Home Lajme nga Fieri “Nuk janë më sëmundje të moshës së tretë” – kardiologu Novruz Caushaj...

“Nuk janë më sëmundje të moshës së tretë” – kardiologu Novruz Caushaj (Nokja) tregon pse po shtohen problemet e zemrës tek të rinjtë

2163

Për dekada me radhë, sëmundjet e zemrës janë konsideruar si probleme të moshave të mëdha, apo pasojë e jetës së ç’rregullt, përdorimit të duhanit për një kohë të gjatë, kequshqyerjes, apo tensionit të lartë të gjakut. Megjithat, vitet e fundit, kardiologët kanë vërejtur një ndryshim shqetësues, teksa mosha gjithnjë e me të reja përfundojnë në pavionet e spitaleve me problem serioze të shëndetit të zemrës.

Në episodin e radhës të “Apostrof Podcast, bisedojmë me mjekun kardiolog Novruz Caushaj në lidhje me këtë shqetësim në rritje të jetës moderne, si edhe arsyet përse të rinjtë sot janë më vulnerabël se kurrë më parë.

Dr. Caushaj shprehet se rritja e rasteve të problemeve kardiologjike tek të rinjtë lidhet me jetën sedentare, stresin, kequshqyerjen dhe ushqimet e procesuara, ndërsa thekson se nuk duhen anashkaluar faktorët gjenetikë.

Një nga shembujt e frikshëm që ai përmend, janë edhe “pijet e energjike. “Një kanaçe e vetme e një pijeje energjike çfarëdo, përmban kafeinë sa 20 filxhanë kafeje ekspres.” Ai thotë se furnizimi i organizmit papritur me një sasi kaq të lartë kafeine, aktivizon sistemtin nervor simpatik, rrit hormonet e stresit dhe shton rrahjet e zemrës, ndërsa ul ndjeshëm kohën e relaksimit të zemrës midis kontraktimeve. Me kalimin e kohës, diçka e tillë mund të çojë në lodhje dhe problema afatgjata të zemrës.

Por, ai thkeson se shëndeti i zemrës nuk lidhet vetëm me zgjedhje individuale, ndërsa shton se stresi mbetet një nga faktorët e rëndësishëm të “problemeve kardiovaskulare. Orët e gjata në punë, pasiguria ekonomike dhe presioni i vazhdueshëm social për të qëndruar në “krye të punëve,” shpesh në shoqëritë tona shpërblehet dhe normalizohet, edhe pse nga ana tjetër ndikon tërthorazi në shkurtimin e jetës. Në këtë aspekt, sëmundjet e zemër kthehen po aq “çështje politike dhe sociale, sa ç’janë edhe problema mjekësore.

Dilema që ngrihet në lidhje me brezat e ardhshëm, është e frikshme: A do t’iu duhet të rinjve të mësohen të jetojnë me më tepër probleme kronike të zemrës se sa prindërit e tyre, apo jemi ende në kohë për ta ndryshuar këtë trajektore? Për Dr. Caushaj, ndërgjegjësimi përbën hapin e parë dhe thelbësor drejt mbajtjes nën kontroll të problemeve kardiologjike, veçanërisht tek të rinjtë, në të ardhmen. Nëse arrijmë të kuptojmë ndikimin që ka mënyra e jetesës dhe stimulantët e jashtëm në organizmin tonë, do të mund të hapim rrugën drejt parandalimit. Por,  nga ana tjetër, kjo kërkon edhe ndryshime kolektive, nga mjedise pune më të shëndetshme, tek vendosja e rregullave më strikte ndaj shitjes së produkteve që shpesh bëjnë më tepër dëm se sa na ndihmojnë në jetët tona të përditshme.