Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka nisur të ndjehet edhe në Shqipëri, ku disa fluturime nga dhe drejt Izraelit janë pezulluar përkohësisht nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, kompanitë ajrore që operojnë në linjat Tiranë–Tel Aviv dhe kthimet përmes Jordanisë, kanë pezulluar fluturimet për arsye sigurie pas zhvillimeve të fundit në rajon.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe palët ajrore. Pezullimi është një masë parandaluese për sigurinë e pasagjerëve. Qytetarët e prekur do të informohen për riorganizimin e udhëtimeve në ditët në vijim,” thuhet në deklaratën e AAC-së.
Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë në Izrael ka lëshuar një thirrje për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Tel Aviv dhe zonat përreth, duke i këshilluar të ndjekin me kujdes udhëzimet e autoriteteve vendase dhe të regjistrohen pranë misionit diplomatik për çdo rast urgjence.Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pas një sërë goditjesh ajrore të ndërsjella midis forcave izraelite dhe objektivave strategjike iraniane.
Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për rrezik destabilizimi më të gjerë në rajon.Në Rinas, dhjetëra udhëtarë janë parë në sallat e pritjes të aeroportit, të paqartë për fatin e udhëtimit të tyre.
Shumë prej tyre janë turistë ose biznesmenë që kishin planifikuar vizita kulturore dhe komerciale në Jeruzalem, Haifa apo Aman.
AAC ka theksuar se pasagjerët që kanë prerë bileta për në destinacionet e prekura duhet të kontaktojnë kompaninë ajrore për rimbursim ose riorganizim të fluturimit. Po ashtu, autoritetet shqiptare janë në gatishmëri për çdo ndihmë konsullore të nevojshme.