Ekipet shëndetësore të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla mjekësore për çdo pushues në zonat bregdetare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga puna e ekipeve të NJVKSH në plazhet e Zvërnecit, Semanit, Divjakës dhe Sarandës.
“Në këto ditë të nxehta vere në brigjet e Zvërnecit, Semanit, Divjakës dhe Sarandës, ekipet tona shëndetësore janë çdo ditë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla mjekësore për çdo pushues që ka nevojë”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se “tendat shëndetësore verore janë aty për t’u kujdesur që pushimet tuaja të jenë të sigurta dhe me kujdesin e duhur shëndetësor”.
Përveç ekipeve shëndetësore të NJVKSH, gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë edhe 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
Qendrat shëndetësore verore janë të vendosura pranë pikave më të frekuentuara turistike dhe plazheve, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme në çdo situatë emergjente, si dhe duke ofruar shërbime parandaluese dhe këshillimore për të ruajtur shëndetin e pushuesve.




