Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Korçë, pasi tre fëmijë të moshave 3, 8 dhe 11 vjeç përfunduan në Pediatrinë e spitalit rajonal, pasi kishin konsumuar disa karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash, të cilat dyshohet të jenë me përmbajtje lëndësh narkotike.
Shefi i Pediatrisë së spitalit rajonal Korçë, Robert Rado në një intervistë për mediet tha se gjendja e dy prej vajzave paraqitet normale, ndërsa vajza më e vogël, e cila ishte edhe në gjendje më të rëndë për jetën, ka dalë nga intubimi.
Sipas mjekut, e mitura ruan parametrat jetësorë, me oksigjen brenda normave, por është shpejt për të dhënë një mendim përfundimtar mbi ecurinë e saj, pasi substancat kanë efekte afatgjata.
“Këto ishin tri vajza të moshave të ndryshme: njëra ishte 11 vjeç, më e madhja; tjetra ishte 8 vjeç; dhe më e vogla 3 vjeç. Më e madhja nuk kishte shfaqur ndonjë simptomë problematike. Kishte vetëm efekte të lehta të substancës që kishte përdorur. Asaj iu dha një ndihmë e veçantë, u mbajt në observim. Vajza që ishte 8 vjeç kishte simptoma të lidhura me substancën që kishte marrë. U bë ndërhyrja e përshtatshme në përputhje me gjendjen dhe sot është më mirë, me parametra normalë, e zgjuar, reagon dhe është në përmirësim.
“Problemi ishte me vajzën më të vogël, 3 vjeç, e cila erdhi në gjendje të rëndë, me simptoma nga sistemi nervor, si rezultat i efektit që japin këto substanca mbi të. Ne kemi pasur raste intoksikacionesh nga medikamentet apo lëndë të tjera që përdoren për qëllime të ndryshme, por rast në këtë moshë, veçanërisht 3 vjeç, me këtë lloj substance, nuk kemi pasur. Ky ishte i pari që erdhi në gjendje të rëndë dhe u detyruam ta intubonim fëmijën në shërbimin e reanimacionit të të rriturve. Pasi pamë gjendjen, u konsultuam dhe, duke u nisur nga rrethanat dhe koha, vendosëm ta intubonim për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për t’i shpëtuar jetën.
“Aktualisht, që po flasim, kemi ardhur nga reparti i reanimacionit të të rriturve, ku fëmija është ekstubuar, pra është hequr nga aparati i ventilimit. Ruan parametrat jetësorë, është me oksigjen në një gjendje të kënaqshme brenda normave. Por përsëri është shpejt për të dhënë mendime përfundimtare mbi ecurinë, sepse këto substanca kanë efekte afatgjata. Efektet mund të zgjasin nga 6 orë deri në 3 ditë, ndërsa eliminimi i tyre nga organizmi, përmes sistemit renal, pra urinimit, mund të shkojë deri në 15 ditë”, tha Rado.
Mjeku tha se bëhet fjalë për substanca që bën pjesë në kanabinoidë, derivate të kanabisit, të cilat shiten në formë karamelesh. Sipas mjekut, nëse përdoren pa kriter në moshat pediatrike sjellin pasoja të rënda për shëndetin.
“Bëhet fjalë për një lloj substance që bën pjesë në kanabinoidë, derivatet e kanabisit, të cilat tregtohen apo gjenden – nuk e di saktësisht – nëpër dyqane, ku shiten në formë karamelesh ose haribosh. Kemi edhe kutinë e substancës që kishte marrë. Këto, nëse përdoren pa kriter dhe në moshat pediatrike, japin pasoja të tilla siç i pamë dje.
Nga të dhënat që morëm nëpërmjet prindërve dhe personave të afërt, thuhet se i kanë konsumuar nga dy copë. Nga dy, pra në formën e karameleve ose haribove që kanë qenë. Gjithsesi, duke parë dozën e përmbajtjes që kanë këto produkte, për fëmijën e vogël ishte një dozë shumë e madhe. Dhe sikurse e theksova, doza nuk është e saktë, pra edhe pse thuhet dy, mund të ketë konsumuar edhe më shumë se aq. Nuk kemi mundur të masim nivelin e këtyre substancave në gjak, dhe kjo e bën akoma më problematike situatën. Për këtë duhen laboratorë të posaçëm që matin nivelin e substancës”, u shpreh mjeku.
Mjeku theksoi se analizat janë marrë por problemi është se këto lloj substancash nuk kanë një antidot, pra një kundërveprim që të bllokojë efektin e tyre.
“Ne trajtojmë simptomatikisht, duke ruajtur parametrat jetikë për fëmijën: funksionin e zemrës, sistemin respirator, qarkullimin e gjakut dhe sistemin nervor. Fëmija ka ardhur me kriza, me të vjella dhe me kriza konvulsive, gjë që tregon se substanca kishte dhënë efekt mbi sistemin nervor qendror”, shtoi shefi i pediatrisë në spitalin rajonal të Korçës, Robert Rado.









