Monday, June 21, 2021
Home Histori Estrada e Fierit / Një histori suksesi - Nga Ilirjan Gjika

Estrada e Fierit / Një histori suksesi – Nga Ilirjan Gjika

Në 5 maj të vitit 1957 u themelua në Fier, Teatri i Estradës, i cili ishte trupa e dytë e varietesë në Shqipëri pas asaj të Tiranës. Estrada ishte një lloj i artit dramatik i cili përmbante të ndërthurura pjesë të shkurtra komike duke përfshirë skeçin, kupletin, parodinë, këngën, pantomimën, monologun, etj.

Veprimtarinë e tij ky teatër e nisi me një staf aktorësh dhe këngëtarësh si: Nestor Pogaçe, Terezina Gjerazi, Natalia Mëhilli, Vasilika Kaleshi, Tashko Lako, Fuat Boçi, Leonidha Prifti, Kujtim Jorgaqi, Pjerina Shoshi, Zoi Papa, Skënder Lloshi, Mehmet Muka, Isuf Maloku, Llazar Doko, Kozma Shallapi, Sokrat Robo, Sofika Dimo, Shpresa Memo, Timo Lule, Stavri Gjerazi, Luçi Bele, Agim dhe Xhevahire Dollani. Regjizor do të ishte Llazar Verria. Më pas kësaj trupe ju shtuan me vonë edhe një sërë aktorësh të cilët erdhën nga lëvizja amatore si: Luftar Paja, Hasan Bregu, Todi Llupi, Arqile Lipe, Sotir Stefa, Vasil Vaso, Hateme Ruzhdia, etj.

© Teatri Bylis Fier

Ndërsa pjesa tjetër ishin aktorë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve si Xhuljeta Kulla dhe Natasha Sela. Në vitin 1995, Teatrit të Estradës, ju bashkua edhe aktori Fatmir Xhelili, pjesëmarrës i jashtëm në premierat e tij. Ndërsa si regjizorë të kësaj estrade në vite do të ishin Llazar Verria, Gulielm Radoja, Koço Papadhopulli, Pëllumb Kulla, Roland Roshi, si dhe Roland Çarka e Klajdi Marku në periudhën e fundit të veprimtarisë së saj.
Sipas Fuat Boçit, njërit prej aktorëve më të vjetër të trupës, do të ishte Llazar Verria regjizori që krijoi fizionominë dhe i dha emër Estradës së Fierit. Ai punoi për 20 vjet me radhe duke futur talentet e reja në të. Ndërsa regjizori Pëllumb Kulla e ngriti këtë teatër estrade në majat më të larta. Gjatë periudhës prej 18 vjetësh të punës së tij, ai futi një frymë të re në formë dhe përmbajtje, duke krijuar personazhe që janë skalitur në memorjen e artdashësve në mbarë Shqipërinë.

© Teatri Bylis Fier

Meritë e Pëllumb Kullës do të ishte se midis lojës në grup krijoi edhe individualitete të spikatur, sic ishin aktorët: Luftar Paja, Fuat Boçi, Xhuljeta Kulla, Todi Llupi, Arqile Lipe, etj. Të paharruar kanë mbetur personazhe si Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina e Çobo Rrapushi apo pjesët humoristike si Çobo Rrapushi me shokë, A doni më për Belulin, Telefoni i ri, Fshatarët dhe kadiu, Luftë e ngatërruar, etj.


Ndërkohë që Teatri i Estradës pëmbante si pjesë përbërëse dhe organike të tij edhe grupin e këngëtarëve, të cilët pasonin në intervale të rregullta pjesët e humorit. Gjatë 42 vjetëve të aktivitetit të saj përmenden kontributet e këngëtarëve:Engjëllushe Daja, Natali Mëhilli, Lefteri Sillo, Vasilika Kaleshi, Pjerina Shoshi, Sofika Dimo, Timo Lule, Sofika Hodo, Luljeta Gjerazi, Violeta Mashani, Miti Nushi, Petraq Shyti, Brunilda Hoxha, Vasilika Stamo, Petraq Noti, Llazar Pove, Vilson Shaho, Ylli Cakrani, Fatos Manaj, Adriatik Agalliu, Anesti Toska, Edmond Fishta, Maks Dertliu, Vladimir Muzha, Anesti Çuko, Ilir Suku, Mira Bregu, Grupi i Këngës Popullore Qytetare Fierake, Rovena Stefa, Erjon Korini, etj.

Një meritë të madhe kanë patur edhe drejtuesit e orkestrës Nikollaq Bulo e Gaqo Terpini, instrumentisi dhe dirigjenti Isuf Maloku, kompozitori i talentuar dhe novator Ferit Hoxha, instrumentistët Miço Sopiqoti, Llazar Doko, Vasillaq Zahariu, Miti Nushi, Jani Tase, Ilir Bele, Vaska Nika, Agron Bego, Vaska Sopiqoti, Aleksandër Prenushi, Arjan Papa, Ismail Janina, Robert Hoxha, etj.

© Teatri Bylis Fier


Pikërisht këtu mund të veçojmë Ferit Hoxhën, njeriun që e drejtoi orkestrën në vitet 1974-1992. Me muzikën e kompozuar prej tij dhe tekst të Pëllumb Kullës u vu në skenë dhe në ekranin e RTSH-së, në koncertin e vitit të ri 1982, kupleti i paharruar Do martojmë Malon, kënduar nga Todi LLupi dhe Arqile Lipe.

Por një kontribut të veçantë në sukseset e artit skenik ka patur edhe prapavija e ketij teatri, ku kane dhënë kontributin e tyre skenografët Dilaver Muka, Anesti Cini, Shemedin Ruçi, Pano Kondo e Gëzim Hajdini, mjeshtrat e ndriçimit Engjell Boriçi e Thanas Tito, mjeshtrat e kostumografisë Nuzet Golemi e Edmond Dashi, rekuizeria Hateme Ruzhdia, inspektori i skenës Zoi Papa, mjeshtrat e fonisë Xhemal Kelmendi e Alfred Tase, mjeshtrat e dekorit Naun Papuçiu, Kristaq Dumi, Filip Nano, etj.

© Teatri Bylis Fier


Me themelimin e Teatrit Bylis në vitin 1971, shumë aktorë të tij do ti jepnin kontributin e tyre në trupës së estradës, jo vetën në premierat e saj, por edhe në programin e përvitshëm të Koncertit të Vitit të Ri, që shfaqej në ekranin e TV Shqiptar. Ndërkohë në vitin 1999 për shkaqe të njohura trupa e Estradës u bashkua me atë të Teatrit Bylis, duke përfunduar kështu një histori 42 vjeçare suksesi dhe arritjesh

Fotot nga Arkivi i Teatrit Bylis

(Për përgatitjen e këtij materiali u shfrytëzuan pjesë të ndryshme të historikut të estradës dhe kujtime ndër vite të aktorëve të saj).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Nesër, solstici veror, kur ndodh dhe si ndikon në jetën e njeriut në Tokë

21 qershori është dita më e gjatë e vitit, e cila shënon edhe fillimin e stinës së verës në hemisferën veriore. Ky...

E rëndë / Bie nga fiku, ndërron jetë 17 vjeçarja

Një vajzë 17-vjeçe ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Lushnje pasi aksidentalisht ka rënë nga pema. Ngjarja ka ndodhur në fshatin...

Degradon situata, vëllezërit heqin rripat e pantallonave (Video)

Të ftuar në seancën e ndërmjetësimit “Shihemi në Gjyq” tek E Diela Shqiptare kanë qenë dy vëllezër të cilët prej kohësh janë...

Debat me tone të ashpra: Eduardi e quan vëllain monstër, nuk do ta shohë me sy…

Të ftuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” kanë qenë të ftuar Eduardi dhe Gramozi, dy vëllezër të...

Recent Comments