Kreu i Sindikatës së sektorit të Hidrokarbureve Dritan Shahu ka deklaruar se naftëtarët e Fushë-Marinzës kanë hyrë në ditën e 15-të të grevës së urisë dhe kompania “Bankers” sipas tij vijon të jetë e papërgjegjshme.
Duke folur në një prononcim për mediat, Shahu tha se ajo që kërkojnë naftëtarët është trajtimi i tyre me dinjitet dhe të mos diskriminohen në pagat e tyre.
“Jemi në ditën e 15-të të grevës dhe ka një papërgjeshmëri totale nga ana e kompanisë. Shumë punonjës janë këtu në mbështetje të grevës dhe kanë pezulluar punën. Ajo që ne kërkojmë është që naftëtarët të trajtohen me dinjitet stop diskriminimit të naftëtarëve dhe stop pagave diskriminuese. Kemi kërkuar rishikimin e pagave dhe rishpërndarjen e tij për punonjësit që marrin paga të ulëta. Po t’i pyes ka punonjës që marrin, 500, 600, 700, apo 800 euro ndërkohë punonjësit kinezë apo shtetasit e tjerë marrin deri në qindra mijëra euro apo 1 milion euro”, u shpreh Shahu.
Ai vuri në dukje më tej naftëtarët janë ndjerë të kërcënuar dhe nën presion për heqje nga puna ndërkohë që sipas Shahut, ata kanë probleme ekonomike-financiare.
“Ajo është shumë që ne kërkojmë për 400 veta dhe të krijohet një standard për të gjithë punonjësit, të mos intimidohen, të mos mbahen nën presion, të mos krijohen firma nënkontraktore që vendosin nën presion të dyja palët.
Edhe nënkontraktorët janë nën presion sepse janë me kontrata 1-vjeçare dhe në fund të kontratës ai thotë që nëse ti ngrihesh nuk ta rinovoj kontratën. Apo punonjësve që u thotë që nëse ti hyn në grevë unë të zëvendësoj vendin e punës me nënkontraktor.
Njerëzit janë me problem ekonomike financare dhe këta u kanë vendosur lakun që këta njerëz sot të mos guxojnë. Çdo problem që ne do të konstatojmë në Fushë-Marinzë, do të bëhet publike për të gjithë”, deklaroi më tej Shahu.










