Në një ndeshje të luajtur në aneksin stërvitor pranë stadiumit “Loni Papuçiu”, Apolonia fitoi derbin e Myzeqesë 3-2 ndaj Lushnjës dhe siguroi kualifikimin për në 1/8 e finaleve të Kupës së Shqipërisë. Ashtu si në fazën e parë të kampionatit, edhe në turin e dytë të Kupës, Apolonia u konfirmua si zonja e vetme e Myzeqesë për këtë sezon.
Fierakët e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe arritën të krijojnë avantazhe të hershme, duke e çuar rezultatin deri në 3-0 gjatë gjysmës së parë të pjesës së dytë. Më pas Lushnja rikuperoi duke shënuar dy gola, por nuk arriti të barazonte, duke i dhënë Apolonisë të drejtën të sfidonte Egnatian në raundin tjetër.
Ndeshja
Të dy trajnerët kishin preferuar që ta nisnin ndeshjen me formacione mikse duke ruajtur disa titullarë për kampionatin. Rotacioni më i theksuar ishte te Lushnja, që edhe në këtë takim u drejtua nga zv.trajneri Ledion Ruço, pasi Bicaj është i pezulluar nga Disiplina. Takimi nisi më mirë për Apoloninë, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 5-të. Mahmutaj përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Lushnjës, depërtoi brenda zonës dhe goditi saktë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë përparësi bardhejeshilëve. Lushnja përpiqej të reagonte, por pa rrezikuar seriozisht portën e Ananës. Apolonia vazhdoi të dominojë dhe në minutën e 39-të arriti të dyfishojë avantazhin. Rakipaj rrëmbeu topin në mesfushë dhe ia ktheu Mahmutajt, i cili e vendosi përballë Haremit.
Goditja përfundoi saktë në rrjetë: 2-0 për fierakët. Vetëm një minutë para pushimit, Apolonia pati mundësinë për golin e tretë. Mahmutaj goditi me kokë pas një krosimi nga e djathta, por topi përfundoi jashtë, duke i lënë dy gola avantazh për pjesën e parë. Pas pushimit, trajnerët Jovanoviç dhe Ruço e nisën pjesën e dytë me të njëjtin formacion. Loja vijoi të ishte e luftuar, me Apoloninë që mbrojti avantazhin, por edhe duke kërkuar të rrisë rezultatin. Në minutën e 66-të, fierakët fituan një 11-metërsh. Mahmutaj depërtoi në zonë dhe u rrëzua nga Goxha, ndërsa gjyqtari Vrapi tregoi pikën e bardhë. Kapiteni Asllanaj nuk gaboi dhe shënoi për 3-0. Megjithatë, Lushnja nuk u dorëzua. Në minutën e 73-të, sulmuesi nigerian Eduard, që sapo kishte hyrë në lojë, shkurtoi diferencën me një goditje të saktë nga hyrja e zonës, 3-1.
Loja u bë më e hapur dhe dramatike. Në minutën e parë të kohës shtesë, Eduard shënoi edhe golin e dytë për Lushnjën, duke e bërë rezultatin 3-2 dhe duke shtuar tensionin deri në sekondën e fundit. Në minutën e katërt shtesë, Lushnja ishte pranë barazimit, Meta kroson nga e majta, Olola godet me kokë, por portieri Anane ndaloi me një ndërhyrje të shkëlqyer. Me këtë fitore dramatike, Apolonia siguron kualifikimin në 1/8-at e Kupës së Shqipërisë dhe tregon se nuk është vetëm një pretendente në kampionat, por edhe një ekip që di të përballojë presionin e sfidave të mëdha.
APOLONIA – LUSHNJA 1 – 0
GOLAT: Mahmutaj 5’, Rakipaj 39’, Asllanaj 66’(11-m) / Eduard 73’, 90+1’
APOLONIA: Anane, Topi, Asllanaj, Folorunsho, Amagba(Chidozie 58’), Leshi, Ndubuisi, Kofi(Cjapi 76’), Mahmutaj(Sulo 76’), Vondolie(Hoxhaj 58’), Rakipaj(Albashir 68’). (Në dispozicion: Kaçaj, Trifoni, Kudamo, Yakubu). Trajner: Marko Jovanoviç
LUSHNJA: Haremi, Magani, Goxha(Korreshi 68’), Basha(Hida 66’), Meta, Deliaj, Uesley, Arapi(Olola 66’), Zaganjori(Nadon Uillfried 66’), Canka(Eduard 68’), Kamissoko. (Në disipozicion: Alimuçaj, Korreshi, Kaçanolli, Ribaudo, Fejzaj, Olola, Allmuça). Trajner: Ledion Ruço












