Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka fituar një arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila tani i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.
Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se “Bankers” ka qenë një prej ndërmarrjeve që ka shkaktuar probleme të mëdha për vendin.
“Ne kemi fituar me “Bankers” një arbitrazh dhe “Bankers” na detyrohet 240 milionë euro. Ka ardhur dita që Prokuroria të hetojë në mënyrë të pavarur. I heq kapelen Prokurorisë përkatëse që ka bërë hetimin në këtë rast dhe uroj që të nxjerrë ‘ujin e zi’ në këtë ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se koncesioni i “Bankers Petroleum” është një nga shumë kontratat që janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe që kanë sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit.
“Është kosto e një koncesioni të bërë para se unë të merrja detyrën”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se ka pasur shumë diskutime për koncesionet që qeveria e tij ka dhënë, por u shpreh se do t’i ribënte të gjitha ato, pasi janë në shërbim të popullit shqiptar.
“Është folur dhe stërfolur për koncesionet që kemi dhënë ne. Po t’i rikthehesha 100 herë, të gjitha nuk do t’i lija pa i ribërë, sepse janë të gjitha në shërbim të popullit shqiptar. Por koncesionet që kemi trashëguar janë “vrimat e zeza””, tha Rama.
Në lidhje me projektet koncesionare të qeverisë së tij, ai përmendi disa nga investimet më të rëndësishme, si rruga e Arbrit, pastrimi urban dhe sterilizimi i pajisjeve mjekësore, të cilat nuk kanë pasur kosto për qytetarët.
“Pavarësisht se në ndonjë rast mund të ketë pasur ndonjë problem, koncesionet apo partneritetet publike-private (PPP) kanë mundësuar ndërtimin e rrugës së Arbrit pa asnjë kosto për qytetarët. Po kështu, kemi bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona pa asnjë barrë financiare për publikun, krahasuar me koston e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në vendet e tjera, ku as që fillon puna nën 30 euro për ton, ndërsa në shumë vende të tjera shkon mbi 100 euro për ton”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Rama theksoi përmirësimet në sektorin shëndetësor.
“Kemi bërë të mundur sterilizimin e të gjithë instrumenteve mjekësorë dhe kemi sjellë një rënie drastike të infeksioneve pas operacioneve. Kemi garantuar analiza laboratorike të një game të gjerë në të gjitha spitalet tona, pa kosto për publikun. Askush nuk paguan për një analizë apo shërbim spitalor bazik, ndryshe nga më parë”, tha ai.
Rama shtoi se nuk ka asnjë problem personal me ndonjë emër të caktuar kompanish.
“Nuk kam asnjë problem për sa i përket ‘Bankers’, kush e ka bërë ‘Bankers’-in apo çfarëdo emri tjetër që mund të gjesh nëpër rrugët e historisë ekonomike të Shqipërisë”, deklaroi ai. /j.p/












