Gaforrja blu e shfaqur prej disa vitesh në bregdetin e Adriatikut, po shkatërron kohë pas kohe sektorin e peshkimit në lagunën e Karavastasë.
Ajo pushton ujërat e detit dhe të lagunës, sidomos gjatë verës. Sipas peshkatarëve, ka ndikim negativ pasi largon peshkun, duke mos e lejuar të futet në lagunë. Shqetësues për peshkatarët mbetet edhe dëmtimi i rrjetave.
Peshkatari Gentjan Gjeka shprehet:
“Gaforrja ka 10 vite që është shfaqur në lagunën e Karavastasë. Ndikon për keq në sektorin e peshkimit, për rrjetat, nuk e lejon as peshkun të hyjë në “reze” siç e themi në gjuhën e peshkatarëve. specie grabitqare që ha çdo gjë, peshkun, ngjalën. Bëhet çdo vit problem”.
Ata tregojnë se ajo po u ‘vret’ aktivitetin dhe të ardhurat ekonomike.
“Është diçka shumë shqetësuese për ne pasi ne me këtë ushqehemi. Kjo na ndihmon. Ne nuk i hedhim më në ujë, por ato vetvetiu shtohen”, thotë peshkatari tjetër Agim Sota.
Nga një vëzhgim i bërë në momentin e grumbullimit, rezulton se 80 % e sasisë së kapur nga peshkatarët e përbëjnë gaforret dhe vetëm 20% është peshk.
Prania e kësaj specieje grabitqare ka vënë në vështirësi jo vetëm peshkatarët nga ana ekonomike, por edhe specialistët e fushës, të cilët nuk shikojnë asnjë zgjidhje për eliminimin e saj. Peshkatarët mundohen ta reduktojnë praninë e gaforres duke i tharë dhe duke i groposur ato që bien në rrjeta.
Megjithatë, gaforrja blu nuk duhet parë vetëm si problem. Në shumë vende të botës, është një produkt i kërkuar në restorante dhe një burim i rëndësishëm ekonomik. Por në tregjet shqiptare, gaforrja blu shitet lirë, rreth 50 lekë për kilogram, ndaj as peshkatarët nuk e konsiderojnë në të ardhurat e tyre.
Ekspertët sugjerojnë se ne duhet ta shfrytëzojmë si produkt ushqimor, duke kthyer nga sfidë, në një mundësi biznesi.
Burimi: shqiptarja.com