Monday, September 27, 2021
Home Tradita Takija, guri i bardhë i Myzeqesë, simbol i qëndresës dhe i shpirtit...

Takija, guri i bardhë i Myzeqesë, simbol i qëndresës dhe i shpirtit të lirë – Nga Maksim Zarka.

alternatetext

Myzeqeja është një krahinë e vjetër. Ka dalë mbi ujë, rreth dy milion vjet më parë dhe është në proçes ngritjeje. Ajo përshkohet nga tre lumenj: Vjosë, Seman dhe Shkumbin. Të tre këta lumenj, dikur në antikitet në një pjesë të shtratit fushor, kanë qenë të lundrueshëm. Në një etapë të caktuar, si rezultat i proçesit të ngritjes, u thelluan shtretërit e lumenjve dhe mbetën pellgjet ujore që u kthyen gradualisht, në ato që populli i quajti këneta.Në mesjetë Myzeqeja kishte tre porte: Spinarica, Semani (Pirgu) dhe Bashtova. Në fushën e Myzeqesë kalonin dy pjesët kryesore të “autostradës” së kohës. E kam fjalën për Rrugën perandorake “EGNATIA”. Dhe dihet, ku ka port lumor apo detar e rrugë evropiane, ka tregëti, zhvillim dhe qytetërim.

Krahina e Myzeqesë laget nga një vijë bregdetare, që në lashtësi ka qenë me plot përthyerje e laguna. Të gjitha këto elemente fiziko-gjeografike, të shoqëruara me një klimë mesdhetare të ngrohtë dhe me ditë – diell, 300 ditë në vit, kanë mundësuar zhvillimin e qytetërimeve të para në Shqipëri. Kujtojmë këtu Kryegjatën, e cila është një vendbanim 50000-vjeçar, më i vjetri në Shqipëri dhe ndoshta edhe në Ballkan. Po kështu në fshatin Katundas është zbuluar një vendbanim prehistorik 6000 vjeçar. Dëshmi është dhe tuma e Salcë-Kozarës, që i përkasin shek.IX para Krishtit, si dhe varrezat antike të Kondasit në Berat, që janë shekulli i gjashtë para Krishtit. Ishin uji, peshku, gjahu i egër dhe rrënjët e pemëve ushqimi i parë në lashtësi. Bujqësia lindi pranë lumenjve. Kjo do të thotë se njeriu i parë myzeqar nuk rendi për ushqim si nomad, por ka prodhuar ushqim në tokën e tij. Ky është një ndryshim i madh për kohën. Le t’i kthehemi dhe njëherë bujqësisë. Puna me tokën kërkonte shumë njerëz, si dhe ndarje të punës. Kështu lindi nevoja e bashkëpunimit dhe e organizimit dhe si pasojë lindi qeverisja. Në këtë mënyrë lindën dhe u formuan qytetërimet e para urbane.

Myzeqeja e ka patur këtë fat. E themi këtë, pasi tashmë shkenca e historiografisë e ka argumentuar se qytetërimet e para janë zhvilluar pranë lumenjve, deteve e klimës së ngrohtë. Nga ky konkluzion shkencor nuk bënë përjashtim as Myzeqeja jonë. Një dëshmi është vepra bonifikuese në fshatin Kraps, që njihet si diga 2000-vjeçare. E tora pak gjatë historinë gjeoformuese e qytetëruese të Myzeqesë, për të treguar se nuk është një krahinë me tokë të re e qytetërim të vonë në krahasim me krahinat e tjera të Shqipërisë. Padyshim populli i saj ka krijuar kulturë materiale edhe në veshje. Në rastin konkret do të ndalemi tek mbulesa e kokës, që përdorte myzeqari me emrin Takije. Nxitje për këtë u bë një fakt i thjeshtë, por mjaft drithërues. Në dyqanin e suvenireve në aeroportin e Rinasit i kërkova shitëses një takije myzeqari, pasi do t’ia dërgoja një mikut tim shqiptar me banim në Gjermani. Shitësja, një vajzë e re, më thotë se nuk e kam dhe pasi u mendua pak, më drejtohet përsëri duke më thënë me një keqardhje se nuk e njihte këtë lloj suvenieri me emrin takije. I them se bëhet fjalë për takijen e myzeqarit. Nuk e kam dëgjuar dhe nuk e njoh këtë suvenir – m’u përgjigj përsëri vajza, duke u skuqur pak në fytyrë. Në vitrinë pashë qylafin e labit, plisin e kosovarit dhe qeleshen e dibranit.

Po këto suvenire borë të bardha i them a i njeh? Po, më përgjigjet vajza. Dhe duke i treguar me gisht, emërtoi secilën prej tyre, me emrin përkatës, pa iu dridhur zëri. Unë vazhdova në të timen, duke u përpjekur dhe thënë, se ajo është një pjesë e veshjes së një krahine të madhe, siç është Myzeqeja, dhe se është e llojit të veçantë në Shqipëri. Por, çupa e mirë ma preu shpejt dhe shkurt: “Po të ishte siç thoni ju, do ta kishim parë ndonjëherë në kokat e valltarëve apo këngëtarëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shtetit”. Me të qeshur ia ktheva vajzës duke i thënë: “Keni të drejtë. Ata nuk e mbajnë dot në kokë se është e rëndë, nuk është plis, por gurë i bardhë, i larë me lot dhe i ruajtur me zemër”. Pavarësisht se çfarë i thashë vajzës së mirë, argumenti i saj ishte kokëfortë dhe shumë dëshpërues. Ajo, në mënyrë të natyrshme, tha një të vërtetë të madhe por të hidhur, për humbjen e disa prej vlerave të kulturës kombëtare dhe në veçanti të asaj myzeqare.

Dhe vërtet, repertori i Ansamblit të Valleve dhe Këngëve të Shqipërisë ka valltarë, solist, grupe, kor artistik, të cilët si mbulesë koke përdorin (sipas tipit të këngës apo të valles) plisin kosovar, qylafin e labërisë, qeleshën e Shqipërisë së mesme, por nuk gjen qoftë dhe një rast të vetëm që si mbulesë koke, këta artistë të përdorin takijen e bardhë të myzeqarit. Madje dhe Hysni Zela, që është myzeqar i mirëfillt, del e këndon me qylaf… Si mund të anashkalohet një element identifikues i një krahine si Myzeqeja? Ajo nuk është një fshat, por një krahinë e madhe për Shqipërinë dhe e njohur që në kohën e Herodotit. Një qëndrim i tillë ndaj kulturës etnografike të Myzeqesë nuk është as shkencor as kombëtar. Kështu humbasim identitetin tonë, pasi kostumografia myzeqare bën pjesë tek vlerat kombëtare. Për këtë më vjen mirë të citoj Llambrini Mitrushi:

“…Ato (kupto veshjen myzeqare) dallohen edhe për origjinalitetin e tyre si në përdorimin e tekstilit, në qepje, në zbukurime, në trajtimin e ngjyrave, si dhe në ruajtjen e tipareve kombëtare” . Ndryshe nga qylafi që është me ndikim turk, takija ruan plotësisht autoktoninë e saj në trevën e Myzeqesë dhe të Toskërisë. Këtë e dëshmojnë gjetjet arkelogjike. Kështu në Amantia është gjetur një skulpturë, ku paraqitet një i ri me trup atleti i derdhur në Bronx, që i përket shek.IV-III p.e.s, i cili mban në kokë një lloj kësule që ka ngjashmëri me takijen.

Kemi një tjetër gjetje arkeologjike ne Selcë të Pogradecit, ku paraqitet një artist në Bronx, me nje tip çapare në dorë, por që në kokë ka një kësulë tepër të ngjashme me takijen. Edhe në Apolloni është gjetur një skulpturë e derdhur në bronx që mban në kokë një kësulë të ngjashme me takijen. Kjo është krejt ilire dhe s’ka ngjashmëri me veshjet helene. Në Elbasan është gjetur shtatorja e një bariu ilir, i cili në kokë mban një veshje shumë të ngjashme me takijen. Kjo skulpturë i përket shek.I para Krishtit. Po kështu, në një afresk të vitit 1576 në Kishën e Panaiasë së Dhërmiut në Vlorë, paraqitet klitori ulur në gjunjë, në kokë ai mban një takije të bardhë të ngjashme me ato të Myzeqesë – na thotë Prof.dr.Andromaqi Gjergji. Dëshmi na bie edhe Korça, ku në një gurë varri, janë skalitur dy farkëtarë. Tek koka e të djathtit duket qartë një mbulesë koke e ngjashme me atë të myzeqarit. Lashtësinë dhe origjinalitetin e takijes do të provoj t’i shtoj edhe disa ide apo mendime të tjera.

Në Egjyptin e lashtë 3500-3000 para Krishtit njiheshin disa njerëz që quheshin ‘teraupet” që do të thotë shëruesit. Këta njihnin shumë mirë drogat dhe efektin haluçinogjen të disa lloj kërpudhave. Këto veti çudibërse të kërpudhave, ata i kishin marr nga qytetërimi Sumer, i cili është qytetërim më i vjetër se ai egjiptian. Këto kërpudha quheshin të “shenjta”. Prifti më i lartë hebraik mbante në kokë një kokore në formë kërpudhe. Kokorja në formë kërpudhe i jepte aftësinë magjike priftit hebraik. Kjo formë mbahet edhe sot nga disa mbretër, por me disa shtesa simbolesh. Gjithashtu më ka tërhequr vëmëndjen kësula e Papës së Romës, e cila ngjan me takijen e myzeqarit dhe që quhet “mitra”. Ndërkohë priftërinjtë që nuk iu nënshtruan ndryshimeve evolutive të veshjes së tyre të kokës, por dhe që tregoheshin tepër konservator në kuptimin besnik të fesë, quheshin “abat me mitër”. Këto të dhëna na shtyjnë të krahasojmë formën e takijes me formën e mitrës së gruas.

Po t’i shikosh me vëmëndje të dyja format janë shumë të ngjashme. Të lashtët e njihnin funksionin e mitrës, si baza e krijimit të jetës dhe për ta përjetësuar e shenjtëruar atë, ata e realizuan, duke e mbajtur në kokë si kësulë. Kujtojmë se në antikitet ylli me 6-cepa, i cili gabimisht njihet si ylli i Davidit, simbolizonte unitetin dhe harmoninë midis burrit dhe gruas, si dhe në vizatim shpreh organin gjenital të burrit të bashkuar me atë të gruas. Dhe dihet pa këtë bashkim biologjik organesh (duke përjashtuar realitetin) nuk prodhohet jetë. Kjo na shtyn dhe njëherë që të besojmë se të vjetrit kishin zbuluar dhe njihnin funksionin e mitrës, si baza e krijimit të jetës dhe për ta përvetësuar atë e shenjtëruan, duke e mbajtur në kokë. Dhe kush zotëronte atë, kishte në dorë fatet e jetës. Burri duke mbajtur një kokore në formën e mitrës, kishte idenë se kishte magjinë e vazhdimësisë së jetës. Kjo formë u trashëgua, jo me shekuj, por me mijëvjecarë si tek Papa dhe tek myzeqarët deri në ditët e sotme. Interesant është se takijen myzeqare e kane mbajtur dhe perënditë pellazge të malit Olimp. Më qartë kjo duket tek perëndia pellazge Efesti. Deri tani, dokumenti më i vjetër që përmend Takijen si mbulese koke për burra i përket vitit 1716 . Njihen tri lloj takije:

takija myzeqare në formë konike e zbukuruar me “damarë” (ka 10-15 damarë). Më e mira është me 15-damarë dhe përdoret vetëm në fushë.
takija toske, e cila është njëlloj si ajo takija myzeqare, por e zbukuruar me qëndisma. Kjo përdorej si në Myzeqe (kur djali martohej ose në festa fetare apo laike), ashtu dhe në Berat.
takija e Sulovës ose takija shyte me majë në formë koni të prerë, e cila përdoret në Sulovë dhe fshatrat kodrinore të Myzeqesë.


Shumëkush mendon se takija është vetëm e Myzeqesë. Por jo, takija ka qenë veshje e gjithë Toskërisë, që në antikitet e deri në mesjetë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike që përmendëm më lart. Po pse takija sot njihet si veshje myzeqare? Logjika dhe praktika tregon, se vetëm populli i Myzeqesë e ruajti këtë vlerë të identitetit të vet dhe kombëtar, kur të tjerët e ndërruan me qylafin turk. Është kjo arsyeja që unë takijen e quaj “Guri i bardhë” i Myzeqesë, sepse si guri qëndroi në tokën e muzave të Apolonit. Takija është veshja tipike e kokës për myzeqarët. Myzeqari e mbante atë si në punë, në gëzim (dasëm, fejesë, etj.) dhe në hidhërim (vdekje apo fatkeqësi të ndryshme). Ai kurrë nuk e hiqte atë nga koka. Tre janë momentet, kur myzeqari e “hiqte” takijen:

Kur vallzonte dhe veçanërisht kur vallja ndizej flak, ai si kryevalltar e merr në dorë takijen, e tund dhe e rrotullon sikur të ketë një shami dore e bardhë, duke i dhënë valles një element dinamik dhe mjaft piktoresk.
Momenti i dytë i “heqjes” së takijes është kur nderon një mik, kur mban një minutë heshtje në nderim të një të vdekuri të zakonshëm apo të rëni për liri.
Momenti i tretë, kur ekzekutohet Hymni kombëtar, si dhe kur ngrihet Flamuri Shqiptar.
Në këto raste, myzeqari e “heq” takijen, e merr me dorën e djathtë dhe se bashku me dorën e vendos në zemër, duke krijuar një kompozim: dorë – takije – zemër, që do të thotë nderim – paqe – dashuri. Takija për myzeqarin është nder, krenari e qëndresë. Është fakt se ai (myzeqari) nuk e ndërroi takijen me asnjë lloj tjetër veshje koke të ndikuar nga banorët fqinj apo të huaj. Kur dikush e ndërronte takijen, ai nuk e miratonte këtë veprim, por si komunitet e kundërshtonte jo me dhunë, por me forcën e këngës:

“….Kur më ke takijen, ç’e do festen…”/O djali lalës, djali i Myzeqesë/Ajo është ilirie, e ka fal perëndia/O djali lalës, djali i Myzeqesë/E huaj festeja, vjen erë Turqie/O djali lalës, djali i Myzeqesë.Marinëz – Sheqisht, Ose kenga tjeter: O seç m u hodhe moj pertej lumito/Thelle kishte gjer ne gjunjeto/Jarina nina, o te keqen no/Kur me ke takijen, ç ma do festen no Seman – Libofshë

Këto tregojnë për vitalitetin e myzeqarit. Shpirti i tij nuk është gërryer nga rrebeshet e kulturave të huaja, duke ruajtur kështu identitetin e tij shqiptar dhe mbi të gjitha ka ruajtur shpirtin e tij të lirë dhe jo të kapur. E theksoj shpirtin e tij të lirë, pasi i lirë është njeriu, kur bën atë që i do shpirti e zemra dhe jo kur bën atë që dikton nevoja për jetesë apo lakmia për pasuri e pushtet. E myzeqari nuk e shiti shpirtin. Dhe kjo është një vlerë e madhe. Ai ishte, është dhe do te mbetet europian i patjetërsueshëm. Duke shkruar këtë ese për takijen më lindi një frymëzim që po e hedh në vargje, ashtu të pa redaktuar.

Takija, Guri bardhë i Myzeqesë

1-Takija, gur i bardhë i Myzeqesë/Brenda mban paqe dhe jetë,Gatuar me zjarr të shenjtë/Përherë e qeshur agimin pret/ 2- Nëpër shekuj urtësuar/Myzeqari qëndroi si gur/Takijen e bardhë pati yll/Qëndresë, vulosur me dyll. 3-Qëndroi në tokën e zotit/Pranë detit, pranë Tomorrit/Bije ka të bukurën Ardënicë/Djalë Apollonin , dritë. 4-Takija simboli i idealit/E bardhë si dëbora e malit/Qëndisur me rrathë qiellor/E shenjtë si kupa e Gralit. 5-Takija gurë i bardhë i Myzeqesë/E lehte si një puhize deti/E rëndë si vete hallet e jetës/E bukur si lule qielli. 6-Qëndron thellë në zemër të myzeqarit/Si shenjë e Muzakës dhe e Matrëngës/ Si shenjë identiteti në punë e në jetë/Kur vallen hedh, dhe “eee” ia merr këngës. 7-Takija, magma e heshtur e shekujve/Si llavë vullkani shpërthen/Sa herë thërret identiteti i shqiptarit/ Me gurë të bardhë mbjell gjithë Myzeqenë/qiellin mbush me dritë apolonie/Shqipërinë drejt orienton në rrebeshe stuhie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Një burrë mes të dyjave, gruas: Më hëngre 80 mln lekë, tani shkon me vëllain tim! Të dashurës: Je gjithçka për mua! (Video)

Sot në emisionin “Pa Gjurmë” u trajtua një histori dashurie mes një vajze 30-vjeçare nga Durrësi (Joana) dhe 50-vjeçarit Bilbil Xhafa nga...

EMRI/ Kush është shqiptari i dyshuar për vrasjen e mësueses në Britani, zbulohen të tjera detaje mbi 36-vjeçarin

Mediat britanike kane zbuluar foton e Koçi Selamajt,36-vjeçarit shqiptar që është a rrestuar në Britani. Ai dyshohet të...

Vrasja e mësueses në Britani/ Arrestohet një 36-vjeçar shqiptar

Një 36-vjeçar shqiptar është a rrestuar në Britani pasi dyshohet se është përfshirë në v rasjen e mësueses Sabina Nessa disa ditë...

Mësim në kohë COVID-i/ Zv/ministrja e Arsimit zbulon skenarët nëse përkeqësohet situata

Zv/Ministrja e Arsimit, Nina Guga, ishte e ftuar pasditen e sotme në studion e “Zona Zero” në Top News ku foli për...

Recent Comments