Sopranoja shqiptare Ana Naqe, e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e saj artistike prej shumë vitesh në Belgjikë, por turet e saj artistike janë edhe në shumë vende të ndryshme të botës.
Ana ishte një prej protagonisteve, të ftuara në podkastin “Flasim”, me Kryeministrin Edi Rama, në episodin e shtatë, së bashku edhe me studiuesen dhe lektoren pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”në Durrës, Natasha Shuteriqi Poroçani.
Kryeministri Rama u shpreh se Ana është një nga tre fëmijët e një familje të thjeshtë në Fier, ku nuk ka pasur në rekordet familjare asnjë zë kumbues.Sopranoja Naqe tha ka ndjekur shkollën “Jakov Xoxe” në Fier.
“E fillova violinën kur isha 5 vjeçe në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier. Aty rreth moshës 13 vjeçe erdhën priftërinj që donin të ndërtonin kisha. Prifti quhet Don Korado. Ata sillnin bursa ose fonde për shkollën e muzikës. Erdhën në këtë shkollë për të gjetur zëra. Unë u futa në kor sepse kisha muzikën pasion dhe njihja notat, por nuk mendoja se do të vazhdoja për kanto. Më tej, ende në moshë të vogël dola jashtë shtetit për të bërë master-classe për violinën. Kantoja erdhi më vonë. Me master-classe, koncerte, shkoja dhe vija në Belgjikë”, tha Naqe.
Ajo tha se studimet e larta i vijoi në Belgjikë, ku vazhdoi violinën dhe kanton në Konservatorin Mbretëror të Luvenit Luça Lemmensinstituut në Belgjikë, institut ku fitoi dhe Master në të dyja degët, dhe më pas një tjetër Master në Amsterdam dhe ‘Conservatorio Superior de Música de Granada’.
Naqe u shpreh se duke studiuar dhe njëkohësisht duke punuar, me pak vështirësi ja doli të jetë në lartësinë ku është.
“Në Shqipëri vi çdo muaj, jap edhe koncerte në TKOB”, tha Naqe.
Kryeministri Rama i kërkoi që të zhvillojë një koncert edhe në Fier, si një formë “borxhi” që i detyrohet komunitetit atje, ku u lind dhe u shkollua.
Naqe tha se po e vlerëson si ide dhe në të ardhmen mund ta realizojë një koncert të tillë.
Ajo pohoi se sapo është kthyer në një tur recital në Turqi, ndërsa më pas do të jetë në Barcelonë, në Spanjë ku në janar-shkurt 2026 do të interpretojë në Maria Magdalena në Teatro Nacional Catalan në Barcelonë./e.i/a.f/












