udhëtimit historik drejt Vlorës. Libofsha quhet ndryshe “djepi i traditës dhe kulturës”, fshati i sazeve myzeqare, duke përbërë një nga qendrat më tipike të ruajtjes së vlerave
etnokulturore myzeqare: të folklorit, zakoneve, dokeve, zejeve tradicionale, objekteve materiale të punës, të galerisë së gjerë të instrumentave muzikorë tradicionalë, të gatimeve dhe festave popullore.

Banorët e fshatit Libofshë merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori, por dallohen edhe për vreshtari. Këtu gjejmë kantina dhe brande verërash me varietete vendase si “Albanica” dhe “Bejko” dhe ferma të tëra familjare blegtorale, vreshtarie, të mbarështimit të gjelit të detit dhe rasate peshku.

CAKRANI

Është qendra e Njësisë Administrative të Cakranit, një  fshat që numëron 5300 banorë, me shtrirje gjeografike 14 km2. Ndodhet rreth 20 km larg nga qendra e qytetit të Fierit. Cakrani shquhet për burime të shumta historike, natyrore, mjedisore dhe trashëgimore.
Ai është një nga vendbanimet më të vjetra dhe më të njohura të krahinës së Mallakastrës, ku ndodhen tri
“stacione” të rëndësishme arkeologjike si: Thikëza, Mashkjeza dhe Gurëzeza.


Për të shkuar në Cakran, mund të përdorësh dy drejtime: ose autostradën e re Fier – Tepelenë, ose rrugën e vjetër: Qafa e Koshovicës – Cakran. Për ata që duan të shijojnë natyrën e Mallakastrës së butë, siç quhet Cakrani, ndjekin rrugën e dytë, e cila kalon përmes një traseje plot dredha, e rrethuar nga të dyja anët me një masiv të dendur pishash disa dhjetra vjeçare dhe kodrat e Mallakastrës së Poshtme të mbuluara nga gjelbërimi i ullinjve 12 muaj të vitit. Jo shumë larg fshatit Cakran, ndodhet Gurëzeza,
rreth 508 m mbi nivelin e detit, një qytet antik i pazbuluar ende, i panjohur jashtë Cakranit, por që fsheh në vetvete historinë mbi 2000 vjeçare të qytetit antik ilir të Gurëzezës, që për nga rëndësia historike nuk është më pak i rëndësishëm sesa Apolonia dhe Bylisi. Rruga që të çon për në Gurëzezë është nga më të bukurat që mund të të shoh syri. Ajo kalon përmes kodrave të tëra të mbuluara nga gjelbërimi i ullinjve, pyjeve me pisha që lëshojnë aromën marramendëse të tyre, ngastrave të vogla toke të mbjella nga banorët me gjithëfarë pemësh e bimësh. Rruga shkon përmes një traseje dheu natyrale të vështirë, por që është ideale për turizmin e aventurës dhe turizmin e sporteve të tjera të guximshme si: hiking, motor
biking, exploring etj. Në Gurëzezë ndodhet edhe Teqeja e Baba Refatit, vend peligrinazhi për besimtarët e zonës, të cilët çdo 14 mars festojnë një nga festat më të bukura tradicionale të zonës së Cakranit.
Në majë të kodrës, pamja përreth është vërtetë mahnitëse. Ndërsa shkel mbi rrënojat e pazbuluara të Gurëzezës, syri të kap ishullin e Sazanit, Karaburunit, një pjesë të mirë të kodrave të Mallakastrës dhe Labërisë. Aty në majë, natyra të pret me gjithë spektaklin e bukurisë të saj.


Popullisa merret me blegtori dhe bujqësi. Kjo zonë spikat në kultivimin masiv të ullirit, por vitet e fundit, fshati shquhet edhe për mbarështimin e tufave të mëdha të gjelit të detit, rritjes së bletëve dhe ngritjes së baxhove artizanale të përpunimit të qumshtit.

Përsa i përket trashëgimisë kulturore, Cakrani trashëgon kulturën, traditat, krijimtarinë folklorike të zonës së Mallakastrës.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

140 raste të reja dhe 5 humbje jete. Rekord rastesh të reja në Fier !!

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në përditësimin e të dhënave të pandemisë së COVID-19, ka njoftuar se në 24 orët e...

Femrat e jetës time kanë pirë më shumë uiski se sa ujë, deputeti hap arkivat, tregon kaçurrelat

Deputeti Kostaq Papa, i cili bëri bujë për deklaratën e tij në Kuvend, ku tha se kur ishte i ri dhe kur...

Përse shpesh njerëzit martohen me një person tjetër nga ai që duan?

Një student e pyeti Profesorin, “Përse shpesh njerëzit martohen me një person tjetër nga ai që duan?”Profesori i tha: “Për t’iu përgjigjur...

Kam bërë video intime me të, e reja denoncon ish-partnerin: Kushërinjtë donin ta sqaronin ”shqiptarçe”

Një 26 vjeçare këmbëngul se jeta e saj është marrë peng në distancë nga ish i fejuari që i kërkon rikthimin tek...

Recent Comments