Thursday, April 22, 2021

Pse e lakmojnë grekët dhe serbët Myzeqenë? – Nga Naun Kule

Myzeqeja-prikë e tri nuseve princesha… Pretendimet greko-serbe për këtë thesar të mbarë shqiptarëve. Libofsha, “Principata e Aleksandrit”!? Libofsha, njëra nga qendrat më të lashta dhe e njohur për histori dhe shkollim, ku u hap Mësonjëtorja shqip që më 1908, këtej e tutje do përmendet edhe për çeljen e shkollës së parë serbisht, gjoja si kërkesë e një pakice serbe të sajuar nga disa myslimanë të shpërngulur me dhunë pikërisht nga serbët në vitet 1924-1935

Nga Naun Kule

Myzeqeja, gjithnjë e lakmuar; përherë dhe nga të gjithë.

Asnjë pushtues, i afërt a i largët, ardhur nga deti a toka, nga veriu a jugu, s’ka shkuar nga Shqipëria pa shkelur Myzeqenë. Përjetësisht pre e ardhësve; disa për fushën pjellore dhe kodrat e ulta, për klimën e butë dhe detin e paqtë. Por, mbi të gjitha, për njerëzit e butë…

Për këto dhe pikërisht këtu, në këtë breg deti dhe mes fushe, u përleshën për jetë a vdekje legjionet romake për Romën e tyre dhe Apoloninë tonë. Ai që humbiste njërën këtu, mbetej pa asnjërën atje…! Kush fitonte Dyrrahun dhe Apoloninë e Myzeqesë, fitonte Romën, sundonte perandorinë!

Ja pra, ishte një kohë, (shek. 1 para erës së re), kur kacafytjet mbinjerëzore epokale me jehonë dhe ndikesë botërore, zhvilloheshin dhe vendoseshin pikërisht këtu, ndër vatrat dhe sinoret e stërgjyshërve tanë arbërorë, anëbrigjeve të këtyre lumenjve, Shkumbin, Seman, Vjosë, (Genus, Aps, Asos), të cilët, sikundër edhe sot, përgjysmonin fushën e madhe të Apolonit-Myzeqenë. (1)

Dhe, për shkak të atyre, (por, pa dashjen e këtyre), stërgjyshërit tanë matanë dhe këtej brigjeve të lumenjve Aps-Genus, ktheheshin në luftëtarë – “humbës a fitonjës”, të ushtrive më të fuqishme të botës.

Po të gërmojmë thellë në histori dhe nëntokën e pasur të kësaj fushe pjellore, bashkë me eshtrat e stërgjyshërve tanë, do gjejmë këtu edhe nishanet e perandorëve dhe strategëve që lemerisën njerëzinë, gjeneralë të Çezarit e Pompeut, të mijëra të tjerëve, para dhe pas tyre.

“…Që në shekullin e katërt para Krishtit, kjo trevë ishte zonë rivaliteti mes Romës dhe grekërve…” (2).. Ky rajon, (Myzeqeja; Berat-Durrës-Vlorë-N.K.), ka qënë gjithmonë toka e ndërmjetme, kufiri mes gjuhëve, feve dhe fuqive politike; një produkt i lindjes dhe i perëndimit, një shkrirje e porteve të latinëve dhe grekërve, një amalgamë e botëve romane dhe bizantine, ku edhe sot e kësaj dite, vezullojnë kristale të shumta të lashtësisë…” 2/1 (Milan von Shuflai)

Disa shekuj para Çezarëve romakë, ishin grekët që zbarkuan ndër këto brigje, që shkelën këtë fushë dhe kapërcyen këta lumenj.

Ishin kolonët e parë helenë të prirë nga Gylaku me shokë, që e gjetën parajsën, gjithashtu në Myzeqe, mes Dyrrahut, Apolonisë, Aulonës…

Po kështu për disa vite radhazi, porti dhe Pirgu i tij në Ndërnënasin e sotëm, asokohe në derdhjen e lumit Seman, “…ishte objekt sherri dhe lufte midis princërve Muzakë të Beratit, Topiajve të Durrësit dhe Balshës së Vlorës…”

Qindra vjet më vonë, zotër të tjerë, princër, kryqtarë dhe perandorë kapërxyen ndër këto troje me synim të nguleshin dhe mbeteshin zotër të kësaj fushe të begatë, këtij bregdeti të virgjër e banorëve të paqtë. Por erdhën dhe shkuan “…si uji mbi shpinën e rosës”, do shkruante studjuesja e mirënjohur angleze, Edith Duhram.

“Këtë krahinë e bënte të lakmueshme posaçërisht rëndësia strategjike, por jo më pak edhe pasuria e saj prodhuese si në drithëra, kripë, lënda drusore, peshkimi, etj” (3/1)

“…Zotërimi i steresë adriatikase ishte garanci e Venedikut për të furnizuar vendin e vet me ushqime, lëndë drusore, grurë, bagëti, punëtorë dhe ushtarë…Në vitin 1533 Republika e Venedikut financon ndërtimin e anijeve me tonazh të lartë për të garantuar që këtu (pra nga fusha e Myzeqesë-N.K.) importin e kripës dhe të grurit që ishin me shumë rendësi për financat venedikase…”

Me pasuritë e pashterëshme materiale, lakmia ndaj Myzeqesë do të fuste në grindje e gjer në përballje ushtarake, princërit e njohur shqiptarë të mesjetës, Balshët-sundimtarë të Shkodrës të cilët, kërkonin fushë dhe bregdet në Adriatik, dhe Karl Topinë, zot i Durrësit dhe i pronave të tjera, ndër këto anë.

Beteja e Savrës (afër Lushnjes, më 1385), mes K. Topisë dhe Balshës, ishte fundi i palavdishëm i kësaj lakmie, të cilën Balsha e pagoi shumë shtrënjtë, me kokën e vet, në fushën e Savrës.

Dihet se për të bashkuar këta princër lakmitarë dhe qejfmbetës, 66 vjet pas kësaj beteje, (26 prill, 1451), Skëndërbeu do të zgjidhte pikërisht Myzeqenë, madje, ballkonin e bukur të saj, Manastirin e Ardenicës, për të bërë këtu, kurorëzimin e martesës së tij me Donikën, teksa kthehej nga Kanina e Vlorës si dhëndër i Gjergj Arianitit.

“…Kështjellat e Durrësit, Beratit, Vlorës dhe Spinaricës, (në derdhje të Vjosës), në vitin 1258, u dhanë si prikë (pajë), për nusen Helenë, bijë e despotit të Epirit, Mihali i dytë, që u martua me princin Manfred, të Mbretërisë së Siçilisë…” (Prof P. Xhufi, “Dilema e Arbërit”, 2006, fq. 99)

Pasuritë dhe vlerat e kësaj fushe, bregdetit dhe limaneve të tij, nxitën edhe gjoja “dashurinë dhe miqësinë e madhe” të Luanit të Janinës, Ali Pashait, për murgun antishqiptar, Kozma Etolin (“shen” Kozmai, 1714-1779), për të cilin “ndreqi edhe Manastirin në Kolkondas…” më 1814.

Po këto lakmi dhe interesa ndaj Myzeqesë dhe banorëve të saj, nxitën krushqinë mes Ali Pashait të Tepelenës dhe pashait të Beratit, me kusht që prika e nuseve beratase për dhëndurrët tepelenas -princër mbi princa; Myftari dhe Veliu- të ishte pikërisht kjo; Myzeqeja dhe bregdeti i saj, të cilat përfunduan në duart e sundimtarit të Janinës.

Tashmë njihet fati dhe përgjakja e kësaj krushqie e cila, përfundoi në përleshje ushtarake mes dy pashallarëve-krushq, njeri prej të cilëve, Ibrahim Pasha i Beratit, humbi jeten si rob i krushkut Ali, në birucat e sarajeve të Janinës.

Rreth një shekull më vonë dhe sërish për shkak të lakmisë ndaj Myzeqesë, u përplasën, u shanë dhe prap u puthën burrat më të njohur në Europën e asaj kohe; të besuarit e mbretëreshës së Anglisë dhe imperatori iItalisë mike, Benito Musolini.

Mbreti ynë, Ahmet Zogu, në vitet tridhjetë (shek 20-të) i kërkoi Musolinit një kredi të majme bankare. Musolini pranoi t’ia japëpor i kërkoi mbretit tonë fushën e Myzeqesë. Atëhere Ahmet Zogu ndërroi drejtim. Ua kërkoi kredinë bankare anglezëve. Qeveria angleze pranoi ta ndihi lartmadhërinë e shqiptarëve po çuditërisht, kushti ishte i njëjtë. Si shperblim edhe anglezët kërkojne të “…eksplloarojnë fushën e Myzeqesë…”!?

Midis dy të këqijave, mbreti ynë zgjodhi më të voglën. Ia premtoi Myzeqenë Musolinit dhe mori paratë nga bankat italiane….! Dhe pasojat nuk vonuan. Në prill, 1931, gazeta “Liria kombëtare” nga Gjeneva ku dilte, jep alarmin: “…Plani i Musolinit për të vendosur disa dhjetra mijë italianë në fushën e madhe të Myzeqesë po komentohet në shtypin e botës… Bankat inglize prauan t’i japin mbretit shqiptar një hua por kërkuan eksplloatimin e gjithë fushës së Myzeqesë. Mbreti ynë është dakort por mbi vullnetin “sovran” të Sulltanit të Tiranës, qëndron vullneti ca më sovran i Musolinit…

…Populli shqiptar është egërsuar aq tepër sa kur t’i shohi italianët e Duçes në Vlorë, do ngrihet në këmbë e t’i presë me dyfek… sepse e di që vendosja e kollonëve italianë në Myzeqe është nisja e pushtimit fashist dhe skllavërimi i gjithë Shqipërisë…”

Po pse, edhe këta; italianë e anglezë pikërisht Myzeqenë?! Sepse, e thamë; afër detit, afër mbretit…! Prikë për princesha…!

“Njeri nga mjetet më me rëndësi të përhapjes së qytetërimit, është bregu i detit…” shkruante një shekull më parë ishkryeministri i Shqipërisë, staticieni i njohur, Mehdi Frashëri.(7)

Dhe, anëdetjen, këtë pasuri të patjetërsueshme, Myzeqesë ia ka “falur zoti” me bollëk. Dëshmi dhe dokumente të shumta të huaja e vendase, e rrëfejnë Myzeqenë si njërën nga fushat “më të zhvilluara të sinisë ilirike”. Bregdeti i saj i “mbjellë” me porte dhe skela grykëlumore, gjallonte nga tregtia mes Myzeqesë dhe qyteteve italike. Qendrat portuale dhe qytetare të bregdetit si ato të Spinaricës, Pirgut, Bashtovës, Karavastasë, etj, më vonë edhe ato të Semanit e Divjakës, zhvillonin aq tregti sa republikat italike të Venedikut, Raguzës, etj, kishin vendosur edhe zyra doganore, pasi bënin këtu politika të diferencuara tregtare.

Dhe, çuditërisht, (por jo rastësisht…!), historia vjen e përsëritet, domosdo, përshtat spiraleve të kohës. Pikërisht kërthiza e Myzeqesë, trekëndëshi Ardenicë-Apoloni-Divjakë, tashmë tërheq vëmendjen e një princi-sigurisht, gjakblu, këtë herë nga Franca e largët i cili, gjithashtu ka zgjedhur-siç di të zgjedhë një princ, të ngrerë Principatën e vet pikërisht këtu, nën Ardenicën tonë të bukur nga ku, siç shkruante E.Lir me 1848, “shihet e gjithë bota…deti dhe Tomorri,Shpiragu, Apolonia e Bashtova, natën, Durrësi e Bari..”

Domethënë, kjo pjese e Myzeqesë, e vetëquajtur nga princi si “Principata e Aleksandrit”, siç na shkoqiti në një emision televiziv partnerja princërore e princit Aleksandër, znj.E.Harxhi,

“…I ka të gjitha, siç i do Princi; tokën dhe detin, klimën dhe ujin, bimët dhe njerëzit, kishat dhe të krishterët, shkollimin dhe kulturën…”

Pra është zgjedhja e një princi europian, me vizione të tejkohshme i cili, duam të mendojmë ne, siç di të zgjedh më të mirën mes shoqeve, princi di edhe çfarë bënë, paçka se gjithë sa dëgjuam nga zonja Harxhi, ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë…!

Gjithsesi, le të presim dhe shpresojmë…!

Por, merakun dhe dyshimet për çka tha partnerja princërore për “Principatën e Aleksandrit” këtu, në Myzeqenë tonë, na shtohen kur shohim se pikërisht këtu, sërish në Myzeqe dhe për Myzeqenë, po rivalizojnë dhe përplasen lakmi të tjera, të vjetra e të reja. Madje, jo të ardhura nga aq larg sa kjo e princit Aleksandër, por që “matan gardhit” nga fqinjët tanë grekosllavë.

Që shumë kohë më parë dhe fare heshturazi këta kanë konkretizuar pikërisht këtu interesa politiko-ekonomike me dukje krejt të rrejshme si fetare- arsimore- kulturore.

Kështu që Libofsha, njëra nga qendrat më të lashta dhe e njohur për histori dhe shkollim, ku u hap Mësonjëtorja shqip që më 1908, këtej e tutje do përmendet edhe për çeljen e shkollës së parë serbisht, gjoja si kërkesë e një pakice serbe të sajuar nga disa myslimanë të shpërngulur me dhunë pikërisht nga serbët në vitet 1924-1935.

Ndërkohë që, rreth tre kilometra më tej, është Kolkondasi me manastirin e ndrequr gjoja për nder të grekut Kozma, i shenjtëruar e mitizuar nga kisha greke, që e përdor si “gur sinori” mbështetur nga nacionalistët grekë vorio-epirotë, nën flamurin e murgut Kozma…!?

Ky kryqëzim lakmitar i interesave nacionaliste të fqinjëve tanë ndaj Myzeqesë (dhe jo vetëm…), bënë që ekipe priftërinjsh të kishës serbe kërkojnë gjurmët e ikonografisë sllave në Manastirin e Ardenicës, ndërkohë që priftërinj dhe “studjonjës” të kishës greke, bëjnë të njëjtën gjë në manastirin e Kolkondasit dhe në kishat e tjera të Myzeqesë, mbështetur nga drejtuesit pro grekë të KOASH-it.

Ja pra, ky rivalitet i fqinjëve tanë jugveriorë për Myzeqenë, ndoshta këtej e tutje duhet të bjerë në ujdi me princin e “Principatës së Aleksandrit”, apo, larg qoftë, do shohim përplasje mes tyre ?

Merret vesh, si gjithnjë lakmitë dhe përplasjet e të huajve këtu, bëhen për Myzeqenë, por jo për myzeqarët..!

Gjithsesi, lakmitarët më jetëgjatë dhe më hileqarë ndaj Myzeqesë (dhe jo vetëm kësaj…), më kokëfortët në orekset e tyre qindravjeçare, kanë qenë dhe mbeten… grekët!

Që nga koha e ngulimeve greke në Dyrrah e Apolloni, (shek.5-7 pr. K), për mbi 2500 vjet, grekërit vazhdojnë ende sot t’ju mbushin mendjen vetes dhe të huajve, se hartat helene të Megaliidhesë, ecin drejt “Vorio Epirit”, kapërcejnë fushën e Myzeqesë tej lumenjve të saj Vjosë e Seman, dhe mbërrijnë gjer në…. Shkumbin!? Vaj medet…!

Plakat e Myzeqesë për raste të tilla, rrëfejnë atë, përrallën e demit që vazhdon ta ndjekë laraska, me shpresë se do t’i bien…!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Artistja që kandidon për Fierin nga lista e PD: Do të mbështes njerëzit e thjeshtë, cila është sfida ime

Lista shumëemërore e kandidatëve për deputetë e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj përmban profile dhe profesione të ndryshme. Një prej tyre...

Mehmetaj: Hoqën me forcë posterat e LSI-së se do të vinte Rama

Kandidatja për deputete e LSI-së Kejdi Mehmetaj u shpreh se në Fier kësaj partie i është kërkuar që heqë posterat nga godina...

Rama: Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm, bujqësi e agroturizëm

 Nga Fieri, kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu bërë kampione në Ballkan në fushën...

Rama: Ju bëni 11 mandate në Fier unë do të bëj 110 herë më shumë për ju

Kryetari i Kuvendit dhe njëherazi kandidati për deputet i PS-së në Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi deklaroi sot se me fitoren e...

Recent Comments