Policia e Fierit ka ndërmarrë sot një aksion në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum”, që operon në fushën e nxjerrjes së naftës në Marinëz.
Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Anila Sefa, si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar drejtori aktual i kompanisë, shtetas kinez, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
Ndërkohë detaje të tjera janë zbardhur lidhur me arrestimet në “Bankers Petroleum” në Fier, ku bëhet e ditur se janë dhënë 14 urdhër-arreste për drejtues, ish-drejtues dhe zyrtarë të kompanisë. Katër persona janë vënë nën masën “arrest shtëpie” nga Gjykata e Fierit, teksa katër zyrtarë të tjerë kinezë, janë shpallur në kërkim.
Operacioni policor është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Forcat e rendit, të shoqëruara nga një furgon i Tatimeve, janë parë të hyjnë në ambientet e kompanisë gjatë mesditës së sotme. Bëhet me dije se veprimet hetimore vijojnë të jenë aktive, ndërkohë që ende nuk janë dhënë detaje mbi akuzat ndaj të arrestuarve.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se ky kontroll dyshohet për ngritjen e një skeme mashtrimi në dëm të shtetit. Ende nuk ka asnjẽ reagim zyrtar.
/tvklan.al