Sunday, May 16, 2021
Home Histori Tempulli i Shtyllasit, një faltore apo edhe një far detar / Nga...

Tempulli i Shtyllasit, një faltore apo edhe një far detar / Nga Ilirjan Gjika

Tempulli i Shtyllasit sot nuk ekziston. Prej rrënojave të dikurshme të tij ka mbetur vetëm një trung shtylle, e cila i ka dhënë emrin vendbanimit aty pranë: Shtyllasit. E vendosur në brezin kodrinor të Apolonisë në lartësinë 53 m mbi nivelin e detit, ajo, përbëntë një prej shumë kolonave të tij.
Shtylla, monument kulture që nga viti 1948 bën pjesë në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë. Interesant është fakti se rreth kësaj kolone qarkullon një gojëdhanë vendase sipas së cilës dikur aty lidheshin anijet. Por, ajo është vetëm një legjendë urbane sepse e vërteta është krejt ndryshe.


Le ta ‘’shohim’’ një gjë të tillë nën ‘’dritën’’ e argumenteve historike.
Apolonia antike dikur kishte një port lumor i cili ndodhej pikërisht në rrëzë të kodrës së Shtyllasit, ku dikur kalonte lumi Vjosa. Aty ngarkohej gruri, prodhimet bujqësore, lëndët e para dhe shkarkoheshin prodhimet e importit qeramika, metalet, sendet e luksit, verërat, të cilat “gëlltiteshin” menjëherë nga tregu ilir. Ndërkohë që në kalatat e këtij porti ndërtoheshin anije dhe varka, ku kantieret shtetërore dhe private punonin pa pushim.

Në breg të lumit ndodhej tregu i parë i qytetit, ku kryheshin shumica e operacioneve tregtare. Zhurmës së karrocave, çekanëve, lopatave, i shtoheshin edhe zërat e tregtarëve, marinarëve dhe shkarkuesve. Përveç Ilirishtes dhe Greqishtes ndeshej dhe Latinishtja dhe një pjesë e gjuhëve të Mesdheut, që vinin së bashku me veshjet dhe paraqitjen e “njerëzve,’’ që bujtnin këtu.
Por jo rastësisht mbi kodrën e portit u ngrit një tempull. Rreth tij ndër vite, arkeologët, ndajnë mendime të ndryshme. Disa theksojnë se tempulli në jug Apolonisë dhe me pamje nga deti ishte ai i Afërditës, perëndeshës së dashurisë dhe bukurisë. Të tjerë, mendojnë se ai i kushtohej një tjetër perëndie: Aresit dhe kishte një lartësi prej 14 m ( Pani, G., 1985: 83).

Gjithsesi godina madhështore e tij i përkiste shekullit të V pk dhe ishte ndërtuar në stilin dorik. Përmasat e tij ishin të tilla ku gjatësia kapte distancën prej 40 m ndërsa gjerësia ishte 22 m. Struktura masive e tempullit mbështetej mbi 26 kolona kolona dorike me diametër 1.36 m (Pani G., 1978: 142).
Nëse godina në Shtyllas ishte një tempull kujt i shërbente ai. Nga historia dimë se apoloniatët ishin të dhënë shumë pas besimit. Ata shkonin në tempuj për tu blatuar perëndive dhurata si: verë, mjalt, qumësht, ëmbëlsira, etj. Për flijim në faltore çoheshin edhe bagëti dhe shpendë, ku në raste të veçanta ceremonitë bëheshin edhe në publik. Flijimet bëheshin në altar, ku bagëtitë më parë ishin pastruar dhe parfumosur me vajra dhe balsame.

Flijimi bëhej në mëngjes dhe një pjesë e mishit digjej në zjarr, kurse pjesa tjetër i jepej priftërinjve dhe pjesëmarrësve në ceremoni. Lutjet recitoheshin në këmbë, kurse duart mbaheshin të hapura drejt qiellit. Tempujt ofronin edhe mbrojtje dhe ushqim për të gjithë njerëzit në nevojë.
Por ky tempull mund të ketë patur edhe një tjetër funksion. Duke qenë se ai ndodhej përballë deti dhe mbi portin e Apolonisë, dukej se ai shërbente edhe si një pikë referimi për lundrimin detar. Gjatë natës aty mbahej ndezur një flakë që i shërbente një fari, i njohur si ‘’Fari i Apolonisë’’.
Duhet theksuar se për nivelin e atëhereshëm të mjeteve të lundrimit ishin të domozdoshëm ndërtimi i fareve detarë.

Portulanët e parë të gjeografëve dhe hartografëve grekë na japin përshkrime të detajuara mbi qytetet portet, grykat e lumenjve dhe kordinatat e tyre në këtë rajon, si Dyrrahu në veri dhe Aulona dhe Oriku në jug. Historia e lundrimit detar në brigjet tona tregon për një aktivitet të pasur dhe të gjerë. Gojëdhanat e vjetra dëshmojnë se anijet vendase, lundronin gjatë bregut deri në Karaburun dhe prej këndej drejtoheshin në det të hapur drejt Jugut, në Korkyrë, ishujt e Jonit apo Korint, si dhe drejt Perëndimit, për në portet e Italisë së Jugut. Gjatë udhëtimit detarët orientoheshin me anë të diellit, yjeve dhe shënjave konvencionale që vinin në bashin e anijes duke mbërritu në destinacionin e dëshiruar. Por, që nga koha e ‘’Kolonizimit të Madh Grek’’, shekujt VIII-VI, u rritën shumë kontaktet detare dhe u bë e mundur ngritja e fareve edhe në brigjet e Epirit dhe të Ilirisë. I tillë ishte edhe fari i Apolonisë, i cili kryente edhe një funksion të dytë, atë të faltores së detarëve, tregtarëve dhe udhëtarëve që merrnin rrugën e detit. Përpara se të niseshin ata i blatonin perëndive dhurata që ti ruanin nga rreziqet natyrore por edhe njerëzore të detit.
I vendosur në jug të Apolonisë, buzë Vjosës dhe përballë detit, mbi një kodër që mbizotëron, ekzistenca e këtij tempulli ka bërë që ai të nxisë mendimet e specialistëve të lundrimit se fuksioni i tij mund të ketë qenë i dyfishtë. Ai ka shërbyer edhe si faltore por edhe si një far detar që orientonte anijet drejt portit lumor të Apolonisë.

Kështu, fari-tempull, funksionoi si i tillë deri në shekujt e parë pas krishtit. Mundet që tërmetet e viteve 234 dhe 345 që rrënuan Apoloninë ta kenë shkatërruar edhe atë. Edhe zhvendosja e Vjosës në një shtrat të ri, e la Apoloninë pa port, duke i hequr arterien kryesore të funksionimit ekonomisë së këtij qyteti. Kështu, nisi zbrazja e qytetit nga banorët, të cilët u vendosën në qytetet më të afërta, ku mund të ushtronin profesionet e tyre. Bashkë me ta u braktis edhe tempull-far, i cili mund ti ishte nënshtruar me shumë gjasa shkatërrimeve të tërmeteve të mësipërm. Kjo zhvillime shënuan edhe fundin e tij. Ndërsa gurët dhe kolonat që mbetën u grabitën në fillim të shekullit të XIX nga Ibrahim Pashë Vlora, për të ngritur sarajet e tij në qytetin e Beratit.
Prej këtyre rrënojave të tempullit mbeti vetëm kjo kolonë, kolona e Shtyllasit, e cila nuk ishte shtylla ku lidheshin anijet, por shtylla e një fari që i orientonte ato. Kjo është historia e saj e cila në tisin e kohës u mbështoll nga legjendat urbane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Aksident ne qender te Fierit, automjeti godet një grua

Nje aksident me pasoje demtimin e nje gruaje ka ndodhur ne qender te Fierit. Sipas informacioneve gruaja ishte duke...

Partia Demokratike shkon në zgjedhje, ja kur do zgjidhet kryetari i ri

Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhje të brendshme më 13 qershor. Sipas informacioneve të para, Lulzim Basha do të rikandidojë për...

Sot finalja e Miss Universe, kush është 23-vjecarja që përfaqëson Shqipërinë!

Nata finale e Miss Universe 2020 do të mbahet sonte. Edicioni i 69-të i konkursit të bukurisë do të mbahet në Florida,...

Njihuni me 3 vjeçarin më të ditur në Shqipëri

Elio Driza ka filluar të lexojë që kur ishte 18 muajsh. Tani Elio është 3 vjeç e gjysmë dhe ka lexuar mbi...

Recent Comments