Tradita e lavdishme e basketbollit të femrave në Fier, dikur krenaria e sportdashësve fierakë, prej vitesh ka mbetur në heshtje, duke lënë pas vetëm kujtime.
Sot, kjo traditë po troket sërish në derën e qytetit tonë.
Ditën e nesërme nis Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Vajza U18, dhe Fierit i jepet një mundësi e re për t’u rikthyer në hartën e basketbollit shqiptar.
Përfaqësuesi i qytetit do të jetë klubi “Fieri Basket”, themeluar në vitin 2008, një ndër shoqatat më aktive në basketbollin shqiptar.
Ndeshja e parë do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 12:00 ndaj ekipit kryeqytetas të “Superior Basket”, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të Tiranës.

Ekipi drejtohet nga dy emra të njohur të basketbollit fierak dhe shqiptar, Hermiona Çuko dhe Xhulia Veliaj, të cilat me eksperiencën dhe pasionin e tyre synojnë jo vetëm pjesëmarrjen në kampionat, por edhe krijimin e bazave të qëndrueshme për ringritjen e basketbollit të femrave në Fier.












