Kulturë

Vepra “Amber Alert” e autorit fierak Odise Plaku përsërit suksesin e Athinës me premierën e saj në Tiranë

Vepra “Amber Alert” e autorit Odise Plaku pas suksesit të korrur në skenën helenase shënon një sukses me premierën e saj në skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë. Shkruar nga dramaturgu Odise Plaku kjo vepër u kushtohet viktimave të trafikuara për qëllime prostitucioni dhe shfrytëzimit seksual në mbarë botën.

Cest la vie

Vepra mban vulën e interpretimit magjik të aktores së mirënjohur të skenës dhe ekranit grek Georgia Zoi dhe me regji të Giota Koundourakis.

Në aktivitetin artistik si dramaturg Odise Plaku është një nga autorët e njohur, që dhe më parë me veprat e tij ka përcjellë mesazhe te publiku.

Edhe në Tiranë me këtë vepër, interpretimi i aktores Georgia Zoi solli emocione të forta tek të pranishmit. Aktorja gjatë 70 minutave arrin të përcjellë mesazhet e fuqishme të kësaj vepre kundër plagës sociale të shfrytëzimit të vajzave në moshë fare të mitur për qëllime trafikimi.

Në qendër të veprës “Amber Alert” shkruar nga dramaturgu Odise Plaku është një nënë, e cila në një botë makthi ka vite që kërkon vajzën e saj 14-vjeçare e humbur prej kohësh. Në një botë ku tregtia e mishit lulëzon dhe pushteti mbulon krimet masive të korrupsionit dhe epshit kanibalesk, nëna do të flasë, do të denoncojë.

Nëse zemra e saj shpërthen, dhimbja do të mbytë të gjithë botën, sepse tani kjo grua e thjeshtë, e shtypur nga një mjedis patriarkal, shndërrohet në një figurë tragjike arketipe, që rebelohet kundër korrupsionit të pushtetit.

Vepra “Amber Alert” e autorit të njohur Odise Plaku e luajtur më parë dhe në teatrin “Viktoria” në Athinë në Greqi në sajë të bashkëpunimit me kompaninë “Dionis Enigma”, shënon bashkëpunimin e parë mes një autori shqiptar dhe artistëve të skenës greke.

Vepra solli emocione të fuqishme tek të gjithë ndjekësit e saj përmbi katër muaj, por mori vëmendjen e medias së shkruar, radiofonike dhe televizive dhe të kritikës së artit skenik në Greqi. Pas suksesit të veprës në Greqi, falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunimit me ambasadën e Greqisë në Shqipëri “Amber Alert” mbërriti edhe në skenën e Tiranës.

Dikur me titull “Klithma e një nëne të marrë”, tashmë me emrin e globalizuar “Amber Alert”, vepra është luajtur për herë të parë në skenë e teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit nga aktorja e njohur Hajrie Rondo në vitin 2006.

Po në vitin 2009 kjo vepër teatrore do të luhet dhe në skenat e Kosovës nga aktorja Teuta Sadiku.

Së shpejti në skenën shqiptare do të ngjitet një vepër e re dramatike “Shtëpia e re” një projekt teatror i mbështetur nga bashkia e Fierit duke lëvruar fuqishëm dramën shqiptare një domosdoshmëri për artin dhe kulturën shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button