Home Lajme nga Fieri Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për...

Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit

786

 Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit ka realizuar një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale te një pacient i moshës 75-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin, duke e konsideruar një tjetër histori suksesi në spitalin “Memorial” Fier, ku është realizuar kranioplastika e parë.

Koçiu bëri me dije se bëhet fjalë për “një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetën një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru”.

Ministrja Koçiu u shpreh se pas gjashtë muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Koçiu u shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor, dr. Egemen Nursoy, dr. Klaudio Disha, dr. Hasan Bayindir, dr. Holta Kraja, dr. Xhesika Hoxha dhe infermieres Fjorida Ago.

Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër.