Home Shëndeti  Nga prindërt e dikurshëm autoritarë te ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme, psikologia...

 Nga prindërt e dikurshëm autoritarë te ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme, psikologia Telhaj:Ja pse shtohen rastet e të rinjve problematikë

614

Duket sikur adoleshentët sot kanë një qasje më të dhunshme, edhe pse rriten nga prindër që përgjithësisht janë më pak autoritarë se sa prindërit e disa gjeneratave më parë.

Sipas psikologes dhe psikoterapistes Valentina Telhaj, për këtë nuk mund të ketë një shpjegim të vetëm, pasi arsyet ndërlidhin disa faktorë. Nga njëra anë, ndryshimi i modeleve të prindërimit ka sjellë kalimin nga një brez prindërish autoritarë drejt prindërve më të distancuar dhe në disa raste edhe neglizhentë. Nga ana tjetër, ekspozimi i hershëm ndaj dhunës dhe sjelljeve problematike përmes rrjeteve sociale i ofron adoleshentëve modele të rrezikshme që përthithen shumë shpejt dhe lehtësisht.

Telhaj theksoi gjithashtu se përdorimi i substancave narkotike nga adoleshentët, por tashmë edhe nga fëmijët, dëmton lobin frontal dhe aftësinë për të arsyetuar, duke ulur ndërgjegjësimin për pasojat ligjore apo sociale të sjelljes. Ndikimin e vet e kanë edhe grupet shoqërore: nëse dhjetë persona shfaqin një sjellje të caktuar, i njëmbëdhjeti, thotë ajo, pothuajse gjithmonë do t’i ndjekë.

“Familja është themeli dhe baza e qytetërimit dhe njerëzimit,” u shpreh Telhaj, duke theksuar se një mjedis i shëndetshëm familjar është mburoja më e fortë ndaj gjithë këtyre rreziqeve.