Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar zyrtarisht hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, dhe dosja e tyre pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Për t’u njohur me akuzat e ngritura, Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e SPAK-ut së bashku me nënën e saj, Fatime Kryemadhi, po ashtu e përfshirë në çështjen ligjore.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, deputetja tregoi për mediet se ajo nuk i pranoi akuzat që iu komunikuan dhe do ndjekë të gjithë hapat ligjorë për t’u mbrojtur. Duke e quajtur procesin të pabazuar, ajo deklaroi se fashikujt përmbajnë artikuj portalesh dhe shpenzime të zakonshme.
“Akoma nuk kanë bërë gati fashikujt. Kanë marrë shkrime portalesh dhe kanë bërë fashikujt. Aty ka karta banke që janë blerë sanduiçe, kafe e kështu gjërash. Unë kam analizë financiare. Edhe unë kam 8 mijë faqe, edhe nëna ime ka 8 mijë faqe. Në fashikuj janë dhe artikujt e shkruar kundër nesh. Firmosëm që s’jemi dakord. Do ndjekim procedurat. Procesi do durim strategjik. Duhet marrë me qetësi. Shëndeti ka shumë rëndësi,” deklaroi Kryemadhi.
Ajo komentoi edhe përfshirjen e nënës së saj në çështje, duke shtuar se SPAK-u e ka quajtur “pastruese”.
“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.
Deputetja theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk iu është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.
“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e incineratorëve”, tha Kryemadhi.
Në një reagim më herët për mediet, deputetja deklaroi se nuk ka ndërmend të paraqitet personalisht në gjykatë dhe se ka projekte personale për të cilat do të fokusohet.
“Avokati im është në një masë sigurie tjetër, por do kemi një ekip të mirë avokatësh. Për hir të së vërtetës mund të jetë një risi në proceset gjyqësore. Kam marrë vesh që kur çështja shkon në gjykatë, mund të mos paraqitem fare. Dëshmitarët të gjithë aty nuk kanë thënë asnjë kundër meje apo kundër Ilir Metës, apo kundër mamasë sime. I gjithë procesi atje është ligjor, dhe le të nisë gjyqi“, tha Kryemadhi.
Me mbylljen e hetimeve, SPAK-u pritet të formalizojë akuzat dhe ta çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.
Akuzat pritet t’i komunikohen të hënën edhe ish-presidentit Meta. Shkak u bë mungesa e avokatit të tij, i cili është me pushime.
/rtsh.al/












