Keidi Bare nuk mendon të largohet nga Real Saragoza. Mesfushori shqiptar synon të qëndrojë në klub edhe pas një sezoni të parë, të kompromentuar nga dëmtimet, të cilat e bën të humbte 21 ndeshje të ligës. Gjithsesi, mediat spanjolle bëjnë me dije se largimi i tij nga Saragoza është një mundësi reale, ndonëse mesfushori nuk e çon ndër mend.
Ideja e Bares është të qëndrojë në klubin “e bardhë”, të zhvillojë parasezonin nën urdhrat e Gabi Fernandezit, për t’i treguar trajnerit se mund të mbështetet tek ai në kampionatin e ardhshëm.
DËMTIMET – Ardhja e Keidi Bare verën e kaluar nga Saragoza u konsiderua një operacion i madh, pasi shqiptari mbërriti me kosto zero. Bare nuk rinovoi me Espanjolin edhe pas një sezoni të mirë, me klubin në të cilin ishte një nga shtyllat e ngjitjes. Sezoni për shqiptarin filloi shumë mirë. Titullar në katër ndeshjet e para të ligës, por një problem muskulor në bicepsin e djathtë femoral, i shfaqur kundër Elçes bëri që ai të humbiste katër ndeshjet e ardhshme (Burgos, Levante, Sporting dhe Racing de Santander). U rishfaq kundër Tenerifes, por sërish pas katër ndeshjesh pësoi një goditje në gju ndaj Kastelon. Problem që e la jashtë për tri javë (Granada, Huesca dhe Malaga), përveçse nuk u grumbullua me Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e nëntorit 2024 për shkak të atij dëmtimi.
U rikuperua nga ky problem dhe pati serinë më të gjatë të paraqitjeve për Real Saragozën, duke luajtur 13 nga 15 ndeshje të mundshme. Një takim e humbi prej kartonëve. Ndaj Albasetes, pësoi një goditje në pulpën e djathtë, por dukej se shqiptari i kishte lënë pas hallet e vazhdueshme. Gjithsesi, pas humbjes kundër Eldenses, ai nuk luajti asnjë minutë tjetër me fanellën bardhekuqe. Më 12 mars, pësoi një tjetër dëmtim gjatë stërvitjes. Dhimbje në muskulin “soleus” të këmbës së majtë, dhe ky ishte fundi i sezonit të Keidi Bares.
Pas katër javësh kurim, u rikthye në stërvitje me grupin, por shqetësimi i tij vazhdoi, dhe më 30 prill, u konfirmua se mesfushorit i ishte rikthyer i njëjti dëmtim. Kjo do të thoshte se ai nuk do të luante ndeshje të tjera për Real Saragozën. Në total, ka humbur 21 ndeshje të ligës, 20 për shkak të lëndimit dhe një për shkak të pezullimit, çka do të thotë se ai nuk ka qenë i disponueshëm për gjysmën e ndeshjeve të kampionatit.

Dy muaj e gjysmë jashtë për shkak dëmtimi, përkuan me ardhjen e Gabi Fernandez, që do të thoshte se trajneri madrilen nuk mund të mbështetej te shqiptari për gjithë pjesën e fundit të sezonit. Kjo është arsyeja pse u mendua se mesfushori mund të ishte një nga ata që do të ishin në listën e “daljeve” në këtë merkato vere. Shqiptari tani ka gjithë verën për t’i treguar Gabi Fernandezit se mund të mbështetet te Bare dhe të jetë një lojtar i dobishëm në skemën e trajnerit madrilen në Real Saragozën e tij të re.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL












