Home Aktualitet Qeveria miraton subvencione për ujësjellësin, ja sa përfitojnë familjet në nevojë dhe...

    Qeveria miraton subvencione për ujësjellësin, ja sa përfitojnë familjet në nevojë dhe si funksionon skema

    639

    Një lajm i mirë për familjet në nevojë në Shqipëri. Qeveria ka miratuar zyrtarisht një udhëzim të ri që përcakton kriteret dhe procedurat për shpërndarjen e subvencioneve shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për vitin buxhetor 2025. Ky vendim synon të lehtësojë barrën financiare për kategoritë më të prekura, duke garantuar aksesin në një sasi minimale jetike të ujit të pijshëm.

    Udhëzimi, i firmosur nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka hyrë të martën në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

    Kush do të përfitojë dhe sa?

    Sipas metodologjisë së re, subvencioni do të shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) dhe do të fokusohet kryesisht te kategoritë në nevojë, të përcaktuara nga ligji i asistencës sociale. Këto përfshijnë:

    Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

    Individët me statusin e jetimit.

    Viktimat e trafikimit.

    Viktimat e dhunës në familje.

    Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh (trinjakë, katërnjakë etj.).

    Fëmijët e vendosur në familje kujdestare, përfshirë ata me aftësi të kufizuara.

    Këto familje dhe individë do të kompensohen 100% për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 metër kub ujë të pijshëm në muaj, për kontratë. Përveç konsumit, subvencioni do të mbulojë edhe tarifën fikse, tarifën e kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura urbane për këtë sasi minimale.

    Zbritja do të bëhet automatikisht në faturën mujore të gjeneruar nga shoqëria përkatëse e ujësjellës-kanalizimeve, shkruan rtsh.al.

    Si do të funksionojë subvencionimi?

    Subvencioni do të jepet vetëm një herë për familje, pavarësisht nëse në përbërje kanë më shumë se një person që i plotëson kriteret.

    Shoqëritë aksionare të ujësjellës-kanalizimeve (UK) do të kenë si prioritet përdorimin e fondit për të bërë zbritjen 100% në faturat e kategorive të sipërpërmendura. Nëse mbetet fond i papërdorur, ai mund të shfrytëzohet nga shoqëritë UK për të mbuluar koston e energjisë elektrike, me kusht që të kenë mbi 75% të prodhimit të ujit me ngritje mekanike.

    Vetëm shoqëritë UK që kanë nënshkruar një “kontratë performance” me AKUK-në do të jenë të ligjshme për të përfituar nga ky subvencion. Megjithatë, zbritja 100% në fatura për kategoritë në nevojë është e detyrueshme për të gjitha shoqëritë UK, pavarësisht nëse kanë apo jo kontratë performance. Për shoqëritë pa kontratë, kostoja fillimisht do të mbulohet nga vetë ato, deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, pas të cilës do të rimbursohen.

    Njësitë e qeverisjes vendore do të furnizojnë shoqëritë UK me listën e plotë të familjeve/individëve në nevojë brenda datës 10 të çdo muaji. AKUK do të vlerësojë këto të dhëna dhe do të bëjë shpërndarjen e subvencionit brenda vitit buxhetor 2025, duke rimbursuar edhe faturat e muajve të mbetur të vitit paraardhës.

    Ky udhëzim zëvendëson atë të vitit 2024 dhe shënon një vazhdimësi të politikave sociale për mbështetjen e qytetarëve më në nevojë në pagesën e shërbimit jetik të ujit.